RKL dhe TV Dielli, i kanë ndarë Mirënjohje familjes emblematike të Brahim Rexhepit, nga Qirezi i Drenicës

Oda e Bacë Brahim Rexhepit ishte e vogël për të zënë të gjithë ata që kishin ardhur për të kujtuar heroizmin e Betejës së Qirezit dhe Likoshanit. Në këtë ambient të ngrohtë e plot emocione, kujtimet dhe ndjenja e krenarisë kombëtare u ndërthurën me respektin dhe mirënjohjen për sakrificën dhe qëndresën e një familjeje legjendare – familjes Rexhepi të Qirezit. Baca Brahim, një luftëtar i rryer në beteja dhe simbol i pathyeshmërisë, pranoi me dashamirësi e krenari të thellë tri Mirënjohje të ndara nga Radio-Kosova e Lirë dhe TV Dielli. “Është nder dhe privilegj i veçantë të pranoj këto Mirënjohje nga dy dritare të rëndësishme informative, me të cilat unë bashkëjetoj çdo ditë,” – tha ai, me zërin e tij të qetë, por të ngarkuar me peshën e përvojës dhe sakrificës. Për Drejtorin e Radio-Kosovës së Lirë, profesor Ahmet Qeriqin, Bac Brahimi pati fjalë të veçanta vlerësimi dhe respekti. “Ai është një qëndrestar i pathyeshëm, një enciklopedi e gjallë që dokumenton dhe ruan përjetësisht veprën dhe heroizmin e brezave. Ai është zëri që nuk lejon të shuhet asnjë çështje kombëtare, një zë i rrallë, që qëndron vertikalisht përballë çdo sfide,” – theksoi Bac Brahimi, duke e konsideruar Ahmet Qeriqin si një figurë të pazëvendësueshme në mbajtjen gjallë të kujtesës kombëtare.

Figura e Bac Brahimit mbetet një simbol i qëndresës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Në ballë të oxhakut, ai qëndronte stoik, me një qëndrim fisnik e të palëkundur, duke pritur e përcjellë vizitorët që vinin për të nderuar me respekt të thellë 28 shkurtin e vitit 1998 – ditën kur u zhvillua Beteja historike e Qirezit dhe Likoshanit. Ishte një ditë përkujtimi dhe reflektimi, ku sakrifica e dëshmorëve ndriçonte si pishtar në kujtesën kombëtare. Në këtë ceremoni të mbushur me emocion, Radio-Kosova e Lirë ndau tri Mirënjohje në shenjë respekti dhe falënderimi. Njëra iu dha Bac Brahim Rexhepit për kontributin e tij jetësor në shërbim të çështjes kombëtare dhe për qëndresën e tij të palëkundur ndër vite. Dy Mirënjohjet e tjera u ndanë për dy dëshmorët e familjes – Rexhep Ajet Rexhepi dhe Beqir Brahim Rexhepi – të cilët ranë në altarin e lirisë, duke shkruar me gjakun e tyre kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë. Ceremonia përmbylli një ditë të mbushur me emocione, reflektim dhe krenari kombëtare. Në odën e Bac Brahimit, ku çdo cep frymonte histori dhe sakrificë, u përcoll mesazhi i qartë se kujtimi për dëshmorët dhe vlerat për të cilat ata ranë, do të mbetet përherë i gjallë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare. Familja e Rexhepëve të Qirezit, me qëndresën dhe sakrificën e saj, mbetet një shembull i pavdekshëm i dashurisë për lirinë dhe atdheun.

Kontrolloni gjithashtu

Në paraqitjen e tij të parë Gjykatës Speciale në Hagë, Haxhi Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave. Në seancën e djeshme atij i është lexuar aktakuza, gjoja përpjekje në pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale. Haxhi Shala, i cili ndodhet në paraburgim, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe. Haxhi Shala është arrestuar më 11 dhjetor dhe një ditë më vonë u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndërsa, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit, më 6 tetor 2023 në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

I rrëzohet kërkesa për ulje dënimi Haxhi Shalës

Kryetarja e Gjykatës speciale, Ekaterina Trendafilova, ka refuzuar kërkesën e Haxhi Shalës për modifikim të …