Shpresa Bajraktari – Ruçi: Nderim, mirënjohje dhe respekt të thellë për gjithë dëshmorët dhe veprën e tyre të pavdekshme

Nderim, mirënjohje dhe respekt të thellë për gjithë dëshmorët dhe veprën e tyre të pavdekshme; si dhe për sakrificat sublime që ata bënë për Atdheun! Historia e kombit shqiptar është histori e lavdishme e popullit shqiptar, për të cilën ne shqiptarët ndjehemi shumë krenarë.
Kjo histori është shkruar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Atdheut tonë, që me trimëri të rrallë dhanë jetën për idealet e lirisë dhe të pavarësisë.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare shënon një nga epope­të më të lavdishme të popullit shqiptar, e udhëhequr nga PKSh me në krye strategun Enver Hoxha.
Kjo luftë madhore i fali Mëmës Shqipëri 28 mijë dëshmorë, që dhanë jetën si me lehtësi;
që me gjakun e tyre të pastër vaditën rrënjët e lirisë së Atdheut.

Më 5 maj 1942 ra heroikisht sekretari i Rinisë Komuniste Shqiptare, i riu Qemal Stafa.
Kështu që data e 5 Majit u vendos të përkujtohej si Dita e Dëshmorëve.
Në këtë ditë të veçantë, populli bën homazhe për të përkujtuar këta djem dhe vajza që ranë për të mos vdekur kurrë.
Ata, të inspiruar nga idealet e larta të lirisë, të pavarësisë, për një botë të re pa shtypës dhe shfrytëzues, nuk kursyen asgjë;
as jetën për Atdheun e tyre të dashur.

Epoka lavdimadhe enveriane i bëri realitet idealet e tyre.
Populli shqiptar, nën udhëheqjen e PPSH-së, me në krye vizionarin Enver Hoxha, bëri realitet aspiratat e dëshmorëve për një Shqipëri të lirë, të re dhe pa shtypës e shfrytëzues.
Çliroi vendin jo vetëm nga vargojt e pushtuesve, por edhe nga vargojt e shtypjes dhe shfrytëzimit feudo-borgjez.
Në vend të tyre vendosi pushtetin e klasës punëtore dhe fshatarësisë, e cila mbronte interesat e aleancës së tyre.

Brenda një kohe të shkurtër, rindërtoi vendin nga dëmtimet e mëdha të luftës, iu përvesh punës për transformime të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, si dhe ndërtoi Shqipërinë e Re Socialiste pa shtypës dhe shfrytëzues.
Shqiptarët për herë të parë u bënë zot të Atdheut të tyre, që nuk guxoi kush t’u prekte fitoret e arritura, sepse do të gjenin dështimin e tyre.
Ngriti në piedestal emrin e Nënës Shqipëri.

Pra, për këtë botë ëndërruan dëshmorët, dhe kjo u bë realitet vetëm në Epokën Enveriane.

Pas përmbysjes së sistemit socialist gjithçka u përmbys dhe u shkatërrua.
U shkatërruan të gjitha vlerat materiale dhe morale.
Rezultat ishte që edhe ndaj dëshmorëve u ndoq politika e rrugës;
duke i ndarë dëshmorët dhe zhvarrosur disa prej tyre.
U shkatërruan pllaka dhe lapidarë të dëshmorëve nga dora e vandaleve që kishin marrë pushtetin, të cilët fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot.

U hoqën dekoratat heronjve të luftës dhe të punës, me paturpësinë më të madhe;
shumë prej tyre u shpallën kriminelë dhe në vend të tyre u dekoruan kriminelët e luftës dhe tradhtarët e kombit,
duke i vrarë kështu për herë të dytë dëshmorët e lirisë.

Politika shqiptare edhe sot spekulon shumë me emrin e dëshmorëve.
Ata e përdorin luftën dhe dëshmorët vetëm për kredo politike dhe për elektorat,
pasi dihet që ndjenjat e popullit janë të lidhura me luftën dhe me dëshmorët e saj.

Por e vërteta është se pushtetarët e sotëm të ashtuquajtur “të majtë” dhe ata të djeshmit “të djathtë”,
kanë shkelur dhe abuzuar mbi gjakun e dëshmorëve, pasi pushtetin e klasës punëtore dhe fshatarësisë të fituar me gjak e zëvendësuan me pushtetin e borgjezisë, e cila mbron interesat e saj, duke shtypur dhe shfrytëzuar popullin e varfëruar.

Në vend të mirëqenies së premtuar popullit, lulezuan dhe u rritën shumë plagë sociale dhe ekonomike, që janë bashkudhëtare të sistemit kapitalist, si krimi, droga, prostitucioni, korrupsioni, viruset vdekjeprurëse, varfëria ekstreme – që e kanë bërë të pasigurt të ardhmen e popullit;
që po çon në çpopullimin e Shqipërisë.

Pas gjithë këtij regresi të madh që ka ndodhur në Shqipëri,
gjaku i të rënëve për liri bën apel!

Por, pavarësisht nga qëndrimet që mban politika borgjeze,
populli e ka ruajtur thellë në kujtesë nderimin për dëshmorët dhe veprën e tyre të pavdekshme;
si dhe do t’u jetë gjithnjë mirënjohës bijve dhe bijave të vet, për sakrificat sublime që bënë ata për Atdheun.

Populli në këngët e tij i ka përjetësuar të rënët, duke u kënduar:

Ju kish lindur nëna,
Për një botë të re,
Lum more djem,
Që ratë për atdhe!

Krenari dhe mirënjohje të përjetshme për të gjithë të rënët, që me gjakun e tyre të pastër shkruan Epopenë e Lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komandanti Enver Hoxha!
Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të dëshmorëve të Atdheut!

Shpresa Ruçi

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …