Gjyshi Ahmet, gjyshi ynë i dashur

Gjyshi Ahmet, sot në dy mujorin e shkuarjes Tënde në amshim, ne mbesat dhe nipërit tu, me zemra të thyera dhe sy të mbushur me lot, po përpiqemi të pranojmë largimin tënd nga kjo botë. Gjyshi Ahmet, mungesa jote ka lënë një boshllëk të madh në jetët tona—një boshllëk që nuk mbushet me fjalë, as me kujtime, por që mbetet i gjallë në çdo kënd të shtëpisë, në çdo çast të heshtjes, dhe në çdo hap që bëjmë pa ty.

Dhoma jote është ende aty… por tani është e ftohtë. Ajo ngrohtësi që ti e përcillje me praninë tënde, ajo buzëqeshje që na mbushte shpirtin, mungon më shumë se çdo gjë tjetër. Jeta pa ty duket më e zymtë, më e rëndë. Mungesa jote është ndjeshme, bisedat që përcillje urtësi, histori dhe dashuri për këtë vend.

Ne e dimë që ti je aty lart, në një vend më të mirë, në parajsë, duke na vëzhguar me dashurinë që gjithmonë na ke dhuruar pa kushte. Dhe ne këtu, në tokë, ndiejmë dhimbjen deri në palcë, sepse ti gjysh, nuk je më në mesin tonë.

Valët e Radios “Kosova e Lirë” bartën zërin tënd, shkrimet tua të forta, të sinqerta dhe të guximshme. Lufta jote për të vërtetën dhe për lirinë ishte aq e thellë sa çdonjëri prej nesh po ndihemi shumë krenare. Ti ishe shembulli i një njeriu që e donte vendin jo me fjalë, por me vepra.

O gjyshi ynë, nuk ka fjalë që mund të përshkruajë krenarinë që ndjejmë për TY. Çdo kujtim me TY, është një thesar që do ta mbajmë në zemër gjithë jetën. Po na mungon shumë gjyshi, takimet tona fundjavave në Krojmir, tani po i bëjmë tek varri YT…

Lamtumirë, gjyshi ynë. Dashuria dhe kujtimi për ty nuk do të kenë kurrë lamtumirë. Do të jetosh përherë në fjalët tona, në veprat tona, në mënyrën se si do të rritemi me vlerat që na le trashëgim.

GJYSHI AHMET – Pusho në paqe, në dritën e përjetësisë.

Me dashuri të përjetshme, nipat dhe mbesat: Getarbi, Eknatoni, Atonofisi, Daorta, Atlantidi, Marigo, Dimali, Parga, Enkelejdi, Artridi, dhe Sparta – të gjithë ne, që jemi rritur me dashurinë dhe kujdesin tënd, të falënderojmë nga zemra për trashëgiminë shpirtërore që na ke lënë.

Emrat tanë, kaq të veçantë dhe të rrallë, nuk janë thjesht fjalë që na identifikojnë — janë gurë kujtese, rrënjë të thella në historinë, kulturën dhe vizionin që ti ke dashur të na përcjellësh. Me çdo emër që na pagëzove, ti na dhe një pjesë të shpirtit tënd, një thirrje të heshtur për të qenë krenarë për atë që jemi dhe nga vijmë.

Të falënderojmë përjetësisht. Trashëgimia jote jeton në çdo fjalë, në çdo kujtim dhe në çdo brez që do të vijë pas nesh.

 

Kontrolloni gjithashtu

BEXHET JAGODINI: TË DHËNA TOPONIMIKE DHE ONOMASTIKE TË PATRONIMIT, JAGODINI

Bexhet Jagodini: TOPONOMIA E TINGULLIT NË SËRBICË – KËRÇOVË

(Kur natyra këndon, njeriu e pagëzon vendin) Duke soditur natyrën për rreth këtu në vendbanimin …