Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka qenë subjekt i përpjekjeve të ndikimit për të votuar në favor të kandidates së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Në një deklaratë për media, Balje zbuloi se i ishte ofruar një mundësi punësimi si profesoreshë në Shkup, si pjesë e një përpjekjeje të tërthortë për të ndikuar votën e saj. “Po, është e vërtetë,” deklaroi ajo, duke shpjeguar se kishte marrë disa thirrje nga persona të lidhur me rrethin shoqëror, por jo drejtpërdrejt nga politika. “Para disa vitesh kam apliku për një pozitë profesoreje në Maqedoni dhe kam plotësuar kushtet, por më pas nuk kam vazhduar më. Tani më kanë thënë se ka mundësi për diskutim për atë vend pune.” E pyetur nëse kjo ofertë ishte e kushtëzuar me votën për Haxhiun, Balje sqaroi: “Nuk ka qenë direkt, por, ishte një shoqe, një mjeke nga Kosova. Jemi takuar disa herë rastësisht. Përgjigja ime ka qenë jo, kam refuzuar sepse nuk i njoh këta persona dhe e konsideroj të papranueshme.”
