Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Veprimet qyqare të kryetarit të Kosovës

Përse duhet reaguar ndaj dy gjunjëzimeve të Presidentit të Kosovës? Sigurisht që nuk jam prej atyre që me lehtësi përzihet në kompetencat kushtetuese të Presidentit të Kosovës. Nuk e kontestoj për asnjë arsye tjetër përse ai shkoi dhe u gjunjëzua para të vrarëve serbë në Kosovë, se ata ishin qytetarë të Kosovës, por se në ato monumente para të cilëve vendoste lule e përkulej President i Kosovës, shkruante se vrasësit ishin terroristët shqiptarë! Nuk kam asnjë dyshim nëse ato vrasje ishin kriminale, pasi ishin të tilla, por a ka pasur dhe a ka ndonjë instancë gjyqësore që i kanë ndriçuar vrasjet në fjalë? Deri tani asnjë njeri i vetëm nuk ka dalë para gjyqit që të përgjigjet për ato raste! Prej nga, pra, akuzohen shqiptarët si vrasës? Shkuarja e Presidentit, përulja para atyre pllakave ku akuzoheshin shqiptarët për ato vrasje kriminale, është marrja e fajit për secilin shqiptar, përveç njërit, se vrasësit ishin shqiptarë! Nuk besoj që Presidenti i Kosovës ka ndonjë informacion se kush ishin kryesit e atyre vrasjeve!

Është interesant, se pas luftës janë bërë disa vrasje të serbëve të Kosovës, pak ditë para se të diskutohej në KS të OKB-së, situata politike dhe e sigurisë në Kosovë. Pra, sikur të ishin ndriçuar ato vrasje dhe vrasësit të ishin shqiptarë, shkuarja e Presidentit do të mund të konsiderohej ushtrim i përgjegjësisë së tij kushtetuese.

Të gjithë ata që në tridhjetë vitet e fundit kanë përcjellë zhvillimet politike në Kosovë (që nga viti 1981), në shumë eksese e vrasje ndëretnike në Kosovë, në kontinuitet, pra në vazhdimësi të akuzuarit, pa u zhvilluar asnjë proces gjyqësor, janë apostrofuar shqiptarët. Madje-madje, një vrasje që ka ndodhur gjatë luftës çlirimtare nëKosovë në kafen “Panda” në Pejë, të akuzuarit e parë kanë qenë shqiptarët! Ata janë burgosur dhe torturuar deri të ekstrem dhe gjykata serbe nuk ka gjetur asnjë element të veprës për çka ishin të akuzuar. Por shumë vite pas lufte është konfirmuar se vrasësi i vërtetë ishte shteti serb. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të lartë serbë të kohës e në mesin e tyre është edhe Kryeministri i sotëm i Serbisë, Vuçiqi, i cili në kohën e luftës ishte ministër në qeverinë e regjimit serb të Millosheviqit. Pra kemi një rast të konfirmuar, se një vrasje e tmerrshme për të cilën ishin akuzuar shqiptarët, vrasësi ishte vetë shteti i Serbisë, me qëllimin e vetëm që vrasja t’u përshkruhej shqiptarëve dhe më pas të arsyetoheshin të gjitha veprimet e Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Atëherë, fare thjesht, përse edhe rastet në fjalë të mos jenë vepër e Sigurimit Shtetëror Serb, si gjithnjë – për t’i akuzuar shqiptarët?! Përshkrimi me detaje të hollësishme për rastin “Panda” mund të gjendet në librin e Bardhyl Mahmutit, “Kthesa e Madhe”, botim i Shtëpisë Botuese “Çabej”, Shkup- 2015.

Duke u bazuar në këto që u thanë, Presidenti i Kosovës, si qytetar i parë i Kosovës, nuk është dashur që një vepër kriminale, të pandriçuar nga asnjë gjykatë, t’ua vendosë si barrë terroristëve shqiptarë, prej atyre që ka përfituar gjithçka, madje edhe pozitën e Presidentit!!! Ky fakt e rrit shumë përgjegjësinë e Presidentit të Kosovës dhe e shtron domosdonë e dorëheqjes së tij. Por në Kosovë nuk ka ambient e as frymë të përgjegjësisë, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka ndjesi të mjaftueshme qytetare (këtë po e dëshmojnë protestat kundër aferës “Pronto 2”), andaj edhe dorëheqja nuk do të ndodhë.

Presidenti duhet ta ketë të qartë një gjë, pa ekuivok: për t’i mbrojtur interesat e tij personale, me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, nuk është dashur dhe nuk ka denjuar t’i akuzojë shqiptarët përderisa nuk është provuar një gjë e tillë, një pandehmë tashmë bajate e qarqeve që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve në veçanti! Me veprimet që bëri në Gracë të Lypjanit e në Gorozhdec të Pejës, Presidenti bëri i përgjegjës shqiptarët, së këndejmi dhe veten e tij!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …