leoni

Hireme Halili Shabani: Kulla e qëndresës

I nderuar z. Agim Sylejmani, autor i librit “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili”. Ndjehem falenderuese që më respektuat si motra e heroit Rafi Halili, njëkohësisht bashkëveprimtarja e tij.

Shfrytëzoj rastin të përshëndes gjithë të pranishmit, veprimtarë të idealit, ish të burgosur politikë, atdhedashës.

Të flasësh për dorëshkrimet e Rafiut, për themeluesin e Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, duhen vite e shumë studime.

Desha të veçoj se si ish e burgosur politike e bashkëveprimtare e vëllait tim, nuk më është dhënë mundësia të shpreh rrëfimet nga veprimtaria jonë familjare. Kjo nuk do të thotë se mundi e sakrifica ime dhe e nënës Shukrije të anashkalohet e fshihet nga historia.

Jeta është plot sfida të ndryshme, është një film a dramë ku rolin e luan personi që përjeton golgotën e historinë e hidhur.

Kanë kaluar shumë vite të burgosjeve, maltretimeve e trazirave dhe është vështirë të ringjallim të kaluarën e hidhur e të dhimbshme, por e papërshkruar, e cila është dëshmi e realitet i gjallë që i kemi të freskëta ende në shpirt e mendje.

Rafiu ka qenë disa herë i burgosur, por herën e fundit veprimtarinë e vazhdoi në ilegalitet të thellë, pasi UDB-ja dhe spiunë të paguar ishte në kërkim të lëvizjeve të tij. Rafiut iu ngushtua shumë rrethi dhe lëvizja. Për të mos dështuar veprimtaria e mëtutjeshme e Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”, nënë Shukrija dhe unë iu bashkëngjitëm e iu bëmë krah i kësaj Organizate. Ishim të vetëdijshme me çka merreshim, por me shumë guxim vepronim pa marrë parasysh pasojat në të ardhmen. Rafiu edhe pse strehohej në vende të ndryshme, kolibe, male, fshatrat e malësisë, strehohej edhe në Strugë e rrethinën e saj, ai nuk e ndalte veprimtarinë, e ne e ndihmonim dhe furnizonim me gjithçka që i duhej.

Kemi pasë raste kur Rafiu ka qenë në shtëpi e duhej të shkonte në vendin ku merrej me përgatitjen e materialit, e për të dalë nga shtëpia Rafiu duhej të maskohej që mos të bjerë në sy të UDB-së. Kështu një mbrëmje Rafiun e veshëm si grua me mbulesë, e në dorë mbante një bohçe, derisa pistoletën e kishte të gatshme për veprim. Bashkë me nënë Shukrijen u nisëm ta përcjellim, por për të dalë te rruga për në fshatin Selcë patjetër duhej të kalonim drejt objektit të policisë. Ishim në një rast rreziku, por me shumë vëmendje kaluam momentin kritik, kur Rafiu vazhdoi me nënën për në fshat e unë u ktheva në rrugën tjetër. Ka pasur edhe shumë raste të tjera kur Rafiu duhej të maskohej që të kalonte në destinim të paracaktuar.

Më 11 mars 1982 e burgosën vëllain Vexhiun, si hakmarrje që Rafiu të shfaqej. Edhe pse babai e kërkonte në polici, ata nuk i tregonin se e kanë marrë. Për disa muaj, sa e kanë mbajtur në burg, nga torturat dhe rrahjet më çnjerëzore e shtazarake Vexhiun, kur e kanë liruar nga burgu, nuk e kanë njohur se kush është. Është liruar në ditën kur neve na kanë burgosur.

Natën që e rrethuan shtëpinë, Rafiu erdhi rreth orës 10:00 të natës në shtëpi. Ishte shëndetlig, i sëmurë e i rraskapitur. Kur e pa nëna u gëzua shumë, por më tepër u mërzit dhe i tha: “O bir, po qenke pa qejf. Po si erdhe, pse erdhe? Se policia çdo kund të lypën”. Rafiu ia ktheu: “Po moj nënë, por telefonatën që ma bënë se kur do të kthehem në shtëpi mua më trazuan nga vendstrehimi”.

Kështuqë nata e 6-7 qershorit 1982 ishte e kobshme, tmerr, zjarr e erë baroti gjithandej, luftë për krejt anëtarët e familjes, ku u plagos rëndë për vdekje Rafiu, e babain, Azizin, e plagosën në këmbë.

Kishin ardhur njësi speciale e ushtri të armatosur deri në dhëmbë. Kishin rrethuar shtëpinë, lagjet e rrugët, e nga të shtënat e armëve u përmbys dhe shkatërrua çdo gjë në shtëpi. Të njëjtën ditë na burgosën edhe ne: babain Azizin, nënë Shukrijen dhe mua.

Torturat e hetimet në burgun e Tetovës nuk kishin të ndalur ditë e natë. Secili inspektor bënin pyetje për Rafiun. Maltretimet ishin nga më të ndryshmet. Pasiqë përgjigjja ime ishte “Nuk di”, në çka ata tërboheshin, më grushtonin e shqelmonin, më thonin “Je e njëjtë sikur vëllai. Do ju vrasim çdo ditë nga pak”.

Një ditë më rrahën deri në alivanosje kur humba edhe ndjenjat. Kur erdha në vetëdije ishte terr. Isha në një çebe të lagur, ku kundërbonte erë benzine. Dëgjoja zëra, por nuk i shihja. Dokush thoshte “Mbaroi” e dikush tjetër thoshte “Jo, jo, është si vëllai, gjarpër, na duhen të gjallë”.

Hetimet vazhdonin. Një ditë më çuan në një dhomë ku kishte varëse prej druri dhe më varën me shaminë që kisha. Sërish më rrahën. Më thonin “Do të të vrasim që të mos lindësh gjarpërinj që të helmoni popullin”.

Dhunës fizike e psikike nuk mund t’i iknim, ku dita e nata na dukej sa një shekull. Ditën që na transferuan nga burgu i Tetovës në atë të Shuto Orizares, në furgon pashë nënë Shukrijen, të sëmurë e krahun e djathtë e kishte të lidhur me shami, të cilin nga rrahjet shtazarake ia kishin nxjerrë nga vendi. Edhe gjatë vuajtjes së dënimit e kaloi e sëmurë e me dhimbje të krahut, ku edhe tentuan t’ia presin. I thonin “Nuk të duhet krahu, të pengon”. Ajo mbeti me pasoja gjithë jetën sa ishte gjallë.

Nënë Shukrija dhe unë ishim të vetmet femra shqiptare të dënuara me nga 7 vite burg. Nëna i mbajti 2 vjet e gjysmë e unë 4 vite. Ishim të vetmet femra veprimtare të sakrificës, rezistuese të ilegales për bashkim kombëtar të Organizatës “Kushtrimi i Lirisë”. Nënë Shukrija ishte nënë e madhe e kombit, zë i fuqishëm i gruas dhe ilegales. Kemi qenë në burg, por krenare e kurrë të penduara për veprat e dashurinë ndaj atdheut e bashkimit kombëtar.

Veprimtaria jonë si familje është histori, histori e cila duhet treguar e shkruar ashtu siç është, pa shtuar e pa hequr diçka nga ajo, pasiqë, duan apo nuk duan, e vërteta ka peshën e vet.

Lavdi për gjithë ata që u munduan e sakrifikuan krah për krah për të njëjtin ideal!

Lavdi jetës dhe veprës së Rafi Halilit!

(Fjalë rasti në promovimin e librit «Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili»,
shkruar nga Agim Sylejmani, mbajtur në Prishtinë, më 9 qershor 2025).

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi Gashi: Babi, të kujtoj me mall të pashuar, në tre mujorin e shkuarjes në amshim

Babi, të kujtoj me mall të pashuar, në tre mujorin e shkuarjes në amshim Babi, …