leoni

BDI: Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është një mashtrim institucional. Qeveria miratoi propozimligjin e Karakamishevës

Bashkimi Demokratik për Integrim reagon me shqetësim të thellë ndaj miratimit në Qeveri të Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili përbën një farsë institucionale dhe jo një instrument të vërtetë për barazi.
Më skandaloze është fakti që edhe anëtari shqiptar i grupit punues, prof. dr. Mersim Maksuti, ka refuzuar publikisht këtë ligj, duke dhënë një mendim të ndarë dhe profesional, në të cilin e vlerëson këtë propozim si skandaloz, antikushtetues dhe jopraktik.
Ligji nuk garanton kuota për komunitetet më pak të përfaqësuara, siç e kërkon Kushtetuta dhe Amendamenti VI, por i relativizon të drejtat kolektive me pretekste si “profesionalizëm” dhe “kompetencë”.
 Mekanizmi i zbatimit është i paralizuar që në start, pasi i lë të gjitha përgjegjësitë një “Trupi Koordinues” pa kompetencë mbikëqyrëse, pa drejtim politik të garantuar, dhe pa fuqi për të propozuar masa ndëshkuese ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin.
Ligji është bërë sipas apetiteve të Karakamishevës, e jo në përputhje me nevojat reale të qytetarëve të pambrojtur nga diskriminimi. Është miratuar vetëm për t’u dërguar në Komisionin e Venecias, dhe jo për të hyrë në Kuvend për debat demokratik.
Ky propozim shmang sanksionimin ligjor të moszbatimit, duke mos parashikuar asnjë formë përgjegjësie institucionale apo juridike për shkelësit e tij. Kjo e kthen në një dokument propagandistik, pa vlerë ligjore dhe efekt praktik.
Duke u fshehur pas një interpretimi të diskutueshëm të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria shmang qëllimisht afirmimin e kuotave dhe përfaqësimit të drejtë si aksion afirmativ i garantuar me Kushtetutë.
BDI e konsideron këtë Propozim-ligj si ligji i Karakamishevës dhe jo si ligj i qytetarëve të RMV-së. Një ligj i tillë, në vend që të afrojë komunitetet, i largon ato edhe më shumë nga besimi në institucionet shtetërore.
Ne i qëndrojmë besnikë Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtës legjitime të çdo qytetari për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Pa këtë, nuk ka as shtet funksional, as demokraci të qëndrueshme.

Kontrolloni gjithashtu

Sokol Bashota: DITA E SOTME PËRKUJTON SAKRIFICËN SUBLIME QË MBOLLI RRËNJËT E LIRISË DHE TË ARDHMËRISË

Për Klinën me 18 qershor të vitit 1999 erdhi Ora e Madhe e Lirisë pas …