Pas gati gjashtë muajsh në detyrën e Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pa bërë asnjë njoftim zyrtar për takimet apo aktivitetet e tij atje. Vizita u bë publike nga ambasadorja e BE-së në SHBA, Jovita Neliupšienė, e cila më 7 korrik njoftoi për një takim me ambasadorët e Ballkanit Perëndimor, ku Sorensen u pa i ulur mes ambasadorit të Kosovës, Ilir Dugolli, dhe atij të Serbisë, Dragan Sutanovac. Në agjendë thuhej se ishin diskutuar siguria, stabiliteti dhe zgjerimi i BE-së, ndërsa ambasadorja theksoi se uniteti për Ballkanin është çelësi për të ecur përpara. Po ashtu, Sorensen mori pjesë edhe në një panel të Këshillit të Atlantikut në Washington D.C., ku foli për dialogun Kosovë–Serbi dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor. Edhe ky aktivitet nuk u bë i ditur nga vetë Sorensen, i cili nuk postoi asnjë informacion në llogaritë e tij zyrtare.
