Klase shkollore

Alarmon SBASHK: Po boshatisen shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit po emigrojnë drejt Evropës

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, ka ngritur alarmin për largimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës. Ajo tha se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh si rezultat i kushteve më të mira për jetesë dhe pagesave më të larta për punëtorët e arsimit. Shala tha se nëse trendi aktual vazhdon, shkollat rrezikojnë të mbesin pa staf dhe pa nxënës. “Është shumë shqetësuese ajo që po e marrim nga terreni – po largohen edhe nxënësit, edhe mësimdhënësit. Po ikin drejt Evropës për kushte më të mira. Në një të ardhme të afërt, shkollat tona rrezikojnë të mbesin bosh,” deklaroi ajo. Shala përmendi gjithashtu ndikimin që ka pasur liberalizimi i vizave në rritjen e emigrimit dhe kritikoi institucionet për mungesën e përkrahjes ndaj arsimit publik dhe stafeve mësimore. “Po mungon siguria në shkolla, kushtet janë të vështira, dhe pagesat të pamjaftueshme. Në Evropë, mësimdhënësit po gjejnë vlerësim dhe paga më të mira. Ky realitet po i detyron të largohen,” theksoi Shala. Ajo shtoi se vonesat në konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zbatimi i mangët i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës janë faktorë shtesë që po e rëndojnë gjendjen. “Mësimdhënësit po dëmtohen në paga përkundër vendimeve të qarta të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, kontrata kolektive mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut po vonohet pa arsye. Përgjegjësia bie mbi institucionet,” përfundoi ajo.

Kontrolloni gjithashtu

PDK akuzon Qeverinë Kurti për bllokim të buxhetit për zgjedhje: “Rrezikohet integriteti i votës”

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, …