Xhevat Bislimi: HESHTJA E "DETYRUAR" E SHQIPTARËVE!

Xhevat Gjini: DY FJALË PËR 2 KORRIKUN

Pranvera Shqiptare ’81 e ngjiti çështjen shqiptare në skenën e çështjeve të pazgjidhura në rajon e në botë. Kryengritja e popullit të pushtuar shqiptar, e vitit 1981, tronditi Jugosllavinë komuniste pushtuese dhe çoi në shkatërrimin e saj. Lëvizja mbarë shqiptarë për çlirimin dhe bashkimin e krahinave të pushtuara të Shqipërisë, në kohën që fati i federatës jugosllave ishte i diskutueshëm, doli me kërkesën që Kosova dhe viset e saj të konstituoheshin në Republikë. Kërkesa “Kosova Republikë” kishte fituar përkrahje mbarë popullorë. Kjo kërkesë demokratike dhe legjitime u mbështet pa ekuivokë dhe fuqishëm nga shteti ynë AMË.

    Serioziteti, qartësia dhe logjika e hekurt me të cilën e përkrahu dhe argumentoi shteti Enver Hoxhës kërkesën e popullit të pushtuar shqiptar për Republikë i shtyri shumë qeveri dhe vende t’i rishikonin politikat dhe qëndrimet e tyre ndaj Republikës së Shqipërisë dhe kërkesave të pjesës së pushtuar të saj. Çështja e pazgjidhur shqiptare nuk do të ishte më kurrë “çështje e brendshme e Jugosllavisë” pushtuese terroriste. Dhuna, represioni dhe terrori shtetëror i Jugosllavisë pushtuese nuk arriti ta thyente qëndresën dhe shpirtin kryengritës të popullit të pushtuar shqiptar dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në përballje me Lëvizjen Çlirimtare të popullit shqiptar Jugosllavia pushtuese u thye dhe u shkatërrua përfundimisht. Faktor dhe rol  determinant në këtë përballje të madhe shqiptaro – (jugo)serbe pati dhe vazhdon të ketë shteti ynë AMË…

   Pas Kryengritjes shqiptare të vitit 1981 represioni, arrestimet, dënimet, torturat, vrasjet, dhuna policore, politike, mediatike dhe psikologjike ishin përshkallëzuar në terror të organizuar shtetëror. I gjithë aparati terrorist shtetëror ishte angazhuar për shtypjen dhe mposhtjen e popullit duarthat shqiptar! Raporti i forcave ishte i disfavorshëm për popullin tonë të pushtuar. Federata diktatoriale pushtuese dhe Serbia hegjemoniste kishin në duart e tyre armatën, policinë, partinë, mjetet e informimit, ekonominë, administratën dhe aparatin represiv që dispononte Jugosllavia komuniste, pushtuese e më shumë se gjysmës së Shqipërisë. Megjithatë, nuk ia doli t’i shtypte dhe vriste idetë liridashëse, demokratike dhe emancipuese të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, nuk ia doli ta shtypte shpirtin kryengritës dhe revolucionar të popullit të pushtuar shqiptar.

   Në këto kushte dhe rrethana shtypjeje, dhune e terrori shtetëror, federata jugosllave, e dominuar nga Serbia hegjemoniste, miratoi suprimimin e asaj pak autonomie dhe të atyre pak të drejtave që gëzonte Kosova në kufijtë e saj krahinor (pa viset e saj). Suprimimi me dhunë e terror i autonomisë së Kosovës (pa vise) u ndihmua dhe pastaj u “miratua” edhe me majën e lapsit dhe me gishtat e kolaboracionistëve të përzgjedhur nga Serbia (soji i Vllasit, Hasanit, Morinës, Kurteshit, Pupovcit dhe tufës së tyre)! Akti i suprimimit të asaj pak autonomie të Kosovës (pa vise) ishte akti i parafundit i shkatërrimit të federatës jugosllave.

   Serbia e ndodhur përballë një Lëvizjeje dhe një populli që nuk po mposhtej me dhunë e terror mbështeti dhe miratoi themelimin e një partie politike legale në Kosovë, e cila do t’i “artikulonte” kërkesat e popullit të pushtuar shqiptar hapur, pa patur as një konsekuencë! Në fakt ishte një transformim i LKK-së dhe Lidhjes Socialiste në një parti,”lidhje demokratike”! Kjo parti, në kohën e shkatërrimit të Jugosllavisë do të kërkonte “republikë në kuadër të federatës jugosllave”!! Ishte po ai tabor që e kishin luftuar me të gjitha fuqitë e shpirtit e të mendjes (edhe me fuqinë e drurit dhe të armëve të pushtuesit!) kërkesën demokratike dhe legjitime të popullit shqiptar për Republikë!… Në kohën që kërkohej shkëputja nga Serbia dhe nga federata që po shembej dhe s’kishte fuqi që mund ta shpëtonte, kjo “lidhja e re” kërkonte “republikë në kuadër të Jugosllavisë federative!!

   Ç ‘është e vërteta, ky “komunitet” kolaboracionistësh kishin kontribute dhe merita të veçanta për persekutimin, arrestimin, torturimin, dëbimin dhe vrasjen e qindra mijëra të rinjve e të rejave të popullit shqiptar! Përpjekjet dhe lufta e tyre, në krah të pushtuesit, kundër kërkesave dhe Lëvizjes Çlirimtare të popullit të pushtuar shqiptar ishte e egër dhe në kufij të çmendurisë (nga dëshpërimi)!! Shkatërrimi i Jugosllavisë për këtë “komunitet” ishte i paimagjinueshëm! Dituritë dhe pamja e tyre nuk shkonin përtej librave të diktatorit Tito, “arkitektit të vetëqeverisjes”, Kardelit, Ivo Andriçit dhe literaturës politike, sociologjike, filozofike dhe historiografie jugosllave! Ishin krijuar dhe ishin formuar për të qenë gjithmonë në anën e pushtuesit! Kosova e lirë dhe e pavarur nga Serbia për ta ishte e pakonceptueshme!

  Kjo ishte gjendja dhe pozita e Kosovēs, menjëherë pas suprimimit të autonomisë (miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Serbisë, shtator 1989). Në fund të vitit 1989 u krijua “lidhja e re” nga “lidhja e vjetër”! Reagimet e saj ishin të vakëta! “Entuziazmi” dhe shpresa e popullit për t’u përballur të bashkuar e në mënyrë tē organizuar me Serbinë pushtuese ishin iluzore! Rrënimi i pozitës kushtetuese të Kosovës, ashtu si vet rrënimi i federatës jugosllave, ishte në fazën e pathyeshmërisë. Koha kërkonte opsione, kërkesa, angazhim dhe organizim për shkëputje nga Jugoserbia. Forca e “re” politike nuk e kishte as program, as përcaktim dhe as angazhim përpjekjen dhe luftën për shkëputje dhe çlirim të plotë nga Serbia dhe federata që po shembej, siç po vepronin republikat tjera! Lutjet e “xhumave” dhe falli në filxhanët e botës nuk po bënin punë. Krijimi i iluzioneve se Kosova do të pavarësohet me lutje, dialog dhe mirëkuptim të Serbisë ishin rrënuese për shpirtin, moralin dhe filozofinë e qëndresës dhe të luftës me të gjitha mjetet e mënyrat në kohën që po shkatërrohej Jugosllavia pushtuese federative…

   Lëvizja Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht, dhe Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, posaçërisht, ishte e goditur nga të gjitha anët! Persekutimi, dhuna, terrori, burgosja dhe vrasja e veprimtarëve dhe drejtuesve të saj ishin permanente, që nga vrasja e themeluesve të saj, Heronjve: Kadri Zeka dhe Vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla. Goditjet që mori shteti ynë nga lëvizja esadiste, e përkrahur fuqishëm nga jug komunistët e Kosovës, ndikoi në dobësimin e pozitave tē LPRK – së dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare… Sidomos LPRK – ja (organizata më e konsoliduar, më luftarake dhe më përfaqësuese e kërkesave dhe e luftës së popullit të pushtuar shqiptar për liri e bashkim kombëtar), ishte në thumb edhe të fushatave politike dhe ideologjike të “lidhjes së re” dhe të berishistëve esadistë në Tiranë! Edhe bota (sidomos Fuqitë e Mëdha) nuk ishin akoma të gatshme t’i pranonin dhe mbështetnin kërkesat dhe përpjekjet e popullit shqiptar, që artikuloheshin dhe përfaqësoheshin nga LPRK -ja (LPK – ja), e cila arriti të mbijetojë dhe ta organizojë Luftën Çlirimtare (UÇK – në) falë shtrirjes së saj në gjithë hapësirën shqiptare dhe gati në gjithë botën, deri në Australi… Faktor tjetër vendimtar për veprimtarinë politike e çlirimtare dhe për fitoren e LPK-së ishte përvetësimi i ideve të saj politike, patriotike dhe çlirimtare, i programit të saj nga masat e gjera të popullit, pa të cilat nuk do të materializoheshin…

   Por, të kthehemi te viti 1990! Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Serbi, de jure dhe de fakto suprimimi i asaj pak autonomie që e kishte fituar Kosova me shumë mund, gjak e sakrifica të bijve të saj, që kishin mbushur burgjet e Jugosllavisë komuniste pushtuese, klasa jugokomuniste-kolaboracioniste e Kosovës ishte dorëzuar dhe nga dëshpërimi po kërkonte si të ri pozicionohej për t’i ruajtur dhe shpëtuar privilegjet që kishte fituar nga pushtuesi duke i shërbyer me besnikëri prej qeni!

   LPRK-ja qëndronte në këmbët e saj, por e pafuqishme për t’u përballur me një front kaq të gjerë (brenda e jashtë) të forcave armike e të forcave reaksionare – kolaboracioniste. Veprimtaria e LPRK-së vështirësohej edhe për faktin se ishte e ndaluar në trojet e pushtuara dhe ndiqej këmba-këmbës, nuk e kishte luksin e “lidhjes së re”, që organizohej, vepronte dhe propagandonte hapur dhe e papenguar nga pushtuesi…!

   LËVIZJA, që bashkonte forcat atdhetare, demokratike e përparimtare, e kishte të qartë se nga po shkonte Kosova dhe se zhvillimet në Jugosllavi, (shembja e saj) ishin të pakthyeshme. Demonstratat antipushtuese të janarit 1990 ishin shtypur me dhunë e terror nga forcat policore dhe ushtarake jugoserbe…

   Kishte shumë ide, mendime e nisma nga veprimtarë patriotë të asaj kohe. Por, ideja dhe nisma e një grupi atdhetarësh nga Peja, që ishin pjesë e LPRK – së (A. Graboci, H. Shala, B. Dreshaj, Xh. Fetahu e shokë tjerë) për pajtimin e ngatërresave e të gjaqeve kishte fituar mbështetjen e Organizatës e të popullit. Për këtë qëllim ishte krijuar edhe Këshilli i Rugovës nga S. Lajçi, Z. Muriqi, Selman Lajçi, Z. Neziri, I. Nikçi, A. Muriqi, etj. Veprimtaria për pajtimin e gjaqeve ishte përmbyllur suksesshëm me Tubimin e madh popullor te Verrat e Llukës, më 1 Maj 1990.

    Për “patriotët e konvertuar” nga komunistë jugosllavë në “demokratë pacifistë” nuk kishte mënyrë dhe rrugë tjetër për të rezistuar dhe për t’u përballur me pushtuesin që synonte ta zhbënte popullin shqiptar në trojet e pushtuara! Përcaktim i tyre jetësor ishte “durimi”, “dialogu”, “mirëkuptimi”, “bashkëpunimi” dhe “nënshtrimi” pa kushte!! Por, ishin veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, përgjithësisht, dhe veprimtarët e drejtuesit e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, posaçërisht, që nuk mjaftoheshin dhe nuk bindeshin që Kosova mund të çlirohet vetëm me rrugë dhe mjete pacifiste, me durim, dialog e lutje!

    Në vitin 1990 ishin liruar nga burgjet e Jugoserbisë shumë veprimtarë e drejtues të Lëvizjes Kombëtare, ndër ta edhe shumë veprimtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, e cila ishte fryt i bashkimit të Organizatave patriotike më 17 Janar 1982. LPRK – ja, e udhëhequr nga idetë kombëtare e çlirimtare për bashkimin e të gjitha forcave kundër okupatorit, kishte udhëzuar anëtarët dhe veprimtarët e saj që të përfshiheshin në lëvizjen legale e legaliste, që u shndërrua në “lidhje demokratike”. LPRK – ja dhe veprimtarët e drejtuesit e saj interesoheshin, me të drejtë, që ajo masë e anëtarëve të thjeshtë të Lidhjes Komuniste të orientoheshin kundër Jugosllavisë pushtuese, duke dhënë kontribut vendimtar edhe në krijimin e degëve e nëndegëve të LDK – së në komuna, fshatra e qytete. Qëllimet e LPRK -së e të burgosurve politikë ishin kombëtare dhe në frymën e krijimit të unitetit politik, kombëtar e veprues për çlirimin e tokave shqiptare nga serbo – maqedono – malazezët. Në programin e LPRK – së ishte sanksionuar përdorimi dhe kombinimi i formave dhe mjeteve ilegale (klandestine) dhe legale (të hapura, të lejuara) për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë…

Të udhëhequr nga ky koncept, shokët e Këshillit të Rugovës ishin takuar më 18 maj në Vitomiricë (në odën e Sali Lajçit) dhe  pasi e kishin menduar dhe diskutuar idenë, ishin pajtuar t’i hynin punës për një kërkesë, në formë peticioni, që do t’i dërgohej Kuvendit të Kosovës (akoma nuk ishte shpërndarë) me kërkesën që Kosova të shpallej e pavarur nga Jugosllavia, të shkëputej prej saj…  Pas dy ditësh, më 20 maj 1990, në Haxhaj të Rugovës mbahej tubimi “Dita e Arsimimit të Rugovës”. Në të përfunduar të tubimit e kishte kërkuar fjalën veprimtari i Lëvizjes, i burgosuri politik, S. Lajçi, i cili kishte paraqitur nismën e një Kërkese që do t’i drejtohej Kuvendit krahinor që ta shpallte Kosovën të pavarur. Kërkesën e shkruar e kishte lexuar Zyrafete Muriqi, e cila kërkoi nga të pranishmit që ta firmosnin (nënshkruanin). Atë ditë, në Haxhaj, Kërkesa (peticioni) ishte firmosur nga të gjithë të pranishmit e moshës madhore (180 të nënshkruar). Dërgimin e kërkesës – peticionit me këto nënshkrime në Prishtinë, në Kuvendin krahinor e kishin marrë përsipër S. Lajçi dhe Z. Muriqi.

  Në Prishtinë ishin takuar edhe me Bacën Adem e me R. Qosjen dhe ishin këshilluar me ta… Pastaj, ishin takuar me R. Avdiun, një nga drejtuesit kryesor të LPRK-së në atë kohë, i cili u kishte dhënë përkrahje dhe ishin marrë vesh që LPRK-ja të organizojë dhe vazhdojë mbledhjen e nënshkrimeve në gjithë Kosovën.

  1. Lajçi dhe Z. Muriqi kishin takuar edhe A. Mikullocin, i cili ishte pak më i zëshëm në Kuvendin e Kosovës. Pasi i kishin treguar për peticionin kishin hyrë dhe ia kishin dorëzuar administratës së Kuvendit. Letërnjoftimi dhe të dhënat personale kishin qenë të Z. Muriqit (sipas procedurës). A. Mikulloci u kishte thënë që një kopje të peticionit ta dërgonin në Kuvend me postë, sepse këta mund ta fshihnin peticionin dhe të mos ia paraqisnin Kuvendit. Kështu edhe kishin vepruar.

Me t’u kthyer në Pejë, S. Lajçi dhe Z. Muriqi me shokë tjerë të Lëvizjes, të persekutuar e të burgosur për idetë dhe veprimtarinë e tyre patriotike, ishin takuar edhe me një grup shokësh e veprimtarësh në Pejë (Këshilli i LPRK – së me A. Grabocin, B. Dreshajn, Xh. Fetahajn, etj.) dhe i kishin njoftuar me nismën e tyre, me Kërkesën që kishin dorëzuar në Kuvendin krahinor dhe për takimet që kishin pasur me Simbolin e Qëndresës Shqiptare, Bacë Ademin, me Akademik R. Qosjen e me R. Avdiun, një nga drejtuesit kryesor të LPRK – së.

   Me vullnet dhe mobilizim të të gjithë veprimtarëve të Lëvizjes e të rinisë shqiptare, deri në fund të majit, ishin mbledhur rreth 400 000 nënshkrime. Për ta ruajtur origjinalin e peticionit të nënshkruar nga 400 000 shqiptarë, S. Lajçi dhe Z. Muriqi e kishin dërguar në shoqatën “Migjeni”, në Slloveni, ku ishin pritur nga Ukshin Hoti, me të cilin kishin biseduar gjerë e gjatë për peticionin, për rrethanat e krijuara në Kosovën shqiptare dhe për dhunën, terrorin e represionin që po ushtronte pushtuesi ndaj popullit shqiptar. Ukshin Hoti u kishte premtuar se Peticionin do ta dërgonte në Gjenevë (në selinë e OKB – së) përmes G. Elshanit që ishte në Zvicër (një nga drejtuesit kryesor të Degës së LPRK – së jashtë vendit).

   Ky organizim, mobilizim dhe presion i popullit që Kuvendi ta Shpallte Kosovën të pavarur pati ndikim edhe te Akademia e “fjetur” e Shkencave dhe e Arteve, e cila më 14 qershor 1990 bëri një Deklaratë me kërkesë që Kuvendi i Kosovës (sa ishte!) ta shpallte Kosovën të pavarur. Vetëm “lidhja e re” nuk po bëhej e gjallë! Nismëtarët e kërkesës për ta shpallur Kosovën të pavarur nga Jugosllavia e kishin njoftuar edhe kreun e LDK – së përmes gazetarit B. Kelmendi, por nuk morën përkrahje! Kreu dhe fundi i saj heshtën si mumjet në ato ditë dramatike për Kosovën, siç do të “heshtnin” edhe gjatë Luftës Çlirimtare, duke mbetur në anën e gabuar të historisë!

    Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e bashkuar kryesisht në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës, e kishte kuptuar në kohën e duhur se Jugosllavia po shembej, prandaj kërkonte nga Kuvendi krahinor që një orë e më parë ta shpallte Kosovën të pavarur, ta shkëpuste (de jure) Kosovën nga Jugosllavia pushtuese. Por, koha tregoi se Kuvendi që ishte zgjedhur e stërzgjedhur nga aparati shtetëror pushtues nuk pati forcë ta shpallte Kosovën të pavarur!! Më 25 qershor 1990 (nëse jam i saktë në datë) populli shqiptar i Kosovës kishte pritur nga Kuvendi krahinor AKTIN e shpalljes së pavarësisë, por delegatët e Kuvendit krahinor, të atij Kuvendi që kishte votuar “pro” ndryshimeve kushtetuese, (delegatët shqiptarë) nuk i kishin përmbushur pritjet dhe vullnetin e popullit të tyre!! Kjo përbërje e Kuvendit krahinor (shumica shqiptarë) në vend të Shpalljes së Pavarësisë në Kuvend bën një deklaratë jashtë Kuvendit (në rrugë!)!! Kaq ishte puna e tyre! Kur e pyetën Akademik R. Qosjen, çka pas 2 korrikut, u përgjigj: “Pas të dielës vjen e hëna…”.

    Më vonë kjo deklaratë e lexuar jashtë Kuvendit krahinor, që nuk prodhoi as një efekt juridik, u përvetësua nga LDK – ja dhe u promovua si “akt i shpalljes së pavarësisë”!! Kjo deklaratë, kryesisht e karakterit politik e më shumë justifikues, deri vonë, edhe pas Luftës, ishte “flamur” i LDK – së. Viteve të fundit kjo deklaratë po promovohet edhe nga partitë tjera, të ldkizuara, si “themeli i shtetit të Kosovës”, si “republika e parë”, etj..

    Por, e vërteta është se nisma e Këshillit të Rugovës, Kërkesa (peticioni) i Lëvizjes dhe i popullit shqiptar ishte KËRKESË që Kuvendi krahinor ta shpallte Kosovën të Pavarur nga Jugosllavia pushtuese e jo kërkesë që disa delegatë të bënin një deklaratë politike jashtë Kuvendit (në rrugë). Kjo kërkesë nuk ishte përmbushur nga Kuvendi krahinor i asaj kohe dhe nga delegatët e tij!!

    Për ta përmbushur vullnetin e popullit të pushtuar shqiptar për liri e bashkim kombëtar Lëvizja Popullore e Kosovës, pas një veprimtarie kombëtare, politike e çlirimtare shumëvjeçare themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila fitoi përkrahjen e mbarë kombit dhe të botës Perëndimore. Porosia e të parëve tanë: “SHPRESA JONË NË GRYKË TË PUSHKËS” u jetësua nga Lëvizja Popullore e Kosovës dhe nga bijtë e bijat më të mira të kombit, që ranë në fushën e nderit për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë. Shpresë, siguri dhe garanci e gjithë veprimtarisë kombëtare e çlirimtare në trojet e pushtuara ishte dhe është e do të jetë shteti ynë AMË, Atdheu ynë i vetëm, Nëna jonë SHQIPËRI.

          Nderim e Lavdi të rënëve për liri e bashkim kombëtar! Nderim për secilin shqiptar që ishte, është e do të jetë në anën e duhur të historisë!

Prishtinë, më 15 korrik 2025

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj

Ramiz Tafilaj: Kosova nuk mund të mbetet peng i një partie politike, është koha për përgjegjësi shtetërore

Kosova gjendet në një situatë kritike. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kuvendi i Republikës së …