Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se SBASHK nuk do të qëndrojë në heshtje përballë vakumit institucional dhe mungesës së vullnetit për dialog nga ana e Qeverisë. Në një konferencë për media, ai tha se Kongresi i 9-të i jashtëzakonshëm, i mbajtur online, ka shërbyer për të ngritur zërin mbi problemet që përballen punëtorët e arsimit. Jasharaj paralajmëroi se nëse situata nuk ndryshon deri në shtator, SBASHK nuk përjashton mundësinë e protestave apo edhe grevës së përgjithshme. Ai përmendi si çështje të veçantë mosgatishmërinë e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për të nënshkruar kontratën kolektive, e cila, sipas tij, është dorëzuar që nga viti i kaluar. “Është bërë një vlerësim katërvjeçar dhe rezulton se këto kanë qenë vitet më të vështira për arsimin. Qeveria Kurti nuk ka qenë e gatshme për dialog. SBASHK i ka mbijetuar sulmeve, por kërkesat kanë mbetur të parealizuara”, u shpreh Jasharaj. Ai shtoi se në mungesë të institucioneve funksionale dhe adresave të qarta për t’u drejtuar, shtatori mund të sjellë tensione të mëdha për arsimin në vend.
