leoni

Arjeta Abazi kritikon Vetëvendosjen: Pushtetin po e trajton si pronë private, Kuvendi është kthyer në teatër të stërzgjatur

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arjeta Abazi, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për, siç tha ajo, bllokimin e vazhdueshëm të punës së Kuvendit të Kosovës dhe trajtimin e pushtetit si pronë personale. Në fjalën e saj në foltoren e Kuvendit, pas dështimit të 49-të për konstituim të institucioneve, Abazi tha se ky institucion i rëndësishëm është shndërruar në një “teatër të stërzgjatur”, ku aktorët politikë vënë interesat partiake mbi nevojat e qytetarëve. “Seanca pas seance dhe ende s’po arrijmë të ecim përpara. Kuvendi është kthyer në teatër të stërzgjatur, ku aktorët kryesorë janë më shumë të interesuar për skenën sesa për skenarin,” u shpreh ajo. Deputetja e LDK-së theksoi se situata aktuale nuk është rezultat i ndonjë krize të jashtëzakonshme, por rrjedhojë e një sjelljeje të papërgjegjshme nga ana e partisë në pushtet. “Një parti për 20 vjet që luftoi për të ardhur në pushtet, e sot, në vend se ta përdorë për të ndërtuar, po e shkatërron për shkak të kokëfortësisë dhe arrogancës,” tha Abazi, duke aluduar në Vetëvendosjen. Në fund të fjalës së saj, ajo kërkoi një kthesë serioze në qasjen politike dhe u bëri thirrje partive të veprojnë për krijimin e institucioneve funksionale dhe një qeveri që jep llogari, duke nënvizuar se qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë sesa krizë të përhershme politike.

Kontrolloni gjithashtu

Bekë Berisha në garë për Prishtinën: Premton siguri për fëmijët, zgjidhje të shpejtë për mbeturinat dhe “tunel nëntokësor” për trafik

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka shpalosur arsyet e kandidimit dhe …