Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si konfirmim se gjendja aktuale në vend paraqet rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Haradinaj kujtoi se AAK kishte ngritur shqetësime të ngjashme edhe më herët, kur i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesë për shqiptime të masës së përkohshme, por që ajo nuk ishte pranuar në atë kohë. “Sot Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK. Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend”, tha Haradinaj. Ai shtoi se ekziston frika reale se ndërhyrja e vonuar e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që do të ishin shmangur në kohë sikur të ishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur AAK kishte paraqitur kërkesën.
