Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, ka deklaruar se për protestën e sotme në Prishtinë, e cila synon kundërshtimin e padrejtësive ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, është mobilizim i gjerë jo vetëm brenda Kosovës, por edhe nga shqiptarët në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Hasani theksoi se kjo protestë nuk është një iniciativë e njëanshme apo vetëm e një subjekti politik. Ai vlerësoi angazhimin e gjerë shoqëror dhe politik në përkrahje të kësaj kauze. “Po e shoh që Shqipëria është shumë e angazhuar në këtë drejtim, po ashtu edhe shqiptarët në Maqedoni. Drejtuesit politikë atje janë të angazhuar. Edhe këtu ka mjaft përfaqësues nga Aleanca dhe LDK-ja që e përfaqësojnë këtë çështje në takime me diplomatë të ndryshëm, për mbrojtjen e luftës dhe kundërshtimin e padrejtësive që po ndodhin,” ka deklaruar Hasani. Ai shtoi se protesta e sotme përfaqëson një moment uniteti gjithëkombëtar për të kërkuar drejtësi për ata që luftuan për lirinë e Kosovës, ndërsa paralajmëroi për vazhdimin e përpjekjeve në arenën ndërkombëtare për të ndalur, siç e cilësoi ai, tentativat për kriminalizimin e luftës çlirimtare.
