Ali Ahmeti në protestë: Lufta e UÇK-së ishte vetëm çlirimtare, jo tradhtare e as terroriste

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mori pjesë në protestën e organizuar më 7 gusht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Prishtinë, ku mbajti edhe një fjalim para të pranishmëve. Në deklaratën e tij, Ahmeti theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, duke shtuar se ajo kurrë nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë fëmijë apo pleq, dhe nuk ka qenë kundër asnjë populli në Kosovë. “Shqiptarët nga të gjitha anët – nga Struga, Gostivari, Shkupi, Kumanova – vërshuan rrugët për të marrë pjesë në këtë protestë për drejtësi. Sot jemi këtu si një trup i vetëm, sepse na është rrezikuar nderi dhe dinjiteti. Kërkojmë liri për çlirimtarët që po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale,” u shpreh Ahmeti. Ai rikujtoi se që nga viti 1994, UÇK-ja ka vepruar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe Konventën e Gjenevës, duke respektuar normat e luftës. “Lufta e UÇK-së ishte vetëm dhe vetëm çlirimtare. Ajo nuk ishte luftë tradhtare, as terroriste. UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj sollën ndryshime pozitive gjeostrategjike, duke sjellë Perëndimin, Amerikën dhe Evropën në Ballkan,” deklaroi Ahmeti.

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Gucati: Protesta e sotme është rikthim i frymës së viteve ’90-ta kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se protesta …