Heqja e tarifës 10% ndaj mallrave amerikane – sinjal për intensifikimin e investimeve nga SHBA

Heqja e tarifës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vlerësuar nga njohës të ekonomisë si një hap pozitiv për tërheqjen e investimeve amerikane në Kosovë. Ekspertja e tregtisë ndërkombëtare, Sytrime Dervisholli, thotë se ky vendim duhet të pasohet me riaktivizimin e iniciativës për themelimin e një zone të veçantë ekonomike për bizneset amerikane – një sinjal i qartë për qeverinë dhe investitorët amerikanë. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kujton se studimi i fizibilitetit për këtë zonë është kryer që në vitin 2018, por nuk ka pasur veprime konkrete nga qeveritë pasuese. Sipas tij, një zonë e tillë do të përfitonte nga lehtësirat fiskale dhe do të mundësonte zhvendosjen e kapaciteteve prodhuese të bizneseve amerikane në Kosovë. Drejtori i Institutit GAP, Blendi Hasaj, thekson se ky hap mund të ndikojë në ristrukturimin e zinxhirit të furnizimit në rajon, duke i shtyrë tregtarët të importojnë drejtpërdrejt nga SHBA-ja, në varësi të kostove. Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Prishtinë ka theksuar se SHBA-ja sheh potencial bashkëpunimi me Kosovën në fusha si energjia, mbrojtja, infrastruktura dhe teknologjia e informacionit.Sipas KIESA-s, gjatë vitit 2024, investimet amerikane në Kosovë arritën në rreth 87 milionë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Tri ditë para zgjedhjeve, partitë intensifikojnë fushatën me tubime në mbarë Kosovën

Me vetëm tri ditë të mbetura deri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, partitë politike …