Artikulli i vjetër i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i shkruar bashkë me akademiken maqedonase Jana Arsovska, ka marrë jehonë të madhe në mediat serbe, ku është shfrytëzuar për propagandë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tabloidet pranë presidentit serb Aleksandar Vuçiq, si “Novosti”, “Alo” dhe “B92”, kanë publikuar në ballina artikullin, duke e paraqitur si dëshmi se UÇK-ja është krijuar me para të drogës, në të njëjtën linjë me akuzat e Prokurorisë serbe. Televizioni “Pink”, i lidhur ngushtë me partinë në pushtet në Beograd, ka transmetuar artikullin duke theksuar se “Dimal Basha pranoi atë që thonë autoritetet serbe”. Përmes titujsh festivë, këto media e kanë quajtur Bashën “politikanin e Albin Kurtit që flet si prokuroria e Serbisë”. Ky reagim tregon mënyrën se si propaganda serbe po e shfrytëzon punimin akademik të vitit 2012 për të njollosur luftën e UÇK-së dhe për të legjitimuar narrativën zyrtare të Beogradit kundër saj.
