Me rastin e pensionimit të drejtorit të Shkollës Fillore “Safet Rexhepi” në Zhiti, Musa Osmani, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar së bashku me zyrtar të Drejtorisë së Arsimit dhe kolektivin e shkollës, në shtëpinë e tij dhe e ka nderuar atë me një mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Haliti ka vlerësuar lart punën shumëvjeçare të Osmanit, duke theksuar se përkushtimi dhe angazhimi i tij në fushën e arsimit ka lënë gjurmë të rëndësishme në edukimin e brezave të rinj. Ai u shpreh se respekti për mësuesit dhe udhëheqësit e shkollave është respekt për të ardhmen e fëmijëve dhe për zhvillimin e shoqërisë.
Drejtori i pensionuar, Musa Osmani, u falënderua për nderimin dhe mbështetjen që ka marrë gjatë gjithë periudhës së punës së tij, duke u shprehur krenar që ka pasur mundësinë të kontribuojë në edukimin e gjeneratave të nxënësve në Zhiti dhe më gjerë.
Në fund, kryetari Haliti i uroi atij shëndet në këtë etapë të re të jetës, duke ritheksuar se mirënjohja për punën e tij mbetet gjithmonë e gjallë në kujtesën institucionale dhe shoqërore.