Posta e Kosovës nderon atdhetarët - Musa Shehzaden dhe Metush Krasniqin

Posta e Kosovës nderon atdhetarët – Musa Shehzaden dhe Metush Krasniqin

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare “Personalitete – Musa Shehzade dhe Metush Krasniqi”. Dy kohë, një qëllim – Lirinë e Atdheut.

Ky emision i pullave postare nderon dy figura që zënë vend të veçantë në historinë shqiptare, të cilët edhe pse vepruan në kohëra të ndryshme, kontribuuan për të njëjtin qëllim, lirinë e vendit dhe respektimin e të drejtave të popullit shqiptar.

Musa Shehzade (1870–1945) ka lënë gjurmë të thella në jetën politike, ushtarake dhe shoqërore të kohës së tij. Në vitin 1941, Musa Shehzade u emërua prefekti i parë i Prizrenit. Ai ishte kryetar i parë i Kuvendit Themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, më 16 shtator 1943. Si themelues dhe drejtues i saj, ai pati një rol vendimtar në organizimin politik dhe ushtarak për mbrojtjen e të drejtave shqiptare.

Metush Krasniqi (1928–1986) ishte një veprimtar i paepur i çështjes kombëtare shqiptare dhe pjesëmarrës aktiv në politikën ilegale në Kosovë nga vitet ’50 deri në vdekjen e tij. Ai u burgos pesë herë për veprimtarinë e tij patriotike. Aktiviteti i tij u intensifikua pas vitit 1957, kur ai luajti rol kyç në organizime ilegale, duke i mobilizuar shqiptarët për të drejtat e tyre. Në vitet ’70 u zhvendos në Prishtinë, ku vazhdoi përpjekjet për sensibilizimin politik dhe organizimin e të rinjve.

Kontributi i Musa Shehzades dhe Metush Krasniqit mbetet një thesar i çmuar për brezat që vijnë. Veprimtaria e tyre patriotike, guximi dhe vendosmëria për të mbrojtur interesat kombëtare i bëjnë ata burime frymëzimi dhe krenarie për mbarë kombin shqiptar.

Emisioni përbëhet nga dy pulla postare dhe Zarfi i Ditës së Parë (ZDP), ndërkaq në qarkullim postar do të jetë deri në konsumim të plotë.

Posta e Kosovës fton koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që të pasurojnë koleksionet e tyre me këto pulla postare, të cilat përtej vlerës filatelike mbeten trashëgimi kombëtare dhe burim frymëzimi për brezat që vijnë.

Kontrolloni gjithashtu

Rashit Qalaj: Lamtumirë baca Adem!

Lamtumirë baca Adem! Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të bacës …