Rrustem Mustafa paralajmëron për rrezik nga refuzimi i projekteve amerikane

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka ngritur një shqetësim serioz mbi mënyrën se si qeveria në detyrë ka trajtuar disa projekte strategjike të propozuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat lidhen me forcimin e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë. Këto projekte, të cilat sipas tij janë thelbësore për stabilitetin institucional dhe për rrugën euroatlantike të Kosovës, nuk janë pranuar nga ekzekutivi. Mustafa vlerësoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka komunikuar në mënyrën më të mirë me aleatët amerikanë, duke rrezikuar kështu marrëdhëniet strategjike me partnerin kryesor të vendit. Ai shtoi se një projekt i rëndësishëm i hartuar nga partnerët amerikanë, të cilin e kishte përcjellë në Zyrën e Kryeministrit para tri vitesh, kishte synim ndërtimin e një mekanizmi të fortë për drejtësi dhe siguri – një model sipas tij edhe më i avancuar se SPAK-u në Shqipëri. Mirëpo, mungesa e dakordësimit politik bëri që ky projekt të mbetet i bllokuar. Mustafa theksoi se këto projekte nuk janë ide që mund të braktisen lehtësisht: “Mekanizmat për të cilët po flas nuk tërhiqen nga Kosova, ata janë këtu për të na mësuar ta kuptojmë idenë, edhe nëse nuk e kuptojmë tash.” Sipas tij, mungesa e komunikimit të hapur dhe të sinqertë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-në, rrezikon të frenojë jo vetëm ndërtimin e institucioneve të forta, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit.

KosovaPress ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit për të marrë një përgjigje mbi pretendimet e Mustafës, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë ndonjë reagim zyrtar.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dita Ndërkombëtare e Paqes, Kukësi simbol i mikpritjes dhe solidaritetit

Dje, mbarë bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Paqes, një rast për të reflektuar mbi rëndësinë …