leoni

(Sabile Keçmezi Basha: “LETRAT PËR MARTINËN. Një biografi romanore për babin tim”, roman, 2024)

Prend Buzhala: BIOGRAFEMË ROMANORE EPISTOLARE PËR NJË PERSONAZH IDEALIST

(Sabile Keçmezi Basha: “LETRAT PËR MARTINËN. Një biografi romanore për babin tim”, roman, 2024)

Sabile Keçmezi Basha, e njohur si studiuese e dijeve historike, vazhdimisht e ka sprovuar penën e saj edhe në fushën e letërsisë, si poete, dramaturge dhe si romansiere. Kësaj radhe, vjen me romanin e saj të dytë “Letrat Për Martinën”. Është ndër veprat e rralla që përdor trajtën epsitolare në letrat shqipe. Dihet se romani epistolar përdor procedimin letrar të letrave që shkëmbehen mes personazheve të ndryshëm. Mirëpo, ndryshe nga letërkëmbimet, kësaj radhe është babai ai që i shkruan letra së bijës, Martinës.

Pothuajse, i tërë romani zhvillohet në dy krahë rrëfimesh: në njërën anë, tekstet narrative në fillim dhe në fund rrëfehen nga Martina, ndërsa dyzetepesë letra i shkruan e i rrëfen prindi, drejtuar vajzës së tij, me rrëfim-përjetimet që i bën vajza. Megjithatë, në roman shfaqet një rrëfim shumëplanësh përmes letrave dhe të reflektimeve të vajzës në të kaluarën dhe të tashmen. Procedimi i tillë rrëfimor, ngjarjet dhe përjetimet shihen nga këndvështrime të ndryshme dhe në nivele të ndryshme kohore. Në këtë rast, kur vajza lexon letrat e babait të saj dhe reflekton mbi ato, përdoret një strukturë që alternon mes dy përmasave: të kaluarës dhe të tashmes, kur ajo është më e rritur dhe i lexon ato letra. Kësisoj, autorja Basha, për të krijuar një efekt narrativ shumëplanësh, përdor dy nivele të kohës dhe të perspektivës narrative: është vajza që lexon letrat (me përjetimet e pashprehura dhe reflektimi në të tashmen) dhe reflektimi mbi të kaluarën që e rrëfejnë letrat. Kund e kund, shfaqen edhe përmbysje të perspektivës dhe ndryshimit të lidhjes mes Vajzës dhe Babait, përmes përvojës së saj dhe e kujtimeve që ajo ka nga disa periudha kohore.

  1. Letra si akt personal

Ndryshe nga letërkëmbimet që përfaqësojnë zëra të të ndryshëm narrativë, këtu kemi dy zëra të dy protagonistëve. Letrat shkruhen në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, pa ndërlikime procedimesh letrare, që paraqesin situatat e përjetuara, ndjeshmërinë dhe rreziqet e kohës së përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ato ngërthejnë mesazhe kuptimplote e të thella për jetën, familjen, si dhe për guximin në kohë të errëta. Sigurisht që letrat përfshijnë detaje personal, të brendshme. Rrëfimi epistolar, nga ana tjetër, i thyen kornizat e një rrëfimi tradicional. Kësisoj, zhvillohet një frymë autentike e rrëfimit të ngjarjeve, një përmasë më objektive e këndvështrimit të tyre. Letrat thurin tensionet e misteret e fatit. Romani i tillë, epistolar, ngërthen dilema jetësore, etike, filozofike dhe ekzistenciale, që shfaqen më lehtë përmes një letre, pasi kjo është një trajtë më e personalizuar.

Në tekstin e fillimit të romanit, me titull “Amaneti i babait”, shfaqet një pasqyrë e thellë e lidhjeve ndërmjet brezave dhe pasojave që ndodhin për shkak të marrëdhënieve komplekse familjare. Ky amanet i babait, që fillimisht duket si një historik i thjeshtë i vendosjes së një emri, është një portret shumë më i thellë i dashurisë, forcës dhe mbrojtjes që ai kërkonte të ofronte për fëmijën e tij. Në këtë rrëfim, ndodhin dy ngjarje që e përcaktojnë të ardhmen e personazhit. E para është lindja e saj, Martinës, e cila, megjithëse e dashur, krijon tension të fshehur mes babait dhe gjyshes, një tension, që, ndonëse i vogël, ka pasoja që mbeten në kujtesën familjare. Rrëfimi i gjyshes është një moment për ta kuptuar thellësinë e trashëgimisë emocionale që kalon nga brezi në brez. Historia e saj tregon dy përpjekje për të mbajtur një harmoni të brendshme, të cilat janë të ndërthurura me dhimbje dhe sfida të së kaluarës.

Emri Martinë është simbol i forcës dhe mbrojtjes. Ky emër përfaqëson dëshirën e babait për ta siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijën e tij, një emër që lidhet me armët dhe mbrojtjen. Është një alegori që mund të shihet si përpjekje për t’i ruajtur dhe mbrojtur ata që i duam nga të gjitha rreziqet që vijnë me jetën. Arma për babanë është simbol i fuqisë dhe mbrojtjes, dhe jo thjesht një vegël lufte; është një mjet për ta mbrojtur atë që është më e shenjta,

familjen. Si pasojë, arma bëhet simbol i përkushtimit dhe dashurisë, jo i dhunës, dhe kjo është një mbrojtje e heshtur që babai ka për familjen e tij. Për babanë armët dhe emri Martina janë të lidhura ngushtësisht, një mënyrë për të krijuar lidhje të thellë dhe të papërshkrueshme me fëmijën, duke i ofruar siguri dhe mbrojtje. Babai, i cili është i qetë, i sjellshëm dhe i dashur, ka një lidhje të thellë me armët, që është e papritur për fëmijën, që e ka njohur atë si një njeri paqësor. Historitë e vjetra dhe përvoja e të parëve janë ndërtuar mbi sigurimin dhe mbrojtjen e atyre që vijnë pas.

Dhurata e mbajtur në një arkë simbolizon pasurinë e kujtimeve dhe historisë që janë të fshehura në objekte dhe trashëgimi. Misteri i asaj dhurate dhe mundësia e zbërthimit të saj pas shumë viteve, krijon një tension emocionues, i cili është i mbushur me pyetje dhe pasiguri. Gjyshja ka një rol të rëndësishëm si rrëfimtare e kujtimeve dhe lidhjes me të kaluarën, ndërsa babai është figura që lidh të kaluarën me të ardhmen përmes dëshirave për emrin e vajzës. Protagonistja është ajo që përjeton këtë tension të gjeneratave, që shkrin të kaluarën dhe të tashmen në një histori të përbashkët.

Në nivel idesh, shqyrtohen konceptet e trashëgimisë, përplasjeve mes dëshirave dhe besimeve të ndryshme, si dhe rëndësia e emrit si simbol lidhës i identitetit dhe historisë familjare. Konflikti për emrin Martinë kundruall emrit të gjyshes, është reflektim i tensioneve ndërmjet ruajtjes së traditës dhe dëshirës për rinovim dhe ndryshim. Dhurata e misterioze dhe letrat që janë të lidhura me fjalët e babait të saj, përbëjnë një simbol të trashëgimisë dhe pasioneve të fshehura që nuk janë zbuluar ende. Fjalët e babait bartin një të kaluar të dhimbshme të shndërruara në diçka të fshehtë. Pjesa që flet për letrat e tij dhe periudhën në burg, është e fuqishme dhe paraqet ndjesinë e thellë të izolimit, si dhe rëndësinë e kujtimeve dhe fjalëve të tij për protagonisten.

Nënvizohet edhe tensioni mes historisë personale dhe një historie më të gjerë politike, ku protagonistja përpiqet ta kuptojë dhe të ndërtojë identitetin e saj në një botë që nuk i përket. Ata që e rrethojnë protagonisten – xhaxhallarët, mësuesit dhe gardianët – përfaqësojnë një sistem që e ngarkon atë me dyshime dhe sfida, dhe e vendos atë në një pozicion ku duhet të bëjë zgjedhje për ta ruajtur identitetin e saj dhe për t’u përballur me të kaluarën e saj.

Letërkëmbimi i babait, si një formë e fshehur komunikimi, bëhet simbol i dashurisë dhe sakrificës, ku çdo letër është një mundësi për ta kuptuar më shumë për atë që ai ka përjetuar dhe për atë që ai ka dashur t’i përcjellë vajzës së tij.

Romani është një rrëfim për vuajtjen dhe shpëtimin përmes kujtimeve, për të kaluarën që nuk mund të harrohet dhe për pasojat e lidhjeve familjare, të cilat mbeten të pashkëputura, pavarësisht distancës fizike dhe kohës që ka kaluar. Figura e babait është shumë e rëndësishme për protagonisten, pasi ai është një njeri që ka kaluar vite të tëra në burg dhe ka kaluar nëpër shumë mundime. Ai ka lënë një trashëgimi të fortë përmes letrave që i ka shkruar dhe që janë një mënyrë komunikimi mes tij dhe vajzës së tij, një lidhje që e ka ruajtur edhe përmes vështirësive të mëdha. Babai shërben si simbol i mundësive të sakrificës dhe dashurisë së pashuar.

Xhaxhallarët. mësuesi nga Vraja janë  figura që përfaqëson autoritetin dhe ndikimin e jashtëm në jetën e protagonistes. Mësuesi përpiqet ta edukojë Martinën në një histori që nuk është e saj dhe e fton atë të mësojë një gjuhë që ajo nuk e kupton dhe një histori që nuk e lidh me identitetin e saj. Ai është simbol i presionit të jashtëm dhe i ndikimit të sistemit në jetën e protagonistes. Gardianët e burgut janë simbol i dhunës dhe pengesave që babai përjeton gjatë qëndrimit të tij në burg. Ata përfaqësojnë sistemin dhe strukturat e dhunës, janë figura që ndihmojnë të krijojnë një atmosferë të errët dhe të mbyllur.

Protagonistja përjeton tronditje shpirtërore, kur merr dhuratën misterioze me shkrimet që përmbajnë një sekret të fshehur. Ky moment është shumë i rëndësishëm, pasi ai krijon një lidhje të fortë emocionale me të kaluarën dhe me babanë e saj. Letrat bëhen një lidhje e fortë mes dy realiteteve: asaj të mbyllur dhe të ndarë që babai ka përjetuar dhe asaj të protagonistes që kërkon të kuptojë më shumë për të kaluarën e tij. Këto letra janë simbol i dashurisë së fshehur, i sakrificës dhe i mundësive të komunikimit përmes distancave të mëdha që ndajnë ata. Misteri i të kaluarës dhe lidhja me të tashmen është një nga motivet kryesore, ku protagonistja përpiqet t’i kuptojë dhe t’i zbërthejë sekretet e së kaluarës, veçanërisht ato që lidhen me babanë e saj. Ajo që përshkruhet, është një dashuri që nuk mund të shuhet, përpjekje dhe sakrifica që mbeten të pashuara edhe në mes të vuajtjeve dhe torturave.

  1. Letrat, testament dashurie i prindit për të bijën dhe dëshmi e një periudhe të errët

Pushtimi dhe dhuna që ushtron pushteti i huaj, ushtarët dhe milicët, janë pasqyrë e mundimeve e vuajtjeve të popullit. Pushtuesit kërkojnë gjithçka që ka populli, dhe kjo sjell një dhimbje të thellë që nuk mund të shlyhet lehtë. Të dhënat rreth vdekjes së nënës dhe ndikimi i saj në babanë e protagonistes, e theksojnë thellësinë e dhimbjes që ka përjetuar. Gjyshja është figurë mbrojtëse, është përfaqësuesja e një gjenerate që ka kaluar përmes shumë sfidash dhe që e di se si të mbijetojë përmes sakrificave të mëdha.

Liri është figurë që simbolizon guximin dhe refuzimin ndaj pushtetit të dhunshëm. Ai, duke u kthyer nga burgu, është simbol i një lufte të heshtur dhe të brendshme, bëhet një frymëzim për të tjerët, duke i nxitur të mos nënshtrohen dhe të qëndrojnë të bashkuar. Fjalët e tij janë thirrje për liri dhe rezistencë ndaj pushtuesve. Dhimbja është një gjendje e vazhdueshme, që kalon nga brezi në brez, duke lënë shenja të thella në shpirtin e secilit. Ajo që mbahet mend më shumë nga tekstet e fillimit romanor, është mesazhi i unitetit dhe qëndresës. Edhe në errësirën më të thellë, ka mundësi për shpresë dhe një forcë që buron nga bashkëpunimi dhe solidariteti. Liria është diçka që vjen përmes sakrificës dhe guximit për t’u ngritur kundër padrejtësisë.

Në tekstin “Letrat për Martinën”, personazhja ka një ndjenjë të fortë frike dhe pasigurie kur përgatitet të lexojë letrat e babait. Kur fillon të lexojë, e kupton se letrat janë pasqyrë e një jete të mbushur me vuajtje dhe mundime, që ka mbetur e fshehur për shumë kohë. Babai ka mbajtur në heshtje dhimbjen e tij, ndoshta për të mos e ngarkuar më tej fëmijën e tij, ose sepse ka dashur t’i mbrojë ata nga tmerri i të kaluarës. Megjithatë, këto letra janë testament i një periudhe të errët, që flasin me një dhimbje të thellë.

Babai ka mundur të kalojë përmes vuajtjeve të mëdha, por ka zgjedhur të mos i tregojë ato për të mbrojtur ata që i do. Kjo është një kujtesë e fortë për mundësinë që njerëzit të bartin brenda tyre “historinë e fshehur”, të cilën askush nuk e di deri në momentin e zbulimit të saj. Zbulimi i të vërtetës është moment kthese, ku të gjithë ato që janë të fshehura, kanë qenë të pa thëna dhe të padukshme, bëhen të dukshme. Kjo është një sfidë e madhe për çdo njeri që ndeshet me të kaluarën sekrete, pasi ndryshon të gjithë perceptimin që ka pasur deri më tani për familjen dhe për historinë personale.

Tashmë romani kalon në një nyje tjetër kompozicionale: në shpalosjen e letrave që nis me letrën e parë – rrugën për në Tivar. Prindi shkruan për një periudhë të errët historike, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Babai është i burgosur dhe e ndjen ngrohtësinë e vajzës së tij, edhe pse ajo ende nuk ka lindur, ndërsa ai është larg saj. Është një betejë e paepur, ku ai ka sakrifikuar gjithçka për të qëndruar besnik ndaj popullit të tij dhe idealeve të tij, duke luftuar kundër pushtimit dhe diktaturës. Përshkruan me detaje tmerrin e luftës, mundimet e pasluftës dhe vdekjen që ka mbushur çdo cep të vendit, me  një skenë të tmerrshme në brigjet e Tivarit, ku gjaku dhe deti përzihen në një peizazh tragjik. Letrat e tij janë një testament i forcës dhe qëndresës, por gjithashtu një thirrje për Martinën të jetë e guximshme dhe të mos lejojë që frika dhe dhimbja ta pushtojnë jetën e saj.

Nga letra në letër shpalosen bëma e ngjarje: arrestimet e grupit ilegal, hetuesia dhe alivanosja, brinjët e thyer nga dhuna, personazhi i Bardhit dhe vdekja e tij në tortura, dënimet në burg, udbashët, puna në bibliotekë e në sharrë, grindja me një serb, Hansi, vitet e burgut të babait, lirimi i tij e deri te lindja e Martinës. Paraqiten aksioni i armëve i viteve ‘50, shkollimi i Martinës, arrestimi i dytë i babait, takimi në burg, si dhe tekstet rrëfyese jashtë letrave kah fundi i romanit. Formimi i grupit ilegal jashtë vendit, shfaqet si lëvizje idealiste e luftës kundër pushtuesve dhe të mbrojë identitetin e popullit të tij. Kur arrin në tokën e huaj, ai e kupton se ishte tradhtuar dhe se misioni i tij ishte shumë më i tmerrshëm nga sa mendonte. Gjithçka është e pasigurt dhe mbushur me frikë dhe mëdyshje. Rrëfen për një grup të fshehtë, një organizatë ilegale që do të mund t’i bashkonte njerëzit që ndodheshin aty dhe të luftonin në heshtje kundër pushtuesve; ky akt nënkupton një luftë të gjatë dhe të vështirë, të mbushur me sakrifica, por gjithashtu është një akt për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit të popullit.

Letra ka pjesë emocionale, kur babai i drejtohet bijës së tij, Martinës, duke e udhëzuar që, edhe kur ka vuajtur dhe ka kaluar kaq shumë dhimbje, ajo duhet ta mbajë shpresën dhe ta mbrojë dinjitetin e popullit të saj. Përzgjedhja e emrit të grupit “Për liri të atdheut” nuk është vetëm një emër, por një thirrje për veprim dhe simbol i qëllimeve të larta. “Çfarë kërkonim ne, bijtë e shqipes, në atë cep të botës?” është një pyetje dhe reflektim për ndjesitë e humbjes, për atë që i detyron ata të jetojnë në mërgim, larg atdheut të tyre.

Ata ishin të rinj dhe të pafajshëm, të pambrojtur nga dredhitë e jetës. Por siç ndodh shpesh në historinë e atyre që luftojnë për lirinë, planet e tyre dështuan. Ata u kapën dhe u arrestuan, një ndodhi që e përshkruan babai në një mënyrë shumë dramatike dhe emocionale. U kapën nga ushtarët armiq, u lidhën me tela me gjemba dhe u rrahën me brutalitet. Pjesa më e dhimbshme e këtij momenti është shprehja e dhunës dhe e fyerjeve që ata pësuan, me fyerjet ndaj nënave të tyre. Në të gjitha këto vuajtje, dhimbje dhe humbje, babai vazhdon t’i drejtohet bijës së tij, Martinës, me një mesazh të thellë: “Thuaje të vërtetën, ku do që të jesh; thuaj sa fisnikë jemi ne shqiptarët dhe sa padrejtësi na janë bërë.” Ky mesazh është thirrje për ta ruajtur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare, për të mos harruar kurrë vuajtjet e popullit të tij dhe për të kërkuar drejtësi.

  1. Rrëfimi i letrave dhe pesha e kujtimeve

Në  letrat në vazhdim, këto vuajtje ndërlidhen me dashurinë dhe sakrificën që ai ka bërë për fëmijën e tij, të cilën nuk e ka njohur ende. Pavarësisht dhimbjeve të jashtëzakonshme që ai ka përjetuar në duar të hetuesve, dashuria për fëmijën e tij, të pa lindur ende, është ajo që e mban ende të gjallë dhe të fortë. Romansierja  ndërthur me mjeshtëri rrëfimet me peshën e kujtimeve e me pasigurinë e vuajtjet e të shkuarës.

Martina është tashmë një studente dhe përballohet me një realitet më të qartë, por ka ende frikë se çfarë mund të zbulojë për të kaluarën e babait të saj, si një histori e mbushur me dhimbje dhe shpresë. Nëpërmjet rrëfimeve për torturat që ai kishte kaluar, babai shpreh dhimbjen dhe njëherësh forcën që ka pasur për të mbijetuar. Fjalët e babait përfundimisht zbulojnë një ndjenjë të pafund dashurie për bijën e tij, për një fëmijë që ai nuk ka pasur mundësinë ta mbajë në duar, por që e ka dashur pa kushte.

Letra e katërt është një përshkrim i tmerrshëm i vuajtjes që babai i protagonistes ka kaluar, dhe ndjenja e pafuqisë dhe e zemërimit që ajo ndien për torturat që ai ka përjetuar… Dashuria e tij është një dritë që nuk shuhet kurrë. Babai është simbol i qëndresës dhe i dashurisë që nuk mund të thyhet, pavarësisht dhimbjeve dhe padrejtësive që përjeton. Ai është një “gur i fortë” për bijën e tij, dhe lidhja me të mbetet e gjallë, pavarësisht largësisë dhe torturave që kalon. Martina është rrëfyesja e tregimit, e cila shpreh dashurinë e pafundme dhe mallin e thellë për babanë e saj.

Hetuesit dhe torturuesit janë figura të padrejtësisë dhe mizorisë, që përdorin dhunën dhe torturat për ta mposhtur shpirtin e babait të saj. Ata janë simbol i regjimit të dhunshëm dhe i pasigurisë, përdorin mjete brutale për t’i thyer liridashësit, por dështojnë të thyejnë forcën shpirtërore të babait të personazhes.

Malli që protagonistja ndjen për babanë e saj, është një temë tjetër e thellë dhe e fuqishme. Ky mall mbetet i gjallë dhe i pashuar, një lidhje që vazhdon të ekzistojë pavarësisht vdekjes dhe distancës. Është si një ngarkesë shpirtërore që nuk mund të largohet dhe e mbushullon çdo pjesë të qenies. Ai është si një “frymë” që e shoqëron të bijën edhe pas vdekjes së tij dhe e udhëzon atë. Ky kujtim dhe dashuria për të, janë si një zjarr që nuk shuhet, një simbol i përjetësisë dhe vazhdimësisë së lidhjes mes babait dhe bijës.

Te Letra e pestë dhe të tjerat në vazhdim, përpos dhimbjes, pasigurisë dhe shpresës së heshtur, përshkruhen edhe vuajtjet e mikut të tij Bardhit dhe trupi i tij i shkallmuar nga dhuna. Por ajo që është më e rëndësishme është se dhimbja fizike nuk është asgjë pa dhimbjen shpirtërore që buron nga ndjenja e pafuqisë, fajit dhe pasigurisë që të ketë mundësi t’i ndihmojë shokët dhe miqtë e tij. Kjo ndjesi e pafuqisë është shprehja e thellë e një njeriu që e di se po përjeton një luftë që është e pamundur të fitohet, por që vazhdon të luftojë për një të ardhme më të mirë. Shpresa dhe idealizimi për një të ardhme të lirë përbejnë një tjetër bosht motivesh e përshkrimesh narrative. Të burgosurit e dinë se ndodhin padrejtësi, se vendi i tyre mund të mbetet i robëruar, por ata janë të sigurt se, duke u bashkuar dhe duke luftuar për çlirimin e atdheut, mund të sjellin ndryshime. Ky ideal është një shpresë e thjeshtë, por është edhe një angazhim i thellë dhe një betim për të luftuar deri në fund për një të drejtë më të madhe. Ky është një element thelbësor i letërkëmbimit – shpresa se një ditë, me gjithë vuajtjet, dielli do të lindë përsëri për Kosovën, se çdo akt i dhunës do të hakmerret përmes drejtësisë.

Letrat janë edhe një denoncim i qartë i padrejtësisë dhe dhunës që u ushtruan ndaj të burgosurve politikë, si dhe pasojat e pafundme që ndiheshin në trupin dhe shpirtin e tyre. Torturat ndaj Bardhit janë një përshkrim i brutaliteti të rëndë, si ata po mbyteshin nga dhuna, pa mundur të bëjnë asgjë për t’i shpëtuar miqtë e tyre. Përmes këtij portreti të dhunës, letrës i jepet një dimension i thellë moral, duke e ngritur pyetjen se sa mund të mbijetojnë njerëzit nën një regjimin që synon të thyejë gjithçka që është e shenjtë për ta: trupin, shpirtin dhe dashurinë. Letrat shqiptojnë vizionin e një luftëtari të palëkundur që përpiqet për lirinë dhe drejtësinë dhe spikatin forcën e shpirtit njerëzor dhe fuqinë e idealizmit dhe të besimit në një kauzë të drejtë. Është një testament i forcës që ruhet edhe në kushtet më të vështira.

Këto letra janë një dëshmi e tmerrit dhe dhimbjes që ka përjetuar Bardhi. Torturat dhe dhunimet që ai ka pësuar janë të përshkruara me detaj të ngjethshme: shkelmimet nëpër hetuesi e burgje, siç përshkruhet hetuesi Radoja që i trajton njerëzit si bisha të egra, duke i privuar nga çdo dinjitet njerëzor. Së këndejmi, fati i Bardhit është sintezë artistike e dhimbjes kolektive të të gjithë atyre që luftonin për liri. Të burgosurit protestuan në mënyrë të heshtur, me grevë urie, dhe qëndruan të bashkuar. Ky unitet, edhe në kushtet më të egra, tregon forcën dhe besimin se liria do të vijë një ditë, pavarësisht se sa e largët mund të duket ajo.

Babai i Martinës shkruan se “liria ka ngjyrën e gjakut”, duke i lidhur sakrificat e shumta dhe gjakun e derdhur për të arritur lirinë me ngjyrën e flamurit të Kosovës, që është një simbol i atdhedashurisë dhe luftës për një të drejtë të mohuar.

Edhe në situatat pas torturave, me trupin e tij të shkatërruar, babai ka mendjen me plot pyetje ekzistenciale; pyet për lirinë dhe mënyrën se si mund ta njohim atë, kur nuk e kemi pasur kurrë. Këso përshkrimesh të luftërave të brendshme i hasim sidomos te Letra e shtatë. Protagonisti thekson se “nëse duhet, do të jepja edhe jetën time, vetëm që Kosova ime të jetë mirë,” është shpallje e sakrificës që nënkupton se pas vështirësive dhe dhimbjeve, është vetëm pasioni i dashurisë për atdheun që mund ta mbajë gjallë shpresën. Kjo është një temë e përhapur në shumë letërkëmbime të periudhës së dhunës, ku i burgosuri është i gatshëm të përballet me çdo mundësi, për ta realizuar një ideal kombëtar.

Gjyshja është e dashur, e cila përpiqet ta ngushëllojë dhe ta mbrojë vajzën nga dhimbja e tepruar që i sjellin letrat e babait. Ajo përpiqet ta mbajë gjallë shpresën dhe të mos e lejojë Martinen të humbasë besimin në të ardhmen. Gjithashtu ajo është simbol i dashurisë familjare dhe përkujdesjes, por edhe e një nostalgjie për të kaluarën dhe të dashurit që ka humbur. Hetuesi është figura e përfaqësuesit të dhunës dhe represionit shtetëror. Ai e përdor forcën për të thyer nënshtrimin e individëve dhe për të mbajtur nën kontroll ata që i konsideron armiq.

Vdekja e Bardhit është një humbje e rëndë që prek të gjithë ata që mbeten pas, duke krijuar një boshllëk të pamatshëm në jetën e të afërmve dhe shokëve të tij.

Në këtë rrëfim, letrat janë një procedim artistik për t’i treguar ngjarjet, por edhe një mënyrë për t’i përjetuar dhe ruajtur kujtimet e të kaluarës. Fjalët që shkruhen janë të mbushura me dhimbje, por gjithashtu me një forcë shpirtërore që i bën ata që vuajnë të mbijetojnë. Lidhjet mes personazheve janë thelbësore, dhe humbja e Bardhit krijon një ndjenjë të fortë solidariteti dhe qëndrese mes atyre që mbeten.

Martina luan rolin e rrëfyeses që lexon letrat dhe përjeton emocionet dhe dhimbjet.

Motrat e Bardhit dhe familja e tij janë pjesë e tragjedisë që ka ndodhur pas vdekjes. Vdekja e Bardhit shndërrohet në një simbol të dhimbjes kolektive të të gjithë personazheve. Greva e heshtur e të burgosurve, është një akt i qëndresës dhe një mënyrë për nderimin dhe ruajtjen e kujtimit për të vdekurit. Idetë e lidhjes shpirtërore dhe të mbajtjes gjallë të kujtimeve janë të rëndësishme në këtë strukturë narrative, pasi ato janë e vetmja gjë që mbeten pas humbjes dhe që japin forcë për t’u përballuar me të ardhmen. Ndjesia e të qenit të harruar, e jetës në errësirë dhe e humbjes së çdo lidhjeje me të tjerët është e theksuar shumë te Letra e njëmbëdhjetë.

Familjarët nuk kanë asnjë informacion për fatin e tyre, duke sugjeruar një ndarje të plotë dhe një harrim nga bota jashtë. Kjo mungesë lajmesh është tregues i izolimit të plotë, dhe përshkrimi i shkrimit të letrave të humbura është metaforë për zhgënjimin dhe humbjen e shpresës. Dërgimi i letrave, dhe më pas mungesa e përgjigjeve, është përpjekje e kotë për t’i mbajtur lidhjen me të kaluarën, me ata që janë pas.

Tivari është përshkruar si vend i mbushur me gjak, dhimbje dhe pasiguri. Ky vend është metaforë e vdekjes dhe asgjësimit të një populli të tërë, ku njerëzit që nuk kanë bërë asgjë të keqe janë të ndaluar dhe të shkatërruar. Të shikosh trupat e vdekur, të përgjakur dhe të braktisur, është përvojë që ndodhet përtej kufijve të imagjinatës njerëzore, duke reflektuar realitetin e një masakre të pashpjegueshme dhe të padukshme. Përshkrimi i Tivarit si qytet i vdekur, ku shpresat janë shuar, dhe ku çdo hap dëshmon dhimbjen dhe vdekjen, është një pamje shkatërruese e historisë së humbur të shqiptarëve. Pjesa ku flitet për tragjedinë e kalimit të Bunës dhe humbjen e shokëve të tij në këtë udhë, është shumë e rëndë. Kalimi i një lumi, përveçse është një vështirësi fizike, është metaforë për kalimin e kufirit të jetës dhe vdekjes, dhe ndjesia e humbjes së njerëzve të dashur dhe shokëve, kumton për natyrën e pasigurt dhe të pamëshirshme të luftës dhe të një konflikti të padrejtë. Lufta është e përgjakshme, ajo gjithashtu ka një çmim të rëndë personal dhe kolektiv.

Shkrimi është i mbushur me një dëshirë të thellë për të treguar ta vërtetën dhe për të siguruar që historitë e këtyre njerëzve të humbur të mos harrohen. Rrëfyesi beson se masakra e Tivarit dhe periudhës që po kalojnë, duhet të bëhet e njohur dhe të njihet nga të tjerët, duke kërkuar një dëshmitar për atë që ka ndodhur.

  1. Dekonstruktimi i realitetit: letrat si simbol i lidhjes shpirtërore për bijën ende të palindur

Letrat që janë shkruar si pjesë e një serie, rrëfejnë vuajtjet e të burgosurve, kërcënimet që përjetojnë dhe ndjesinë e pashpresës, por edhe forcën e shpirtit që disa prej tyre e ruajnë, pavarësisht gjithçkaje. Rrëfimi i letrave është ndërtuar mbi disa shtylla të rëndësishme, siç janë përjetimi i torturave dhe pabesisë; rituali i Gjykatës armike që refuzon drejtësinë; frika dhe shpresa që përjetojnë protagonistët e letrave, simbolizmi i errësirës me dënimin e pashmangshëm etj. Para syve të lexuesit shfaqet, edhe një gjyq ushtarak, pas një periudhe burgimi dhe vuajtjesh të tmerrshme. Secili i dënuar duket i shkatërruar nga jeta e vështirë dhe vuajtjet, ndonëse ata që mbajnë shpresën janë të pakët. Ajo që shquhet është shpirti i tij i qëndresës dhe marrëdhënia e fortë me shokët e tij, si Dika, që pavarësisht gjithë dhimbjeve, mund të gjejnë ngushëllim te njëri-tjetri. Gjykatësi dhe ushtarët janë përfaqësues të sistemit të padrejtë dhe të egër, që ka krijuar atmosferë të pashpresë dhe ndjesinë e forcës e të nënshtrimit. Hetuesi Radoja është një tjetër figurë që del në letra, përshkruhet si njeri që është angazhuar për të siguruar dënimin më të rëndë. Dëshmitari serb është një figurë e pabesë dhe tradhtare, që ka pasur një rol vendimtar në arrestimin e personazhit dhe shokëve të tij.

Babai përshkruan mbërritjen e një ushtari gjerman që ndryshoi atmosferën në dhomën e burgut. Ky ushtar, Hansi, që ka një ndikim të dukshëm në jetën e të burgosurve, ai sjell rregull dhe disiplinë, duke i dhënë një ndjenjë ringjalljeje. Gjatë këtij tensioni, Hansi, ushtar gjerman, ndërhyn dhe tregon forcën e tij, duke i dhënë një ndjesi sigurie babait dhe të tjerëve, edhe pse jeta është vazhdimisht e mbushur me pasiguri. Ky personazh përfaqëson një mundësi për rigjallërim brenda kaosit, ka ndikim të fortë në ndihmën që ua jep të tjerëve. Konflikti me të burgosurin tjetër, serbin që përdor dhunë ndaj babait të Martinës (rrëfim-komentimi bëhet nga këndvështrimi i Martinës), është një moment dramatik që pasqyron pamundësinë për ta shmangur trajtimin e keq, por gjithashtu tregon forcën dhe ndërhyrjen e Hansit, i cili ndërhyn dhe ndalon dhunën, duke i dhënë ndjesinë e drejtësisë brenda një mjedisi ku kjo është shumë e rrallë.

Një rrëfim i thellë domethënës ngjet te Letra e gjashtëmbëdhjetë, që shpalos tensionin dhe trishtimin e personazhit që përballet me dhimbjen e së kaluarës dhe me humbjen e kujtimeve të tij më të shtrenjta. Letrat e babait janë simbol i lidhjes shpirtërore dhe emocionali me të, për t’i ruajtur kujtimet dhe historinë e tij, por kur ato zhduken, ajo humbje është një dhimbje e thellë që ndjehet në çdo fjalë dhe çdo hap të këtij rrëfimi. Kërkimi për ato letra pas humbjes, është një përpjekje për rikthimin e diçkaje të zhdukur, që janë pjesë e rëndësishme e identitetit dhe të së kaluarës që tani duket e fshirë nga realiteti. Lidhja e fortë shpirtërore që ka me të, edhe kur ai nuk flet hapur, është një motiv që kalon gjatë gjithë rrëfimit romanor.

Një rrëfim i fuqishëm dhe gjithë tension psikologjik dhe dramatizëm jepet te Letra e tetëmbëdhjetë. Personazhi kryesor, i cili është në një gjendje të trazuar psikologjike dhe shpirtërore, mëson gjuhën gjermane nga Hansi. Mirëpo, ndërkohë që mësimi po zhvillohet, ka një prani të errët dhe të rrezikshme që ndërhyn “psikopati”, një figurë që paraqitet si simbol i kaosit dhe dhunës që e rrethon këtë personazh, dhe ata që janë të lidhur me të; ai shkatërron objektet, bën veprim e të dhunshme, prish qetësinë… Hansi është një figurë e mësuesit, i matur dhe ka një qasje të qetë dhe të kontrolluar ndaj mësimit dhe situatave të tensionuara që ndodhin. Psikopati (personazhi i dytë, antagonist) është figurë e dhunshme dhe e papërmbajtur që paraqet një kërcënim për rendin dhe mësimin. Shfaqet si njeri i papërgjegjshëm, që shpërndan kaos dhe frikë. Ai i shkatërron letrat përfaqëson forcën e dhunshme kaotike.

Të prekshme janë rrëfimet për miqësinë dhe shpresën që mbijeton edhe në ato kushte të ashpra. Dhurata e Hansit, me laps e letër, si dhe mënyra se si ai e mbështet protagonistin, janë simbol i përpjekjeve të një njeriu për ta ruajtur humanizmin dhe dinjitetin në mes të vuajtjes dhe dëshpërimit. Një rrëfim dramatik është Letra 24, ku Hansi dënohet me pushkatim. Jepet një përshkrim i tragjedisë njerëzore dhe po ashtu i një lufte të heshtur, të mbushur me frikë, shpresë dhe guxim. Hansi, megjithatë, tregon një qetësi të jashtëzakonshme përballë këtij dënimi. Ai e pranon fatin e tij me një qetësi që është pothuajse e çuditshme, duke theksuar se e dinte se do të ndodhte një ditë dhe se nuk kishte asnjë arsye të frikësohej. Mirëpo, Hansi i shpëton vdekjes, por me çmimin e një ndëshkimi të pafund.

T’i shkruash letra të bijës, një vajze që nuk ka lindur ende, përbën një çrëndomtësim të realitetit dhe një procedim të pasur artistik. Babai e imagjinon të bijën e pa lindur si një pjesë të së ardhmes së tij. Është një akt simbolik i shpresës për jetën pas vuajtjes dhe izolimit, një trajtë për t’i dhënë kuptim jetës dhe për ta ruajtur lidhjen me të tjerët dhe me të ardhmen. Një aspekt tjetër thelbësor është se babai, pavarësisht vuajtjeve dhe dhimbjeve, vazhdon të shkruajë dhe të mbajë një lidhje me Martinën. Ai flet për frikën që ka se ndoshta nuk do t’i arrijnë asnjëherë këto letra, se ato përfaqësojnë një mundësi të fundit për të lënë një shenjë pas vetes.

Atij i falet një vit burgu. Pasi lirohet, mes shpresës dhe dëshpërimit, frikës dhe solidaritetit, udhëtimi i tij përshkruan një moment të thellë të rikthimit dhe të humbjes, të lirisë dhe të shkatërrimit të iluzionit. Pasi kthehet në atdhe pas një periudhe të gjatë në burg, Liri përjeton një ndjenjë çlirimi, por edhe dhimbjeje për humbjet që ka përjetuar gjatë mungesës së tij. Ai është simbol i durimit dhe vuajtjes, por gjithashtu edhe i shpresës dhe dashurisë për atdheun dhe familjen.

Kthimi i Lirit pas një periudhe të gjatë vuajtjesh dhe vdekjeje të të afërmve, është një shenjë e ringjalljes dhe shpresës. Tashmë ai punësohet, rrëfen për punën në xeherore, një punë jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme, por është i lumtur që e siguron ushqimin dhe gjërat e domosdoshme për familjen e tij. Një tjetër hap i rëndësishëm në jetën e personazhit është fejesa, si tregues i fillimit të një epoke të re në jetën e tij, një hap që do ta çojë drejt një familjeje të re dhe mundësive të reja. Gjen një nuse të cilën e ka dashur dhe vlerësuar për bukurinë dhe shpirtin e saj. Lajmi se nusja është shtatzënë është kulmi i gëzimit dhe shpresës.

 Ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi ai do të sjellë një fëmijë që do të jetë shpresa e ardhme e familjes. Personazhi shpreson se ky do të jetë fillimi i një jete të re, dhe shfaq gjithashtu një moment të thellë dashurie dhe optimizmi për të ardhmen. Ai shpreh një emocion të thellë për ardhjen në jetë të djalit të tij të vogël, Bardhit, që përfaqëson një shpresë të ringjalljes për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme. E pagëzon me emrin Bardh, që është një akt simbolik, duke  e nderuar kujtesën e mikut të tij të guximshëm nga e kaluara që e kishte mbështetur në momentet e vështira.

Por tragjeditë nuk reshten: vdes Bardhi, djali i vogël. Kështu, letra e tridhjetë e dytë shqipton së thelli dhimbjen, reflekton mbi jetën, dashurinë, humbjen dhe ndjeshmërinë kur një prind përballet me tragjedinë e humbjes së fëmijës së tij.  Ngjarjet e jetës janë të pashmangshme dhe se, pavarësisht përpjekjeve tona, ka çaste që na ndryshojnë gjithçka. Përshkrimi i gruas së tij, Zojës, është plot me admirim dhe respekt. Ajo përshkruhet si një grua fisnike, e bukur dhe plot dritë, që mbush shtëpinë me dashuri dhe ngrohtësi. Kur ai përshkruan momentin e vdekjes së fëmijës, ndjesia e humbjes është e pakufishme, dhe fjalët që përdor janë të mbushura me trishtim.

Tashmë shpalosen edhe pjesë të tjera të kësaj biografie të personazhit: shfaqet Fitor Bjeshka, një mik i veçantë dhe mbështetës i tij; shfaqet si një dritë në këtë periudhë errësire. Ai krijon mundësinë për t’i vazhduar mësimet dhe studimet. Mësimit dhe dijes i jepet një rëndësi e madhe në tekst.

Një tjetër goditje vjen në jetën e personazhit: i vdes gruaja e dashur e tij. Tashmë Martina është pjesë e Letrave, me përpjekjen për t’i mbajtur gjallë kujtimet dhe lidhjen shpirtërore. Personazhi nuk e pranon plotësisht humbjen; ai kërkon vazhdimisht një ngushëllimi në kujtimet që ka, dhe në ndjenjën që gruaja e tij nuk e ka lënë kurrë vërtet.

  1. Pesha e tragjedive dhe triumfi i dashurisë së prindit

Tashmë te Letra e Tridhjetetetë shfaqen nyja të tjera tematike e kompozicionale. Kjo letër thur një rrëfim emocional që trajton tema e motive të tilla si familja, vuajtja, rezistenca dhe pesha e historisë në kohët e shtypjeve nacionale e politike. Narratori reflekton mbi përvojën e tij personale të jetesës nën një regjim të egër, ku duhej të pranoheshin kërkesat e pushtetit me çmimin e sigurisë dhe dinjitetit njerëzor. Protagonisti përballet me kërcënimin për t’u detyruar ta dorëzojë një armë, një kërkesë që shndërrohet në situatë tensionuese dhe fatale. Anëtarët e familjes kërkojnë mënyra për t’u përballur me këtë kërkesë dhe vëllai udhëton për ta marrë një pushkë të vjetër dhe të ndryshkur. Kjo pushkë bëhet simbol i masave ekstreme që njerëzit duhet të marrin për të mbijetuar, por gjithashtu përfaqëson absurdin e një shoqërie ku frika dhe pasiguria janë të pranishme kudo.

Ndërkohë, thelbi emocional i letrës shfaqet kur narratori përpiqet të vendosë nëse do të largohet nga vendi, duke u përpjekur të shikojë një mundësi shpëtimi. Por në fund, vendimi për të qëndruar është një reflektim i thellë i lidhjes me atdheun, me rrënjët dhe historinë e familjes, të cilat kanë formuar ekzistencën e vet nëpër breza. Fjalët e nënës, e cila thotë se nuk mund ta braktisin vendin, për shkak të varreve dhe kujtimeve të tyre, e bëjnë atë të kuptojë se largimi është i pamundur.

Kryeudbashi dhe udbashët përfaqësojnë autoritetin e shtetit totalitar, të cilët përdorin forcën dhe frikën për ta nënshtruar popullin. Ai është personazh cinik dhe i pamëshirshëm që gëzohet nga vuajtjet e të tjerëve. Udbashët, të cilët janë oficerët e sigurimit, janë po ashtu të ftohtë dhe të pamëshirshëm. Fshatarët që përmenden në letër, janë njerëz të thjeshtë, të dërrmuar nga kërkesat e regjimit dhe dhuna që ata përjetojnë. Ata janë simbol i të pafuqishmëve që ndodhen në një situatë të dëshpëruar dhe që, për shkak të pamundësisë për të marrë armë, paguajnë çmimin më të lartë për shmangien e dhunës.

Bëhet martesa e dytë e babait me Erën. Era, me kalimin e kohës fiton një vend të rëndësishëm në zemrën e Martinës, kjo grua do të kujdeset për të, do ta dojë dhe i ofron mbështetje të re. Tashmë ka një kalim emocional nga periudha e dhimbjes dhe vuajtjes në një fazë të ringjallur të jetës, ku dashuria dhe kujdesi rinisen edhe pas një humbjeje të thellë. Ky kalim nga dhimbja te pranimi i dashurisë së re është proces i ngadalshëm dhe i brishtë, por që gjithsesi është i mundur kur ka pranimin e duhur dhe dashurinë e nevojshme.

Dhe gëzimet këmbehen edhe njëherë me tragjedi edhe te Letra e dyzet. Rrëfimi kalon nëpër disa momente prekëse të jetës, me një njoftim të gëzuar për shtatzëninë e gruas së tij dhe emocionet e lindjes së fëmijës së pritur. Megjithatë, kjo lumturi shpejt shndërrohet në një varg ngjarjesh shtypëse nën regjimin komunist. Babai përshkruan detyrimin për t’u bërë anëtar i partisë komuniste, tensionet që krijohen nga mbështetje e tij për një mësues të dashur, Shpëtim Shkoza, dhe veprimet shtypëse të autoriteteve. Nëpërmjet një varg ngjarjesh dramatike, babai i Martinës përfshihet në luftërat politike të kohës, duke u përballur me kërcënime, survejime dhe madje edhe me kërcënimin e burgosjes. Kulmi i letrës vjen me lindjen e djalit, që fillimisht sjell gëzim, por më vonë kthehet në një dhimbje të thellë pasi fëmija sëmuret dhe vdes. Pesha emocionale e letrës është në reflektimet e babait për jetën, humbjen dhe forcën e pamposhtur të dashurisë.

Jepet tashmë edhe përshkrimi i arrestimit  të dytë të babait, në një përshkrim intensiv dhe emocional i vuajtjeve të një familjeje shqiptare nën regjimin komunist. Ajo shpalos realitetin e frikshëm të një periudhe të errët historike, ku padrejtësia dhe shtypja ishin të përditshme dhe njerëzit si babai i Martinës u ballafaquan me pasojat e qëndrimit të tyre të vendosur për të luftuar për liri dhe drejtësi. Veçanërisht prekës është momenti kur ai reagon me zemërim dhe e quan armikun “kriminel”, duke e denoncuar manipulimin dhe shkatërrimin e popullit shqiptar. Fjalët e tij janë shprehje e revoltuar dhe thirrje për reagim ndaj një padrejtësie të rëndë.

Përsëri përshkrimet e burgut, reflektimet, vetmia në qelinë e ftohtë. Pamja e miut që ha gishta të dorës, është simbol i brutalitetit dhe i mjerimit që përjeton ai, por gjithashtu është kujtesë e dhunës që nuk njeh kufij. Tortura dhe traumat që babai ka përjetuar, janë pjesë të një realiteti të dhimbshëm që duken të pandashëm nga jeta e tij.

Pavarësisht torturave dhe tronditjeve të përjetuara, babai vazhdon të shkruajë për vajzën e tij edhe në burgun e dytë, i jep asaj një mesazh të fortë për rëndësinë e shkrimit dhe ruajtjes së kujtimeve. Letra është një reflektim i situatës politike dhe sociale të periudhës, ku regjimi pushtues komunist përdor dhunën dhe torturën për ta kontrolluar popullin dhe për të eliminuar çdo formë opozite.

  1. Dashuria që mbijeton.

Shprehet një dashuri e fuqishme dhe një shpresë që vazhdon të jetojë, pavarësisht nga çdo tragjedi. Babai kërkon falje për vuajtjet e tij dhe për pamundësinë për t’i realizuar ëndrrat e nevojat e fëmijës së tij, por ai e di që dashuria që ata është më e fortë se çdo pengesë. Me tone të ndjeshme është edhe rrëfimi për takimin në burg. Ky takim nuk është një ngjarje e zakonshme, por një përjetim që thellon ndjenjat e humbjes, vuajtjes dhe shpresës, duke reflektuar mbi natyrën e padrejtësisë dhe pasojat e dhimbshme të shkaktuara nga një regjim i ashpër.

Pavarësisht traumave, ka momente shprese, si ardhja e motrës së vogël, Uratës, e cila sjell gëzim dhe shpresë në familje. Shkrimi i letrave është mjet për shërim dhe kujtim. Protagonisti përdor shkrimin si formë shprese për të ruajtur kujtimet e kaluara.

  1. Ndërthurja e realitetit me fantazinë

Te teksti “Ëndrrat e kuqe” ka një reflektim të njëshëm për një jetë të ndarë nga kohët dhe ngjarjet, ku themelet e kujtimeve dhe ëndrrave janë të lidhura ngushtë me një të kaluar të dhimbshme, por të pasur me pasione, humbje dhe shpresë. Ky tekst përfshin një hapësirë të pasur figurimesh letrare dhe një qasje kuptimplote ndaj natyrës së lidhjeve njerëzore, veçanërisht ato që lidhen me atdheun, familjen dhe ëndrrat që i përndjekin njerëzit për gjithë jetën e tyre. Zana është një personazh që shfaqet si një figurë e përhumbur, si simbol i mundësive të papërmbushura. Pajtimi dhe komunikimi me të, shfaqet si një ëndërr që nuk mund të realizohet, si një lidhje që ka mbetur pezull për një periudhë të gjatë. Zana, figurë mitologjike, është simbol i marrëdhënieve që mbeten të pa realizuara, të mbyllura nga kufizime të padukshme që ekzistojnë në kohë dhe hapësirë. Ëndrrat e Kuqe, me ngjyrat e veta, në të gjithë tekstin, janë simbol i dhimbjes, pasionit dhe shpresës së humbur. Ato janë të lidhura me një trashëgimi të dhimbshme që kalon nga brezi në brez, si një amanet që nuk mund të fshihet, as të harrohet.

Teksti e shikon trashëgiminë jo vetëm si diçka materiale, por si peshë shpirtërore të pandashme. Fjalët e babait të vajzës janë të ngulitura në mendjen dhe shpirtin e protagonistes dhe ato pasqyrojnë marrëdhënien komplekse që ka ai me të kaluarën dhe me atë që ai pret të arrihet. Në këtë kontekst, trashëgimia është një përgjegjësi që është vështirë ta mbajmë, një amanet që ngarkon individët me një barrë të rëndë, por gjithashtu me një mundësi për t’i realizuar ëndrrat e humbura. Vendi i Shqipeve është metaforë për një vend të shenjtë që ruan gjurmët e historisë, por që gjithashtu është i mbushulluar me dhimbje dhe ndarje. Ushtarët dhe korbat që përshkruhen, janë një simbol i luftës dhe pasigurisë që kanë karakterizuar këtë vend, por gjithashtu një përpjekje për ta mbrojtur atë që ka mbetur.

Ky tekst ndërthur realitetin dhe fantazinë përmes përdorimit të simbolikës, ëndrrave dhe kujtimeve. Figura e telefonit është element i përsëritur që simbolizon dëshirën për lidhje dhe komunikim me të kaluarën, por gjithashtu dështimin për t’i realizuar këto lidhje. Ky është një reflektim i thellë i një jete të shkatërruar nga koha, ku ëndrrat dhe kujtimet janë të vetmet gjëra që mbeten të gjalla.

Edhe teksti “Natë kobi” ka të njëjtën thellësi përjetimi, i mbushur me tension, frikë dhe pasiguri. Ndërsa dy protagonistët, Era dhe Liri, kanë dashuri dhe shqetësime, një erë e heshtur, pothuajse e ftohtë, përshkon çdo moment të rrëfimit, krijon një atmosferë që ndërthur ndjenjat e ngrohta dhe të ftohta, të njohura dhe të panjohura. Periudhat e dhimbjes nuk prajnë, pasi Era ka humbur burrin e saj, Lirin, në mënyrë tragjike dhe misterioze. Këndvështrimi narrativ ndërron qasje, përqendrohet te Era.

Situata përkeqësohet më tej kur policët vijnë për të marrë trupin e burrit të saj për obduksion, duke krijuar një atmosferë frike dhe tensioni. Tensioni kulmon me akuzën që policët mund të kenë qenë të përfshirë në vrasjen e burrit të saj, një akt i papërmbajtur që tregon humbjen e çdo shprese për drejtësi. Flamuri i kombit, që përdoret për ta mbuluar trupin e burrit të saj, është simbol i forcës dhe i nderit, por gjithashtu dhe kujtesë për idealet dhe sakrificat e bëra nga brezat.

Teksti shqyrton thellësisht ndjenjat e dhimbjes dhe humbjes pas vdekjes së Lirit. Çdo kujtim është një ngarkesë për të, duke e mbajtur të bllokuar në një cikël vuajtjeje të pafund. Çelësat e morgut janë simbol i mbylljes, sekretit dhe asgjësimit. Ata përfaqësojnë të kaluarën e dhimbshme dhe të padurueshme që gruaja ka humbur dhe që nuk mund ta rikthejë. Çelësi që hap dyert e “asgjësë” është metaforë për humbjen totale dhe zhdukjen e çdo shprese, duke simbolizuar dëshpërimin e thellë të gruas që është e mbyllur në një realitet të errët, pa mundësi shpëtimi. Në këtë kuadër, morgu është hapësirë e ngarkuar me shenja të vdekjes dhe asgjësimit, duke përforcuar një atmosferë tragjike dhe të padurueshme. Ndihma e Hipnosit, që përpiqet ta shërojë gruan, është një përpjekje për ta lehtësuar dhimbjen e saj, duke kërkuar ta shndërrojë dhembjen në diçka më të bukur. Megjithatë, ai nuk mund ta ndihmojë gruan të shpëtojë nga errësira që e mbulon, dhe dhimbja e saj mbetet një ngarkesë e padurueshme. Fustani i nusërisë që del nga dollapi, është një tjetër simbol i humbjes dhe shpërbërjes së ëndrrave të gruas. Ky element lidhet me një kujtim të shkuar, një periudhë që ka humbur në pasojat e dhimbjes dhe vdekjes. Gruaja i flet fustanit, duke kërkuar një lloj ngushëllimi, dhe duke shprehur keqardhjen dhe dëshpërimin për fëmijën që ka humbur. Vdekja është trajtuar si fenomen i pandalshëm dhe i padurueshëm. Ajo përshkruhet jo vetëm si ndodhi fizike, por gjithashtu si forcë shpirtërore dhe psikologjike që i përshkon personazhet dhe përvojat e tyre. Era, e cila përjeton këtë dhimbje të thellë të humbjes, është e mbyllur në një situatë që ka të bëjë me kujtimet e shkatërruara, të humbura në pasojat e vdekjes.

  1. Biografemat romanore dhe personazhi idealist

Biografemat romanore janë njësi narrative që i ngërthen në një biografi artistike. Strukturat tekstuale përfshijnë dialogë imagjinarë, biseda të krijuara për t’i dhënë më shumë jetë tregimit; përfshijnë introspeksion dhe thellim në përjetimet, mendimet dhe reflektimet e protagonistëve; ka ndërthurje temash, motivesh, idesh e mesazhesh etj. Autorja krijon një drejtpeshim midis përdorimit të detajeve autobiografike dhe atyre fiktive, mes saktësisë dhe frymëzimit krijues. Biografemat transformohen si biografi në një rrëfim më të gjerë epik dhe imagjinativ, duke e kapërcyer përshkrimin e thjeshtë faktik për të krijuar një ngjarje artistike më të thellë dhe më komplekse. Romansierja nuk kufizohet vetëm në të vërtetën faktike, por synon ta kapë thelbin emocional ose filozofik të jetës së personazhit. Ato ngërthehen në kontekstin narrativ: lidhen për disa linja narrative me dinamizëm dhe tension dramatik, siç bëhet në këtë roman. Perspektiva e rrëfyer është subjektive, duke e interpretuar jetën e protagonistit përmes një niveli personal e imagjinativ. Poetika e veprës së tillë shquhet me anë të ndërthurjes së realitetit dhe fiksionit, teksteve e interteksteve.

Pesha e tragjikes në roman vazhdimisht këmbehet me momentet e ringjalljes së jetës, që thurin një kontrapunkt të bukur romanor. Shkrimi epistolar përdoret për t’i shfaqur dialogët e brendshëm të personazhit kryesor, si dhe lidhjet e tij me të tjerët. Në këtë roman letërkëmbimi po ashtu përdoret për t’i shprehur ndjenjat e gruas që është e mbërthyer nga dhimbja dhe humbja. Në përpjekjen për të mbijetuar, dhimbja e personazhit bëhet gjithashtu një shenjë e mosgjetjes së paqes. Kjo nuk është vetëm një dhimbje fizike; është një dhimbje e papërballueshme shpirtërore, që shtrihet përtej trupit dhe përfshin të gjithë qenien e personazhit. Idealizmi e përshkon si një fill i kuq këtë roman. Vetë protagonisti i romanit është një personazh idealist që përpiqet për një shoqëri më të drejtë. Idealizmi i Lirit mbetet forcë motivuese, që i jep kuptim jetës së tij dhe motivon për të luftuar për një botë më të mirë.

Personazhi idealist përballet me realitetin e hidhur. Në këtë rast, ai përdor artin e fjalës së shkruar, letrën, për ta ndryshuar realitetin. Ai shfaqet si sakrificë, si besim në mundësitë e ndryshimit, shfaqet me mendim kritik, dashuri dhe humanizëm, dhe luftë për drejtësi. Ky idealizëm ndihmon njerëzit ta ruajnë shpresën dhe t’i kapërcejnë vështirësitë, duke i mundësuar atyre të luftojnë për një botë më të drejtë, edhe kur duket se ka humbur çdo mundësi për ndryshim. Liri është viktimë e sistemeve se shtypjeve të pushtuesve. figurë tragjike që përballet me realitetin e rëndë.

Ky roman i Sabile Keçmezit Basha, është vepër e realizuar dhe ka vlera të mirëfillta artistike.

Dhjetor 2024

Kontrolloni gjithashtu

Ilir Shaqiri: Prelud

Në institucionin me suvanë e përhitur dhe kujtime të shlyera, ku njerëzit flisnin me muret …