Autoritete nga shoqëria civile kanë tërhequr vërejtjen për pasojat që vijnë nga mos krijimi i institucioneve. Ata kanë thënë se kjo do të ketë efekte negative si në aspektin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm. “Tani më pasojat do të jenë dy, mund të themi në dy rrafshe, ku Kosova është pa përfaqësim diplomatik aktiv, pa një Ministri të Punëve të Jashtme, pa një kryeministër fuqiplotë, legal dhe legjitim, të cilin e dimë që nuk e pret askush dhe nuk i shkon askush në zyrë për t’u takuar dhe për të diskutuar rreth problemeve dhe zgjerimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, në rrafshin e brendshëm, Kosova është duke çaluar te përfaqësimi ose te pasojat në paralizim të disa institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është KPM, Bordi i RTK-së, disa anëtarë të Fondit të Kursimeve të Kosovës, dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, pesë zëvendës të Avokatit të Popullit, vetë Avokati i Popullit të cilit i ka skaduar mandati në shtator të këtij viti. Në anën tjetër, tek një rrafsh tjetër që mund ta ndajmë në dy aspekte, në aspektin financiar të jashtëm, Kosova ende nuk ka marrë asnjë të hollë nga BE në planin e rritjes në shumë prej 800 milionë euro” ka thenë për Ekonomia Online, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj.
