Njohësit e fushës së ekonomisë kanë tërhequr vërejtjen se moskonstuituimi i institucioneve shtetërore po vazhdon të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit. Ata kanë shtuar më tutje se mungesa e stabilitetit politik dhe qeverisës po pengon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe po krijon pasiguri të vazhdueshme në tregun vendor. Profesori universitar, Sejdi Rexhepi, ka thënë për KosovaPress se “situata aktuale po e lë shtetin dhe ekonominë në një gjendje të paorganizuar”. Ai ka shtuar më tutje se përveç bizneseve vendore, kjo po ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek bizneset ndërkombëtare të cilat edhe nëse kanë pasur për qëllim të investojnë në këtë periudhë, sipas tij nuk kanë investuar dhe e kanë shtyrë për një periudhë tjetër kohore kur situata të jetë stabile.
