Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përgjegjësi direkte në vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Në një intervistë për Euronews Albania, Haradinaj tha se ky zhvillim përbën një paralajmërim serioz për vendin dhe se sjellja politike e Kurtit po e çon Kosovën drejt izolimit. “Fajtor për izolimin në Kosovë dhe për pasojat që po i shkakton është zoti Kurti, i cili po ushtron detyrën në mënyrë kundërligjore,” deklaroi Haradinaj, duke shtuar se vendimi amerikan nuk ka të bëjë me ndonjë subjekt politik, por me mungesën e bashkëpunimit institucional të qeverisë me aleatët. Ai paralajmëroi se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga Serbia, e cila, sipas tij, po pret një “dritë të gjelbër” nga mungesa e koordinimit ndërkombëtar për të vepruar kundër interesave të Kosovës. “Duhet të punojmë me kujdes që institucionet e sigurisë së Amerikës dhe aleatëve tanë ta kuptojnë dinakërinë e Serbisë, e cila është një proxy e Rusisë,” u shpreh ai, duke shtuar se një ditë do të dëshironte që edhe Serbia të bëhej pjesë e NATO-s, për më shumë stabilitet në rajon. Haradinaj theksoi se pavarësisht rreziqeve aktuale, nuk duhet humbur besimi në partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe në mundësinë e rikthimit të Kosovës në binarë të sigurt diplomatikë.
