Shtatë muaj që çdo mëngjes fillon njësoj —
hyj në radio, e ndiej sikur TI, më pret.
Ashtu si dikur,
të them “mirë mëngjes”,
të flas për punët, për ditën, për njerëzit,
për gjithçka që TI, më mësoje të mos e lë përgjysmë.
Dikur më dëgjoje me sytë plot urtësi,
tani më dëgjon nga fotografia,
me të njëjtin shikim që flet pa zë,
por me një dritë që ndriçon gjithë zyrën tënde.
Në çdo vendim që dua të marr tani,
të pyes me mendje: “Çka do të thoshte babi?”
E më vjen përgjigjja e qetë —
ajo fjalë e matur, që kurrë s’nxitonte,
ajo mençuri që më rriti.
Në fund të ditës,
si dikur, të them “natën e mirë”
dhe dal nga dera me mallin që nuk shteron.
Vetëm se tani, përshëndetjen e bëj
përballë fotografisë Sate —
i gjallë në çdo kujtim.
Shtatë muaj pa praninë Tënde,
por, çdo ditë që kalon,
më duket sikur më flet në heshtje,
në frymën që më jep forcë për të vazhduar.
Babi, që kur shkove në amshim
Koha ecën, por malli jo —
ai rri i palëvizshëm, si TI, në kujtesën time.
Shtatë muaj pa ty,Babi —
TI, je dritë që shkon përpara me mua.
BABI – TË DUA pafundësisht.