Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, ka reaguar duke theksuar se vendimi i Gjykatës ka sqaruar përgjegjësinë reale për bllokimin e Kuvendit. Sipas Kryeziut, Gjykata ka bërë të qartë se dështimi për konstituimin e Kuvendit nuk ka ndodhur për shkak të pengesave nga komuniteti serb, por për shkak të mosvotimit të shumicës së deputetëve shqiptarë dhe të komuniteteve pakicë jo-serbe. “Gjykata Kushtetuese e sqaroi një çështje të ditur: dështimi për konstituimin e Kuvendit nuk ndodhi për shkak të pengesave nga komuniteti serb, por për shkak të mosvotimit të shumicës së deputetëve. Pra, përgjegjësia për bllokimin i takon shumicës dhe komuniteteve pakicë jo-serbe, e jo komunitetit serb”, ka shkruar Kryeziu. Ai gjithashtu theksoi se Gjykata ka përcaktuar kufijtë kushtetues për rastet e jashtëzakonshme kur Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa zgjedhur të gjithë anëtarët e Kryesisë.
