Tema të tjera...
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Gjatë takimit, Haradinaj e ka uruar ambasadorin për detyrën e re dhe e ka falënderuar për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës. Ai ka theksuar rolin jetik të Gjermanisë në sigurinë e vendit dhe ka kërkuar mbështetjen e ambasadorit dhe të qeverisë gjermane për përpjekjet e Kosovës për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. “Duke e uruar për detyrën e re, ambasadorin Rudolph e falënderova për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Gjermania për lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës. Njëherësh, vlerësova rolin jetik të Gjermanisë në sigurinë e Kosovës. Kërkova mbështetjen e tij dhe të Gjermanisë në përkushtimin tonë për të qenë pjesë NATO-s dhe BE-së,” ka shkruar Haradinaj. Takimi vjen në një kohë kur Kosova po përgatitet për të forcuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare dhe aspiratat për integrim euro-atlantik.