Qeveria Kurti, liberalizim apo iluzion vizash?

Tre vite pas Marrëveshjes së Ohrit, e cila u paraqit si akt historik për rrugëtimin evropian të Kosovës, bilanci politik i qeverisë Kurti mbetet kontradiktor dhe i ngarkuar me më shumë propagandë sesa substancë. Liberalizimi i vizave – për të cilin kriteret ligjore ishin përmbushur që nga viti 2019 – po shitet sot si arritje strategjike e ekzekutivit aktual, ndonëse në thelb ishte shpërblim për pranim të marrëveshjes që i dha Serbisë autonomi politike në veri dhe njohje de-facto të Kosovës në këmbim të një dere të hapur drejt BE-së. Megjithatë, realiteti është i hidhur. Përveç udhëtimit 90-ditor turistik, asnjë indikator i “fuqizimit të pasaportës” nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Në Indeksin Henley, Kosova mbetet në vendin e 65-të – më poshtë se të gjitha shtetet e rajonit. Ndërsa qeveria mburret me “suksese diplomatike”, Eurostat regjistron mbi 210 mijë kosovarë të larguar nga vendi që prej ardhjes së Kurtit në pushtet – një eksod që e barazon me vendet në luftë. Kjo rrjedhje masive e popullsisë tregon një paradoks të dhimbshëm: “fuqia e pasaportës” është bërë mjet për ikje, jo për zhvillim. Kurti dhe Gërvalla mund të festojnë renditje, por statistikat e emigrimit dëshmojnë realitetin tjetër – një vend ku qytetarët nuk ndihen më të përfaqësuar, as të sigurt për të ardhmen. Liberalizimi, në vend që të simbolizonte integrim evropian, po shndërrohet në liberalizim të dëshpërimit. Në fund, pasaportat mund të jenë më të vlefshme, por shteti, ekonomikisht e politikisht, është më i dobët se kurrë.

Kontrolloni gjithashtu

Kandidati i AAK-së në Junik, Agron Kuçi, raporton kërcënime me jetë pas denoncimeve për manipulime zgjedhore

Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, …