LONDËR – Kryeministri britanik Keir Starmer gjatë Samitit të Procesit të Berlinit në Londër theksoi se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian. “Rajoni është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë poligon testimi për sigurinë e Evropës”, tha Starmer në nisje të samitit. Takimi bashkoi udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe disa përfaqësues të Bashkimit Evropian për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe integrimin evropian të vendeve të rajonit. Starmer theksoi se bisedimet do të përqendrohen edhe tek siguria, migrimi, rritja ekonomike dhe lufta kundër ndikimit dashakeq të Rusisë. Ai paralajmëroi për aktivitetin e bandave kriminale në rajon dhe pasojat që do të kishte nëse do të vepronin brenda BE-së. Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e vitit 2014, themeluar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, me qëllim afrimin e vendeve të Ballkanit me Bashkimin Evropian. Samiti i Procesit të Berlinit riafirmoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës.
