Një libër meditativ, dokumentar, shkencor dhe artistik.
Doktoresha e njohur, Luljeta Abdullahu, specialiste e Mjekësisë Nukleare, kohë më parë ka botuar një cikël poezish bashkëkohore, të cilat kanë zgjuar kërshërinë e lexuesve, pasi janë të pasura me shumë specifika të këndvështrimit të jetës dhe realitetit, në të cilin po jetojmë, veçmas ne, në Kosovë. Tani ka nxjerrë në dritë librin, meditative dokumentar, titulluar, “24 Orët e kujdesit mjekësor dhe rrëfimet e përditshme”, një vepër e arrirë, e veçantë si për nga zhanri, ashtu edhe nga tema e përmbajtja.
Duke qenë se krijuesja zotëron një gamë të gjerë diturish e përgatitjesh arsimore, shkencore, shoqërore, filozofike e veçmas mjekësore, që është edhe profesioni primar i saj, doemos se nuk do të duhej të pranonte që tërë ai angazhim, mund, sakrificë nga një herë me punë të pandërprerë edhe 24 orë e më shumë, të kalojë e të radhitet në heshtjen e lodhshme të përditshmërisë, pa u shënuar diku, pasi që fjala edhe harrohet, por ajo që shkruhet mbetet, për shumë kohë, sidomos nëse është shkruar me realizëm, ndjenja e përkushtim, ajo edhe i përballon kohës, duke qenë edhe në shërbim të opinionit lexues.
Ashtu sikur poezitë, edhe proza e Luljeta Abdullahut, në radhë të parë është meditative, vrojtuese e realitetit dhe punëve të përditshme, regjistruese e rasteve të pritura e të papritura, të jetës në punë, shoqëri apo në familje, në rrethanat e njohura e të pa njohura, që i sjellë jeta dhe me të cilat duhet ballafaqim për t’i përmbushur ato, në radhë të parë si detyra të obligueshme të profesionit. Ajo krijon duke qenë e pajisur me njohje të thellë të realitetit nisur nga materia, që zë fill nga thërrmijat atomike, formësohet në kohë e hapësirë, për t’u materializuar në një mendim filozofik mbi jetën dhe preokupimet ku njeriu gjallon, rropatet, sakrifikohet dhe mundohet ta gjejë veten, disi më ndryshe, apo thjesht, pajtohet me realitetin, sikur bëjnë shumica.
Në veprën meditative, dokumentare e artistike, 24 Orët e kujdesit mjekësor dhe rrëfimet e përditshme”autorja merret me kategoritë filozofike të makro dhe mikro-universit, sikur janë, koha dhe hapësira, materia, gjithësia, pafundësia, universi pa fill e mbarim, që janë kategori fizike e filozofike, metafizike e fetare, me të cilat janë marrë e merren shkencëtarët përgjithësisht, por edhe krijuesit, të cilët përmes imagjinatës së tyre ndërtojnë universin e mendimeve sepse: Jeta është e stërmbushur me sfida, me të pritura e të papritura, jeta të ballafaqon me botën tënde dhe botën rreth teje, ku ti mund të jesh edhe protagonist, por edhe vetëm një episod i një çasti tjetër kalimtar, sepse ajo paraqitet me të gjitha trajtat e veta, me të gjitha hiret, nga të cilat edhe mund të të anashkalojë, por nganjëherë të ballafaqon me rrebeshet e papritura të saj dhe pastaj varet, se cili do të jetë qëndrimi, që do të marrësh për të mbijetuar, dhe, deri kur do të mund të mbijetosh, sepse fundi gjithsesi një ditë vjen dhe nuk kthen prapa.
E kundruar nga aspekti krijues, Luljeta Abdullahu, refleksin meditativ e kap kalimthi, në kapërcim, dhe pastaj përmes diskursit artistik e sjellë me masën e kohës, duke krijuar imazhin e gjësendeve, ku nëpër detaje, me figuracion të pasur artistik e stilistik, krijon pasazhin e natyrës në lëvizje, e cila tretet në njëlloj simfonie të përjetësisë, ku të gjitha pjesët shkrihen në tërësinë e saj, ku ciklohet dhe riciklohet gjithçka sipas natyrës së gjërave, sipas ligjeve të jetës.
Luljeta e zotëron dhe e begaton me figuracion të pasur artistik, poezinë ashtu edhe prozën, rrëfimin shumë specifik, monologun e brendshëm e të pasur të stilit të Xhejms Xhojsit, sepse ajo pretendon të jetë diçka më shumë kur mediton, kur bota e ndjesive i sillet vërdallë dhe nuk mund të qëndrojë indiferente, por as nuk pranon të reagojë me patetikë e ofshama, apo ta demonstrojë troç mospajtimin e saj. Ajo tërë ketë gjendje e manifeston me maturi, pasi i kupton në esencë proceset dhe nuk habitet nga asgjë, duke qenë e vetëdijshme se jeta ka i ligjet e veta, të cilat edhe mund të na anashkalojnë, nëse nuk dimë të bashkohemi me to. Autorja e librit shkruan lirshëm, me kujdes e seriozitet, me thjeshtësi e modesti, por edhe me përgjegjësi, vëmendje e vetëpërmbajtje, pa paragjykime e mëri, përveç në ndonjë rast të caktuar.
Rrëfimet e caktuara të cilat i ka shënuar në data të caktuara, në radhë të parë kanë vlera dokumentare, individuale, familjare e kolektive.
…
Vepra letrare dokumentare, “24 Orët e kujdesit mjekësor dhe rrëfimet e përditshme” për nga aspekti i temave dhe përmbajtjeve që trajton është heterogjene, por në tërësinë e saj, ajo para së gjithash ka një strukturë organike të sintetizuar e cila rrjedhë nga përditshmëria, në punë, në rrethin ku punon vetë e me të tjerët, në familje e në shoqëri.
Me prezantimin e temave e përmbajtjeve, në këtë libër ajo përpiqet të diagnostifikojë, jo vetëm sëmundjet e pacientëve, por edhe jetën, fatin dhe preokupimet njerëzore.
Që në pjesën e pare të librit shkuan se “epitetit “doktor”, që shpreh një karakteristikë cilësore, nuk është emër personal, por epitet i atyre që kanë arritur ndriçimin e një fjale betimi, dhe kjo është një barrë me shumë sfida. Betimi i Hipokratit i dhënë, ju detyron dhe ju ngarkon me etikë mjekësore.
Nisur nga këto pozita ajo rrëfen për punën angazhimin, sidomos atë angazhim që bashkë me të tjerë kishte bërë gjatë pandemisë së coronavirusit: ne si staf dhamë kontributin tonë për aq sa na shqetësonte situata, andaj nga OMK dhe nga OIM jem i shpërblyer me nga një pllakate Mirënjohje, dhe unë në një postim e quajta “Kur bashkimi bëri fuqinë”. Jam përfshirë në këtë fushë për mbi 25 vjet, ne përdorim materiale radioaktive për të diagnostikuar dhe trajtuar disa sëmundje, pa asnjë përfitim shtesë.
Autorja e librit, Luljeta Abdullahu flet për lidhjet fiziologjike, veçanërisht ato shqisore, të cilat ekzistojnë midis anëtarëve të së njëjtës shoqëri, në çdo krijesë, por në shoqërinë njerëzore, si superlative dhe e përzgjedhur si më e avancuara dhe më e përsosura, por mbizotëron edhe mosmarrëveshja dhe ne jetojmë në shoqëri si të izoluar, pavarësisht se ndodhemi brenda saj. Shpëtimin e shoh vetëm tek ata që kanë të njëjtën ndjesi dhe pavarësisht distancave kush jeton ku, mund të jetë në një cep krejt tjetër të botes, kur ndjen një energji për të ndër-vepruar, mjafton të na japë shpresë për të justifikuar emërtimin e llojit (species) tonë e ashtuquajtur humane, që të mos robotizohen të gjithë dhe sigurisht se mund të dialogojmë.
Në profesionin human sikur është mjekësia, autorja na shpjegon se shpesh shtrohet pyetja, çfarë duhet të bëjmë, ose çfarë rruge duhet të zgjedhim, t’i kërkoni pacientit të nënshkruajë se nuk jeni në gjendje të përballoni studimin ose do t’ju duhet të kaloni ndonjëherë edhe tre orë derisa të arrini qëllimin për t’u qetësuar ai dhe se gjithçka do të shkojë ashtu siç është në rastin më të mirë. Ne shpesh i drejtohemi Zotit dhe e falënderojmë Atë, për të na hapur rrugën drejt begatisë, por doza e rrezikut është e ndryshme dhe befasirat mund të ndodhin në çdo moment.
Por kjo mund të prekë këdo, edhe ata që e marrin shumë seriozisht këtë dizajn ashtu thjeshtë shtruar, sepse ne nuk e mbajmë dakikun e shpirtit të askujt në dorë.
Në këtë vepër meditative, dokumentare e artistike, autorja ka prekur një “univers” të tërë temash, rrëfimesh, konstatimesh, analizash, interpretimesh, qasjeve ndër më të ndryshmet, si arsimi, edukimi, rrethi familjar e shoqëror, komunikimi dhe puna e përditshme, tejet e mundimshme, rrethi familjar e shoqëror, duke u marrë me to në kauzalitetin, varshmërinë, ndërvarshmërinë e tyre, nga të gjitha segmentet e vrojtimit.
Ajo shkruan se “Të jetosh në një planet me madhësinë e një grimce në horizontin e pafund, me privilegjet më të larta mbi krijesat e tjera në glob, është një dhuratë e pa krahasueshme që vetëdija jonë nuk mund ta imagjinojë ndonjëherë. Prandaj kur i drejtoj dikujt një urim, them, u bëfsh edhe ti gjysh a gjyshe, nuk ka gëzim më të madh e më të mire në këtë jetë. Dashuria, edukimi, përkushtimi janë virtytet thelbësore të një personi të formuar si duhet.
Tërë vepra është e sintetizuar në një lidhje konceptesh, idesh, perceptimesh, mendimesh e gjykimesh ndër më të ndryshmet që i prodhon përditshmëria, kauzaliteti, transcendentalja, e lidhur dhe e ndërlidhur në tërësinë e gjërave, të zhvilluara në kohën dhe hapësirën e caktuar dokumentare, ndërsa amalgamuar organikisht, në tërësinë e universales. Është interesante se si brenda një cikli të ditës dhe natës, ky 24 orë që nganjëherë mund të zgjasë më shumë ose më pak, mund t’ju sjellë të përjetoni energjinë e dridhjeve nga frekuenca dhe gjatësi vale të ndryshme…
Prej konceptesh dhe interpretimesh filozofike, që lidhen me jetën dhe meditimin, autorja bën digresione, për të sjellë pjesë nga ditari i përditshmërisë, i ndodhive të caktuara ditore, të cilat plotësojnë zbrazëtirat, vanitetin, monotoninë, me praninë e tyre kalendarike, si ditët e shënuara kombëtare e ndërkombëtare, festat, manifestimet, ekskursionet, vajtje- ardhjet në vende të ndryshme qoftë zyrtare e profesionale, njohjet rinjohjet, shkëmbimi i përvojave dhe i diturive dhe tërë një jetë në lëvizje, në punë, angazhim profesional, prezantim familjar e shoqëror.
Libri, trajton edhe segmente arsimuese, edukative, madje edhe moralizuese e predikuese, përsëritje rrethanash e ambientesh familjare, miqësore e shoqërore, të cilat janë pjesë e përditshmërisë, dhe, si të tilla ato nuk e rëndojnë veprën, por e zgjerojnë atë në tërësinë e paraqitjeve komplekse, duke bërë sa më të kuptueshme për lexuesin e pasionuar dhe studiuesin e letërsisë së mirëfilltë në kohën tonë, kur botohet gjithçka dhe nga kushdo qoftë… po secili sipas kutit të vet.
Bota dhe imagjinata krijuese e doktoreshës, Luljeta Abdullahu, në radhë të parë është realiste, pasi ka bazament dokumentaritetin, ndodhinë e pritur e të papritur të jetës personale dhe atyre me të cilët punon dhe jeton, rrëfimin e shënuar me qëllim mos-harrimi, sinqeritetin në interpretimin e përditshmërisë, pa e ekzagjeruar apo pa e paragjykuar me njëanshmëri, gjykimin kritik dhe korrekt, që buron nga intelekti dhe talenti për të rrëfyer bindshëm, lirshëm dhe pa pretendime megalomane.
Në këtë vështrim për veprën letrare, dokumentare, “24 Orët e Kujdesit dhe Përkujtimet e Kohës” të Luljeta Abdullahut, duke qenë redaktor, kam edhe shumëçka të vlerësoj e të gjykoj për këtë libër të veçantë, por nuk do të zgjatem për shkaqe që vetëkuptohen dhe që janë në akord me praktikën e përgjithshme të paraqitjes së mendimit e vlerësimit të veprës edhe për lexuesit.
Uroj që doktoresha Luljeta Abdullahu, të mos i ndahet profesionit, por as letërsisë, sepse ka çka thotë dhe di si ta thotë e ta shkruajë.
Ahmet Qeriqi
22.5.2024
Prishtinë
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
