Gjatë një hulumtimi në Arkivin e Kosovës, në kutinë nr. 55 të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, hasa në një dosje mjaft voluminoze, e cila përmbante materialet e një procesi gjyqësor të ngarkuar me domethënie historike. Bëhej fjalë për ndjekjen dhe dënimin e një grupi të tërë njerëzish, të akuzuar për dhënien e përkrahjes Hasan Aliut – Remnikut dhe shokëve të tij, gjatë kohës së veprimtarisë së tyre ilegale në fshatrat e Anamoravës.
Nga dokumentet shihet qartë se organet e UDB-së, pas një periudhe të gjatë përcjelljeje dhe survejimi, organizuan një valë arrestimesh midis datave 15–22 tetor 1952. Në këtë periudhë, tetë persona nga fshatrat Remnik, Bresalc dhe nga vetë qyteti i Gjilanit përfunduan në pranga. Arrestimet nuk ishin akt i izoluar, por pjesë e një skenari të mirëmenduar, ku hetuesia u përdor si mjet i dhunës për të prodhuar “fakte” dhe “dëshmi”.
Dosja zbulon qartë se gjatë hetimeve u ushtrua presion i skajshëm dhe dhunë e vazhdueshme ndaj të arrestuarve, deri në atë pikë sa deklaratat e tyre të fabrikuara nën torturë u shndërruan në bazën kryesore të aktakuzës. Megjithëse të gjithë të akuzuarit, në sallën e gjyqit, pohuan hapur se deklaratat e dhëna në hetuesi nuk ishin të vullnetshme, por të imponuara përmes presionit dhe maltretimit fizik e psikologjik, gjykata nuk ua dha vlerën që meritonin. Përkundrazi, ato u injoruan me qëllim, duke dëshmuar jo mungesë prove, por mungesë vullneti për drejtësi.
Këshilli gjykues i Gjykatës së Qarkut në Gjilan, në vend që të nxirrte në pah të vërtetën, u bë instrument i politikës shtypëse. Dënimet e mëdha që u shqiptuan ndaj të akuzuarve u mbështetën në deklarata të rreme, duke e shndërruar procesin gjyqësor në farsë, ndërsa gjykatën në arenë të ndëshkimit politik.
Ky rast dëshmon qartë natyrën e drejtësisë së asaj kohe: jo si hapësirë e së vërtetës dhe ligjit, por si mjet represiv i pushtetit për të shuar çdo zë që guxonte të shfaqte solidaritet ose përkrahje për rezistencën ilegale shqiptare.
Më 8 janar të vitit 1952, në sallën e Gjykatës së Qarkut në Gjilan u zhvillua një proces gjyqësor i cili mbetet dëshmi e qartë e mënyrës se si drejtësia e kohës ishte vënë në shërbim të represionit politik. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Ratomir Paternogiq, me anëtarët gjyqtarë-porotë Ibrahim Qerimin dhe Jusuf Shabin, si dhe me procesmbajtësin Sllobodan Zhivkoviq, kishte para vetes një grup të të akuzuarish që përfaqësonin shtresën e thjeshtë, por të vetëdijshme të shoqërisë shqiptare: Mehmet Ymeri, Daut Jakupi, Latif Haziri, Ismail Muja, Shefket Bunjaku, Ismail Qerolli, Arif Sherifi dhe Namon Qerolli.
Procesi nuk ishte i shpejtë e as formal. Ai zgjati disa ditë, me seanca të mbajtura më 3, 4, 5 dhe 7 janar, për të kulmuar më 8 janar, kur trupi gjykues shpalli aktgjykimin. Siç pritej, vendimi ishte uniform: të gjithë të akuzuarit u shpallën fajtorë. Akuza mbështetej në nenin 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë, një nen i përdorur shpesh si instrument politik për të eliminuar kundërshtarët dhe për të kriminalizuar çdo formë qëndrese apo solidariteti.
Ky aktgjykim nuk ishte produkt i një procesi të drejtë dhe transparent, por i një skenari të përgatitur më parë, ku dënimi ishte i sigurt dhe fajësia e të akuzuarve ishte e paracaktuar. Vetë fakti se të gjithë, pa përjashtim, u shpallën fajtorë tregon qartë se drejtësia nuk funksiononte mbi parimin e provave dhe të së vërtetës, por mbi logjikën e ndëshkimit kolektiv.
Ky rast ilustron natyrën e sistemit represiv, ku gjykata nuk përfaqësonte as mbrojtjen e ligjit dhe as shpresën e qytetarit, por shndërrohej në vegël të pushtetit politik për të përçuar frikë dhe për të shuar çdo zë që dilte jashtë kornizës së lejuar. Të akuzuarit, edhe pse individë të ndryshëm në moshë, profesion dhe përvojë, përfunduan të gjithë nën të njëjtën damkë- fajtorë ndaj shtetit.
Të akuzuarit ishin:
Të akuzuarit e këtij procesi nuk ishin figura të mëdha politike apo ushtarake, por njerëz të thjeshtë, që përfaqësonin realitetin fshatar të Anamoravës.
I pari ndër ta ishte Mehmet Ymeri, një bujk nga fshati Remnik, i lindur më 1929 nga babai Ymer dhe nëna Sadije, e familjes Xheladini. Ai përshkruhej si një njeri i zakonshëm, pa fëmijë, analfabet, me një gjendje ekonomike të mesme – as i pasur, as i varfër skajshmërisht. Në dokumentet e kohës shënohej thjesht si “shqiptar”, një përcaktim që në vetvete mbante peshë të rëndë në gjykimet e asaj kohe, sepse shpesh mjaftonte vetë kjo për t’u bërë i dyshuar.
Mehmeti kishte kryer shërbimin ushtarak dhe deri në atë kohë nuk kishte qenë i dënuar për asnjë vepër. Në fakt, jeta e tij kishte rrjedhur sipas modelit tipik të një bujku të përkushtuar ndaj tokës dhe punës së përditshme. Por më 22 tetor 1951, ai u arrestua nga organet e sigurimit, duke hyrë kështu në një kapitull të ri të jetës së tij – një kapitull ku nuk vlente më jeta e tij e thjeshtë e as fakti se ishte i papërfshirë më parë në ndonjë proces penal.
Figura e Mehmet Ymerit tregon qartë se si sistemi gjyqësor i kohës nuk bënte dallime mes atyre që kishin një të kaluar politike e atyre që nuk kishin. Për regjimin, mjaftonte të kishe një lidhje të dyshuar ose një afërsi të mundshme me rezistencën ilegale që të përfundoje në bankën e të akuzuarve. Në këtë mënyrë, Mehmet Ymeri, bujku i thjeshtë e analfabeti që jetonte me punën e tokës së tij, u shndërrua në një prej figurave të radhës në listën e “armiqve të shtetit”.
I dyti në listën e të akuzuarve ishte Daut Jakupi, i njohur në popull me nofkën “Kepa”. Ai ishte bujk nga fshati Livoqi i Epërm, por me prejardhje nga Sllakovci, ku kishte lindur në vitin 1891. Ishte biri i Jakupit dhe i Shahes, e lindur Shabani. Jeta e tij kishte qenë e thjeshtë, e lidhur me tokën dhe punën bujqësore, siç ishte rasti i shumicës së bashkëfshatarëve të tij. Ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, duke mbajtur mbi supe përgjegjësinë e një familje që jetonte me të ardhurat modeste të punës në ara.
Në dosjen gjyqësore ai paraqitej si njeri i gjendjes së mesme ekonomike, pa dënime të mëparshme dhe pa ndonjë histori të shënuar kriminale. Për këtë arsye, përfshirja e tij në listën e të akuzuarve dëshmonte më shumë logjikën e ashpër të pushtetit sesa ndonjë faj të vërtetë personal. Arrestimi i tij kishte ndodhur më 10 tetor 1951, dhe prej asaj dite ai ndodhej në burgun hetues, duke u ballafaquar me pyetje, presione dhe dhunë, si pjesë e procesit të montuar politikisht.
Figura e Daut Jakupit është domethënëse për të kuptuar përmasat e represionit: një bujk i zakonshëm, pa përvojë në veprimtari ilegale, pa të kaluar gjyqësore, megjithatë i përfshirë në rrethin e të akuzuarve politikë vetëm pse pushteti kishte nevojë për shembuj ndëshkimi. Jeta e tij dëshmon se burgjet e Jugosllavisë nuk u mbushën vetëm me aktivistë të njohur, por edhe me njerëz të thjeshtë që, pa dashje, u bënë viktima të një skeme represive që synonte frikësimin dhe nënshtrimin e mbarë shoqërisë shqiptare.
I treti në radhën e të akuzuarve ishte Latif Hetem Haziri, një bujk nga fshati Bresalc, i lindur në vitin 1923. Ai ishte biri i Hetemit dhe i Bahtijes, e lindur Rashiti. Jeta e tij ishte e thjeshtë dhe pa bujë: i pamartuar, analfabet, i lidhur me punët e tokës dhe me ritmin e jetës fshatare. Kishte kryer shërbimin ushtarak, ashtu siç kërkohej nga shteti i kohës, ndërsa ekonomikisht përshkruhej si pjesëtar i një familjeje me gjendje të mesme – as i pasur, por as i zhytur në varfëri ekstreme.
Për gati tre dekada, Latifi nuk kishte pasur asnjë konflikt me ligjin. Dosjet e kohës e dëshmojnë se deri më 28 shtator 1951 ai ishte i padënuar, një qytetar i zakonshëm që nuk kishte lënë asnjë gjurmë të “rrezikshme” në sytë e pushtetit. Por pikërisht kjo e bënte më të qartë arbitraritetin e akuzave që u ngritën më vonë ndaj tij. Fakti që dikush si Latifi, pa arsim, pa ndikim politik e pa lidhje publike, mund të shpallej fajtor e të përfshihej në procese të montuara, ishte tregues i qartë se drejtësia e kohës nuk funksiononte mbi bazën e provave, por mbi bazën e nevojës për të gjetur fajtorë.
Figura e Latif Hazirit është pasqyrë e qartë e politikës së dënimit kolektiv. Në vend që të përzgjidheshin individë me përgjegjësi konkrete, në bankën e të akuzuarve përfundonin bujq të thjeshtë, të cilët nuk kishin as zë publik, as mbrojtje. Në këtë mënyrë, pushteti arrinte të përçonte mesazhin e tij te masa e gjerë fshatare, se askush nuk ishte i sigurt, dhe se ndëshkimi mund të binte mbi këdo, pavarësisht jetës së tij të mëparshme.
I katërti ndër të akuzuarit ishte Ismail Deli Muja, një bujk i thjeshtë nga fshati Bresalc, i lindur në vitin 1911. Ai ishte biri i Delisë dhe i Hetemes, e lindur Pajaziti. Jeta e tij, ashtu si ajo e shumë bashkëfshatarëve, kishte qenë e mbështetur mbi punën e tokës dhe përpjekjen e përditshme për mbijetesë. Ishte i martuar dhe baba i tre fëmijëve, mbi supe mbante barrën e një familjeje që varej plotësisht nga mundi i tij.
Ismaili vinte nga një familje e varfër, dhe kjo varfëri e trashëguar e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës. Nuk kishte arritur të mësonte shkrim e lexim, duke mbetur analfabet – një gjendje e zakonshme për shumë shqiptarë të kohës, të cilëve u ishte mohuar qasja në arsim. Megjithatë, si çdo qytetar i thjeshtë, kishte kryer shërbimin ushtarak, duke iu përmbajtur detyrimeve që shteti i kërkonte.
Përkundër kësaj jete të thjeshtë, larg çdo pozite politike apo ndikimi shoqëror, Ismail Muja u arrestua më 15 tetor 1951 dhe u mbyll në burgun hetues. Nga një baba që kujdesej për fëmijët e tij dhe një bujk që jetonte me punën e tokës, ai u shndërrua papritur në një “armik” sipas logjikës së pushtetit. Arrestimi i tij nuk ishte pasojë e ndonjë vepre konkrete, por pjesë e një fushate më të gjerë represioni, ku njerëz të zakonshëm përdorëshin si shembuj ndëshkimi.
Figura e Ismail Mujës na kujton se regjimi nuk përzgjidhte vetëm individë me aktivitet të dukshëm politik. Përkundrazi, ai synonte të frikësonte komunitetin duke prekur ata më të pambrojturit – bujqit, analfabetët, familjarët që kishin vetëm një pasuri, fëmijët dhe nderin e tyre. Arrestimi i tij ishte mesazh i qartë se as varfëria dhe as thjeshtësia e jetës nuk të shpëtonin nga rrota e dhunës shtetërore.
I pesti në radhën e të akuzuarve ishte Shefket Mustafë Bunjaku, një rrobaqepës i thjeshtë nga Gjilani, i lindur më 1919 nga babai Mustafë dhe nëna Elife, e lindur Ymeri. Jeta e tij nuk kishte qenë e lehtë, me një familje të madhe për të mbajtur dhe me gjendje të rëndë ekonomike, ai ishte i martuar dhe baba i pesë fëmijëve, të cilëve përpiqej t’u siguronte jetesën me mjeshtërinë e tij të punës së dorës.
Shefketi nuk ishte as i arsimuar, as i pasur, as figurë me ndikim publik. Ai ishte pjesë e shtresës së varfër të qytetit, një njeri që e kalonte jetën duke punuar për të mbajtur familjen, pa u përfshirë në çështje të mëdha politike. Si çdo qytetar, kishte kryer edhe shërbimin ushtarak, duke e përmbushur detyrimin ndaj shtetit. Por, pavarësisht kësaj, më 15 tetor 1951, ai u arrestua dhe u bë pjesë e një procesi gjyqësor që nuk kishte për qëllim drejtësinë, por shantazhin dhe frikësimin kolektiv.
Rasti i Shefket Bunjakut tregon se mekanizmi represiv nuk kufizohej vetëm në fshatrat apo mes bujqve të thjeshtë, por shtrihej edhe në qytet, duke përfshirë zejtarët dhe punëtorët e varfër. Për regjimin, nuk kishte rëndësi statusi i njeriut. Edhe një rrobaqepës që jetonte në varfëri, i ngarkuar me barrën e pesë fëmijëve, mund të shpallej “armik i shtetit”.
Kështu, Shefketi u bë shembull i qartë se si dhuna shtetërore nuk kursente askënd dhe se të gjithë ishin të prekshëm. Nëpërmjet dënimit të tij, pushteti dërgonte një mesazh të ftohtë: edhe më i dobëti, më i varfëri, ai që nuk ka tjetër përveç punës së tij dhe përgjegjësisë ndaj familjes, mund të gjendet në bankën e të akuzuarve.
I gjashti ndër të akuzuarit ishte Ismail Qorrolli, një bujk nga Gjilani, me origjinë nga fshati Bresalc, ku kishte lindur më 1906. Ishte biri i Ramadanit dhe i Xhemiles, e lindur Maloku. Jeta e tij kishte qenë e thjeshtë dhe e mundimshme. I martuar dhe baba i pesë fëmijëve, ai ishte i detyruar të siguronte jetesën e familjes përmes punës në arë, megjithëse gjendja ekonomike ishte e varfër dhe plot mungesa.
Ndryshe nga shumë bashkëfshatarë të tij, Ismaili kishte arritur të mësonte shkrim e lexim, jo nëpër shkolla, por si autodidakt, duke përvetësuar dije vetë, me përpjekje dhe kuriozitet personal. Kjo e dallonte prej të tjerëve, duke i dhënë atij njëfarë respekti në rrethin ku jetonte, por njëkohësisht e bënte edhe më të ekspozuar ndaj dyshimit të pushtetit, i cili shpesh i shihte me sy tjetër ata që dinin të lexonin e të shkruanin.
Si çdo qytetar, ai e kishte kryer shërbimin ushtarak dhe deri në atë kohë nuk kishte qenë i dënuar kurrë. Në fakt, dosja e tij dëshmon për një jetë të zakonshme, larg çdo aktiviteti që mund të cilësohej politik apo armiqësor. Por më 17 tetor 1951, ai u arrestua dhe përfundoi në burgun hetues, duke u futur në orbitën e një procesi gjyqësor që kishte më shumë të bënte me fabrikimin e fajësisë sesa me zbulimin e së vërtetës.
Ismail Qorrolli është shembulli i gjallë i mënyrës sesi regjimi i kohës nuk kursente as njerëzit më të zakonshëm e më të pafajshëm. Ai, një bujk i varfër dhe baba i pesë fëmijëve, u shndërrua në “armik të shtetit” vetëm pse pushteti kishte nevojë për viktima për të legjitimuar politikën e tij të frikës. Arrestimi i tij përçon mesazhin e qartë se as varfëria, as jeta e thjeshtë, as mungesa e një të kaluare kriminale nuk mbronin njeriun nga arbitrariteti i dhunës shtetërore.
I shtati në listën e të akuzuarve ishte Arif Sherifi, një bujk i ri nga fshati Remnik, i lindur më 1932, nga babai Sherif dhe nëna Rabë, e lindur Rama. Jeta e tij kishte nisur dhe kishte rrjedhur në varfëri, ashtu siç ndodhte me shumë familje shqiptare të kohës, të cilat mbijetonin vetëm me punën e tokës.
Edhe pse nuk kishte pasur mundësinë të shkollimit formal, Arifi kishte arritur të mësonte shkrim e lexim si autodidakt, duke u dalluar nga bashkëmoshatarët e tij. Ky fakt dëshmon për një shpirt kërkues dhe për një dëshirë për dije, që e ngrinte mbi kufijtë e zakonshëm të fshatit ku kishte lindur. Por pikërisht ky element, në një shoqëri ku pushteti i dyshonte ata që guxonin të dinin më shumë, shpeshherë kthehej në arsye për të tërhequr mbi vete shigjetat e dyshimit.
Arif Sherifi ishte ende i pamartuar, një djalë i ri me të ardhme të hapur, kur më 22 tetor 1951 u arrestua dhe u fut në rrethin e hekurt të hetuesisë gjyqësore. Për një të ri të thjeshtë, i cili nuk kishte asnjë histori penale e as përfshirje politike të njohur, arrestimi ishte i papritur dhe i pashpjegueshëm. Mirëpo në logjikën e asaj kohe, nuk kishte rëndësi nëse dikush ishte fajtor apo jo; mjaftonte përkatësia, rrethi i jetës, ose thjesht nevoja e pushtetit për të treguar forcë.
Figura e Arif Sherifit është përfaqësuese e gjeneratës së re shqiptare që u godit rëndë nga represioni. Një djalosh i thjeshtë, që ende nuk kishte krijuar familje e nuk kishte jetuar plotësisht rininë e tij, u përball me dhunën e shtetit dhe u shndërrua në viktimë të një procesi të montuar. Kështu, në vend të tokës që duhej punuar dhe të ëndrrave që duhej ndjekur, ai u gjend në qelitë e ftohta të burgut, simbol i një rinie të vjedhur.
Në procesverbalin e datës 22 tetor 1951, të hartuar në zyrat e UDB-së në Gjilan, del në pah edhe rrëfimi i të akuzuarit të fundit, Namon Qerrollit. Ai pranon se kishte njohur Hasan Remnikun dhe se përmes tij kishte ardhur në kontakt me të arratisurin Agush Mehmeti, një figurë e njohur e rezistencës shqiptare, i cili më herët kishte qenë i dënuar me vdekje. Kjo dëshmi nuk paraqet vetëm një akt deklarimi individual, por shpalos mënyrën se si sistemi represiv i kohës ndërtonte rrjetet e akuzave dhe lidhjeve të supozuara për të përforcuar narrativën e tij mbi “armiqtë e shtetit”.
Në aspektin analitik, procesverbali i Qerrollit është një dëshmi tipike e metodave hetimore të strukturave jugosllave të sigurimit, ku pranimet shpesh nxirreshin nën presion psikologjik ose dhunë fizike. Përmes këtij dokumenti, ku ndërthuren emra, njohje dhe “ndërmjetësime” mes të arratisurve dhe atyre që kishin mbetur në Kosovë, UDB-ja kërkonte të krijonte një rrjet të gjerë përgjegjësish, duke kriminalizuar çdo formë komunikimi apo solidariteti me kundërshtarët politikë.
Në këtë kuptim, dëshmia e Qerrollit mund të lexohet si një reflektim i atmosferës së frikës dhe kontrollit që mbizotëronte në vitet ’50, kur çdo lidhje njerëzore mund të interpretohej si bashkëpunim armiqësor. Ajo paraqet një pjesë të rëndësishme të mozaikut të dhunës institucionale dhe përpjekjeve për ta thyer shpirtin e rezistencës shqiptare nëpërmjet procesesh të montuara dhe dëshmive të detyruara.
Namoni, një fshatar i thjeshtë nga Bresalci, përfaqëson tipologjinë e njeriut të zakonshëm të Kosovës së mesit të shekullit XX — një figurë që, megjithëse e përfshirë në vorbullën e ngjarjeve politike të kohës, mbetet e lidhur ngushtë me jetën e tokës, familjes dhe mbijetesës. I lindur më 1911 nga prindërit Beqir dhe Bahtije Gjeqi, ai ishte fryt i një bote ku puna e dorës dhe ndershmëria përbënin pasurinë më të madhe të një njeriu. Martesa dhe pesë fëmijët që kishte lënë pas dëshmojnë për përkushtimin e tij ndaj familjes dhe jetës rurale, që në atë kohë ishte shtylla themelore e shoqërisë kosovare.
Në aspektin socio-historik, profili i Namonit pasqyron realitetin e asaj shtrese të gjerë të popullsisë shqiptare, e cila përballë transformimeve politike të dhunshme dhe aparatit represiv shtetëror, mbetej shpesh viktimë e padijes, varfërisë dhe mungesës së mbrojtjes ligjore. Ai ishte analfabet dhe nuk e kishte përfunduar shërbimin ushtarak – dy elemente që në kontekstin e shtetit jugosllav të pasluftës interpretoheshin si tregues të mungesës së “vetëdijes qytetare” apo si shenjë mosbesnikërie ndaj pushtetit.
Fakti se Namoni kishte qenë më parë i dënuar për një periudhë të shkurtër tre mujore e vendos atë në një pozitë të cenueshme përpara autoriteteve të UDB-së, të cilat kërkonin me çdo kusht të gjenin apo fabrikonin fakte që lidheshin me “elementët armiqësorë”. Arrestimi i tij më 17 tetor 1951 dhe dërgimi në burgun hetues dëshmojnë për mënyrën se si organet e ndjekjes vepronin ndaj njerëzve të zakonshëm – duke i trajtuar si pjesë të një rrjeti të supozuar kundërshtues, edhe kur ata nuk kishin as arsim, as ndikim, as mundësi reale për veprim politik.
Në këtë kuptim, figura e Namon Qerrollit shndërrohet në një simbol të njeriut të heshtur që u bë pre e një sistemi arbitrar, ku fati personal nuk përcaktohej nga veprimi i vërtetë, por nga dyshimi dhe frika e pushtetit. Ai mbetet një dëshmi e dhimbshme e një kohe kur jeta e njeriut të thjeshtë shqiptar varej nga vullneti i strukturave shtetërore, e jo nga drejtësia apo e vërteta.
Gjykata, në përfundim të procesit, i shpalli të gjithë të akuzuarit fajtorë, duke pretenduar se ata kishin kryer “vepra penale” gjatë viteve 1950–1951. Sipas aktgjykimit, ata akuzoheshin për lidhjet që kishin pasur me të arratisurit Hasan Ali – Remniku, Agush Hetemin dhe Mustafë Rashitin, të quajtur “Koka”, për shkak se vinte nga fshati Kokaj, pranë Pogragjës së Gjilanit. Në arsyetimin e gjykatës, ky bashkëpunim interpretohej si mbështetje aktive ndaj ilegales, duke përfshirë akte që në realitet ishin shprehje solidariteti njerëzor dhe atdhetar.
Sipas dosjes gjyqësore, ndihma e dhënë ndaj këtyre të arratisurve kishte përfshirë gjeste të thjeshta dhe jetike- sigurimin e strehimit për t’i shpëtuar ndjekjes, furnizimin me ushqime dhe veshmbathje, madje edhe sigurimin e armëve dhe të uniformave të ndryshme të policisë. Për regjimin, këto gjeste ishin “krime kundër shtetit”, ndërsa për të akuzuarit, ato ishin shprehje e një kodi moral dhe kombëtar, që i bënte të mos e braktisnin mikun, shokun apo bashkëfshatarin në kohë të vështirë.
Në të shumtën e rasteve, ata kishin siguruar vendstrehime të sigurta për të arratisurit, duke u bërë hallka e domosdoshme e mbijetesës së tyre. Por, përveç strehimit, ata shërbenin edhe si lidhje mes radhëve të ilegales, duke ruajtur komunikimin dhe duke mbajtur gjallë rrjetin e rezistencës. Në këtë mënyrë, bujq të varfër, zejtarë e njerëz të thjeshtë, u shndërruan në “armiq të shtetit” vetëm pse nuk e mohuan ndjenjën e tyre të solidaritetit.
Ky aktgjykim tregon se drejtësia e kohës nuk dënonte thjesht vepra të dhunshme apo komplot politik, por kriminalizonte vetë vlerat e mikpritjes, të ndihmës dhe të besës, që për shqiptarët kishin qenë pjesë e pandashme e kulturës dhe etikës së tyre. Çdo kafshatë e ndarë, çdo derë e hapur, çdo fjalë e përcjellë, kthehej në “provë” për fajësi. Dhe kështu, gjykatat nuk ishin më vend i drejtësisë, por instrument i shtetit për të shuar çdo formë qëndrese e për ta bërë vetë humanizmin akt të dënueshëm.
Në përfundim të hetimeve dhe të gjithë këtij procesi të stisur, aktakuza përpiqej të nguliste bindjen se të akuzuarit kishin kryer “krime të rënda” kundër shtetit jugosllav. Sipas versionit zyrtar, kur të arratisurit e kuptuan se qëndrimi i mëtejshëm në Kosovë nuk ishte më i sigurt, ata vendosën të largoheshin drejt Shqipërisë. Pikërisht në këtë moment, njëri nga të akuzuarit, duke shfrytëzuar lidhjet e tij, arriti t’u siguronte një njeri besnik që do t’i shoqëronte deri në kufi, për t’i kaluar në mënyrë të sigurt përtej vijës ndarëse.
Gjatë gjithë kësaj kohe, të arratisurit mbaheshin të fshehur nga vetë të akuzuarit, të cilët me vetëdije, siç pretendohej në dosje, pengonin organet e rendit dhe të sigurimit që të kapnin apo t’i arrestonin. Ata u jepnin informata të gabuara policisë, duke i çuar në drejtime të tjera, ndërsa në të njëjtën kohë krijonin kushte që të arratisurit të mund të vepronin, të ruanin lirinë dhe të vazhdonin luftën e tyre kundër rendit të ri shoqëror dhe politik të instaluar në Jugosllavi.
Gjykata, duke u mbështetur në këto akuza, i përshkroi të gjithë si “armiqësisht të disponuar” ndaj shtetit jugosllav. U konsiderua se, me çdo mjet, ata kishin synuar rrënimin e sistemit politik të kohës dhe se, përmes veprimeve të tyre – strehimit, ndihmës, orientimit të gabuar të policisë – kishin kryer vepra penale kundër popullit dhe shtetit, në bazë të nenit famëkeq 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë.
Në thelb, ky ishte thelbi i farsës gjyqësore, një akt ndihme, një gjest solidariteti njerëzor dhe kombëtar, u shndërrua në “krim kundër popullit”. Mikpritja dhe besa shqiptare, të cilat kishin mbajtur gjallë lidhjet mes njerëzve në kohët më të vështira, u kriminalizuan. Shteti e interpretoi nderin dhe humanizmin si akt armiqësor, duke i kthyer njerëzit e zakonshëm në “armiq të përbetuar”. Në këtë mënyrë, gjykatat nuk ishin më institucione të drejtësisë, por vegla të frikës dhe të shantazhit politik, që i jepnin legjitimitet dhunës së pushtetit.
Në bazë të aktgjykimit me nr. K-23/51, të shpallur më 8 janar 1952 nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, u dha vendimi përfundimtar ndaj të akuzuarve, duke i shpallur fajtorë sipas nenit 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë dhe duke u shqiptuar dënime të rënda me burg. Ky aktgjykim është shembull i qartë se si drejtësia e kohës u shndërrua në një instrument politik, ku dënimi ishte i paracaktuar, ndërsa akuza u ndërtua mbi dëshmi të nxjerra me dhunë e presion.
Sipas këtij vendimi:
- Mehmet Ymeri (1929), bujk nga Remniku, u dënua me 4 vjet burg të rëndë.
- Daut Jakupi (1891), bujk nga Gjilani, u dënua me 7 vjet burg të rëndë.
- Latif Haziri (1923), bujk nga Bresalci, u shpall fajtor sipas nenit 120, me një dënim që nuk dallonte nga të tjerët në ashpërsi.
- Ismail Muja (1911), bujk nga Bresalci, u dënua me 7 vjet burg të rëndë.
- Shefqet Bunjaku (1919), rrobaqepës nga Gjilani, u dënua me 3 vjet burg të rëndë.
- Ismail Qerrolli (1906), bujk nga Gjilani, u dënua me 3 vjet burg të rëndë.
- Arif Sherifi (1932), bujk nga Remniku, u dënua me 4 vjet burg të rëndë.
- Namon Qerrolli (1911), bujk nga Bresalci, u dënua me 5 vjet burg të rëndë.
Në këtë mënyrë, të gjithë u shpallën fajtorë, duke u futur nën të njëjtën damkë, pavarësisht moshës, profesionit apo kushteve të jetës. Pothuajse të gjithë ishin bujq të varfër, me familje të mëdha dhe me një jetë të thjeshtë, të cilëve shteti iu imponoi etiketën e “armikut”. Ky gjykim nuk dënonte vetëm individët, por ishte një mesazh i drejtpërdrejtë për tërë shoqërinë shqiptare, se çdo akt ndihme, çdo solidaritet njerëzor, çdo përkrahje ndaj atyre që luftonin për liri, do të paguhej shtrenjtë.
Ky aktgjykim mbetet dëshmi e hidhur se si sistemi juridik i kohës nuk kërkonte drejtësi, por prodhonte fajësi. Dënimet ishin të ashpra, të njëtrajtshme dhe të qëllimshme, për të mbjellë frikë e nënshtrim në zemrat e shqiptarëve. Në vend të ligjit, mbizotëronte arbitrariteti; në vend të të vërtetës, sundonte dhuna dhe urdhri politik.
Për ta bërë sa më të besueshme fajësinë e të akuzuarve, gjykata përfshiu në aktgjykim edhe pretendime për “prova materiale”, të cilat gjoja ishin zbuluar gjatë bastisjeve në shtëpitë e tyre. Në arsyetimin e vendimit thuhej se ishin gjetur dhe sekuestruar “gjëra të uzurpuara”, por pa dhënë asnjë shpjegim konkret se çfarë ishin këto sende dhe çfarë lidhje kishin me veprimtarinë e supozuar ilegale. Kjo gjuhë e përgjithshme dhe e paqartë dëshmon më shumë synimin për të krijuar imazhin e një faji sesa për të provuar realisht fajësinë.
Në dokumentet e procesit gjyqësor përmendet se, sipas procesverbalit me nr. 523, më 17 tetor 1951, nga shtëpia e Mehmet Ymerit ishin marrë “gjërat” me numra rendorë nga 1 deri në 10. Po ashtu, më 20 tetor 1951, nga shtëpia e Latif Hazirit ishin marrë sende me numra rendorë nga 1 deri në 7. Ndërsa më 15 tetor 1951, nga Ismail Muja u sekuestruan gjëra të shënuara me numrin 24. Nga ana tjetër, më 16 tetor 1951, te Ismail Qerrolli u morën sendet e evidentuara me numra rendorë nga 1 deri në 3, të cilat, sipas aktgjykimit, do të shërbenin për “hulumtime të mëtejshme”.
Megjithatë, ajo që bie në sy është fakti se askund nuk specifikohej se çfarë ishin këto sende, cilat ishin tiparet e tyre apo në ç’mënyrë ato vërtetonin akuzën. Vetëm lista me numra rendorë mbeti si dëshmi, pa kurrfarë përmbajtjeje reale. Ky boshllëk në arsyetimin gjyqësor e shndërron aktgjykimin në një dokument që nuk ngre peshë juridike, por vetëm politike. Në vend që të paraqiste fakte të prekshme, gjykata përdorte formulime të mjegullta, duke lënë të kuptohej se qëllimi nuk ishte të vërtetohej faji, por të prodhohej një narrativë që e legjitimonte ndëshkimin.
Ky detaj është tregues i metodës me të cilën pushteti e përdorte “drejtësinë”: çdo element, qoftë edhe një send i zakonshëm i marrë nga shtëpia e të akuzuarit, mund të kthehej në “provë fajësie”. Në këtë mënyrë, të akuzuarit jo vetëm që u shpallën fajtorë pa fakte, por edhe iu mohua e drejta për t’u përballur me prova konkrete. Kjo e bën aktgjykimin jo akt të drejtësisë, por shembull të manipulimit ligjor për interesa politike.
Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan, me numër 14/51 të datës 10 dhjetor 1951, një grup qytetarësh shqiptarë – Mehmet Ymeri, Daut Jakupi, Latif Haziri, Ismail Muja, Shefket Bunjaku, Ismail Qerrolli, Arif Sherifi dhe Namon Qerrolli – u shpallën fajtorë në bazë të nenit 120 të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Akuza e ndërthurte dëshmi të ashtuquajtura “materiale” me interpretime të fabrikuara, duke krijuar narrativën se këta persona kishin bashkëpunuar me të arratisurit politikë.
Në përmbajtjen e saj, aktakuza pohonte se gjatë verës së vitit 1951, të akuzuarit ishin takuar me Hasan Aliun – Remnikun dhe shokët e tij. Ky takim, sipas dosjes, kishte ndodhur në një fushë, duke filluar që nga ora e drekës dhe duke vazhduar deri në mbrëmje të po asaj dite. Vetë fakti i një takimi, pa veprime të tjera të dokumentuara, ishte interpretuar nga gjykata si provë e mjaftueshme e “krimit”.
Vijon
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
