Joschka Fischer: NATO ndërhyri në Kosovë sepse liria nuk fitohet duke heshtur – Europa sot ka nevojë për guxim, jo pacifizëm

Në një intervistë të thelluar për “Süddeutsche Zeitung”, ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, rikthehet tek një nga momentet më vendimtare të politikës europiane – ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, duke e mbrojtur qartë dhe pa ekuivoke angazhimin e tij të fundviteve ’90 për çlirimin e popullit shqiptar nga represioni i Beogradit. Ai thekson se vendimi i tij nuk ishte taktik, por i rrënjosur në një parim moral: solidaritet me viktimat dhe kundërshtim ndaj agresionit. I pyetur se si arriti t’i bindte të Gjelbrit të hiqnin dorë nga pacifizmi tradicional, Fischer u përgjigj prerë: “Nuk jam njeri që predikon t’i kthesh faqen tjetër kur goditesh. Liria kërkon që të jesh në anën e atyre që luftojnë për të. Hitlerin nuk e mundën njerëzit që rrinë këmbëkryq”. Në këtë frymë, ai rikujtoi se ndërhyrja në Kosovë nuk ishte vetëm akt politik, por provë morale dhe e vetmja votë madhore që ai arriti ta fitonte brenda një partie ku shpesh kishte humbur shumicën. Fischer vlerëson se paqeja afatgjatë nuk ndërtohet mbi iluzione. Sipas tij, Gjermania, e rritur për dekada nën ombrellën e sigurisë amerikane, është bërë “pacifiste strukturore”, por realiteti i sotëm kërkon lidership të ri dhe vendime të maturuara. Europa, thotë ai, duhet të mendojë për mbrojtjen dhe aftësinë e saj strategjike përtej kufijve të BE-së: me Britaninë, Norvegjinë dhe me shtyllën e qëndrueshme të NATO-s – për aq kohë sa kjo aleancë mbetet e pacenueshme. Në fund, Fischer tingëllon paralajmërues: një Europë e zhytur në nacionalizma do të ishte katastrofale – politikisht, ekonomikisht dhe gjeostrategjikisht. Pa unitet, thotë ai, kontinentit i humbet pesha globale dhe bie në margjinalizim. Prandaj, për të, mësimi nga Kosova, nga historia dhe nga sfidat e sotme është i qartë: liria dhe siguria mbrohen me vendime të guximshme, jo me heshtje.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …