Hykmete Bajrami sfidon Albin Kurtin: Në vend që të akuzojë opozitën për Radoiçiqin, le të tregojë si e la të ikte

Ish-deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kundërshtuar ashpër akuzat e kryeministrit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes, të cilët pretendojnë se opozita ka pasur lidhje me Milan Radoiçiqin. Ajo tha se këto pretendime janë të pabazuara, duke theksuar se partitë opozitare nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes shtetërore që nga ardhja e Kurtit në pushtet në vitin 2021. Bajrami e sfidoi Kurtin me pyetjen se si u lejua arratisja e Radoiçiqit në momentin kur autoritetet e Kosovës deklaruan se grupi i tij ishte i rrethuar në Banjskë. Ajo u shpreh se pamjet filmike tregojnë qartë se është krijuar një korridor që i mundësoi largimin, ndërsa qeveria – sipas saj – nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim zyrtar. “Kur i ke pasur në syrin e kamerave, ke mundur t’i kesh edhe në objektivin e snajperëve. Si është e mundur që nuk u ndalua? Pse u lejua të ikë në mes të ditës?”, ka deklaruar Bajrami, duke shtuar se përgjegjësia i takon institucioneve që menaxhojnë sigurinë. Ajo kritikoi qeverinë edhe për faktin se grupi i Radoiçiqit nuk është shpallur zyrtarisht organizatë terroriste, pavarësisht sulmit të armatosur të 24 shtatorit. Sipas Bajramit, akuzat e Kurtit ndaj opozitës janë tentativë për të shmangur përgjegjësinë për çështjen e ikjes së Radoiçiqit dhe menaxhimin e situatës së sigurisë.

Kontrolloni gjithashtu

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars

Mark Rutte kërkon veprim nga Serbia: Të mbajë përgjegjës autorët e sulmit në Banjskë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca pret nga Serbia që …