Më 1 dhjetor 2022, Ndërmarrja Hidro-Ekonomike “Ibër Lepenci” njoftoi publikisht se Faruk Mujka ishte emëruar Kryeshef Ekzekutiv përmes një procesi “të ligjshëm” përzgjedhjeje. Por dokumentet e siguruara nga VOX Kosova nga dosja e Prokurorisë dëshmojnë një realitet krejt tjetër: konkursi ishte vetëm formalitet, ndërsa pozita ishte e ndarë paraprakisht nga krerët e Vetëvendosjes. Sipas komunikimeve të nxjerra nga telefonat e konfiskuar të Mujkës, ai ka qenë në koordinim të vazhdueshëm me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, Albulena Haxhiun dhe zyrtaren e VV-së Dejona Mihaili. Mesazhet në WhatsApp zbulojnë se përzgjedhja e Mujkës ishte vendosur që në fazën e aplikimit, ndërsa intervistat dhe testimet shërbenin vetëm për mbulim formal. Në një mesazh të datës 1 shtator 2022, Dejona Mihaili i shkruan Mujkës se “të gjithë janë OK” me aplikimin e tij, duke i kërkuar që të takohet me ministren Rizvanolli. Takimi realizohet menjëherë, ndërsa nga komunikimet kuptohet qartë se procesi ishte i dirigjuar politikisht. Në vazhdim, Mujka kërkon edhe “aminin” e kryeministrit Albin Kurti, për çka i drejtohet sërish Rizvanollit, e cila e qetëson duke i thënë “pa merak”. Vetëm pak ditë pas intervistës, Mujka merr mesazhin final: “Urime kryeshef. Suksese!” Mesazhet dëshmojnë se emërimi i Mujkës nuk ishte rezultat i meritës, por i një skeme të mirë organizuar partiake për kapjen e një ndërmarrjeje publike strategjike, e cila ofron kontroll mbi punësime dhe financa.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
