Fatmir Humolli: Fjalë të mëdha pa garanci realizimi

Kritikave ndaj premtimeve elektorale për rritjen e pagës minimale, pensioneve dhe shtesave sociale i është bashkuar edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli. Ai vlerëson se këto premtime janë shndërruar në një praktikë të zakonshme të fushatave zgjedhore, ku flitet me tone të larta, por pa pasur garanci reale për zbatimin e tyre. Humolli ka theksuar se partitë politike shpesh japin premtime të parealizueshme, duke mos marrë parasysh kufizimet buxhetore. Sipas tij, në kushte normale, secila parti ka një buxhet përafërsisht të caktuar, gjë që i bën shumë nga këto zotime të pamundura për t’u realizuar. Ish-deputeti thekson se problemi kryesor qëndron te mungesa e ndëshkimit politik nga elektorati. Sipas Humollit, qytetarët ende nuk po i penalizojnë partitë dhe politikanët që nuk i mbajnë premtimet e dhëna gjatë fushatave zgjedhore. “Është e domosdoshme që qytetarët të mësohen t’i dënojnë ata që nuk i realizojnë premtimet,” ka deklaruar Humolli. Ai shton se klasa politike ka krijuar një perceptim të gabuar, sipas të cilit politikan më i mirë konsiderohet ai që premton më shumë dhe flet më fort. Në këtë kontekst, Humolli apelon që qytetarët të kërkojnë llogaridhënie konkrete dhe zbatim real të premtimeve, e jo vetëm deklarata publike gjatë fushatës. Sipas tij, vetëm përmes presionit qytetar dhe ndëshkimit me votë mund të ndryshohet kjo kulturë politike e premtimeve të pambajtura.

Kontrolloni gjithashtu

Kapje brutale e shtetit: Dosja e Mujkës tregon se si pushteti ndërhyri për të dhunuar ligjin dhe konkurrencën

Bisedat e zbardhura nga telefoni i Faruk Mujkës përbëjnë një aktakuzë të rëndë morale dhe …