Urim i pazakontë për liribërësit për Vitin e Ri 2026
URIM I NISUR PËR NË HAGË-ATJE KU SOT ËSHTË LIRIA DHE SHTETI I KOSOVËS…!
Miq të dashur,
I dashur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi , unë nuk po ju shkruaj këtë urim siç urohen Krishtlindjet apo Bajrami, as siç shkruhen urimet e zakonshme për ditëlindje. Po ua dërgoj një urim të veçantë për Vitin e Ri 2026. Urimin e adresova për në Hagë ku po gjykohet Liria –një Urim nga Kosova që nuk hesht,ku për çdo ditë kujton bijtë e saj më të mirë!
Po ju shkruaj për Motmotin e Ri 2026, sepse pesë vitet që lamë pas ishin të veçanta. Ishin vite të rënda. Ishin vite të mbrapshta. E di se ju, për shumë vite me radhë, e keni kremtuar këtë festë të gërshetuar me gëzime dhe dhembje të mëdha, por ky vit, për ju dhe për ne, është ndryshe. Ju keni kapërcyer shumë vite të veçanta, vite gëzimesh dhe dhembjesh të mëdha, vite të trazuara – por përherë ballëlartë.
Po ju shkruaj edhe me motivin që t’ua forcoj bindjen se nuk jeni vetëm. Pas jush qëndrojnë të gjithë liridashësit dhe liribërësit e Kosovës.Edhe kësaj here, dua të rreshtohem mes njerëzve që ndjejnë dhembje për padrejtësinë e shekullit dhe t’ju uroj ju, bashkëluftëtarë të mi, Motmotin e Ri 2026. Duke ju uruar juve, miq të mi, dua të shfrytëzoj mllefin tim ndaj padrejtësisë dhe t’ua forcoj bindjen se:
Në Hagë sot është Republika e Kosovës.
Në Hagë janë bijtë e saj më të mirë.
Në Hagë është shteti i Kosovës.
Atje po hetohen dhe po gjykohen çlirimtarët.
Në Gjykatën Speciale po gjykohet liria.
Atje po gjykohet një popull liridashës.
Atje po gjykohet sakrifica, guximi, trimëria, krenaria dhe vetë shtetndërtimi i Kosovës. Atje, djemtë më të mirë të këtij vendi po gjykohen, sepse “krimi” i tyre i vetëm është lufta për liri dhe vetëvendosje.
Ata që bënë pak ose aspak për lirinë e Kosovës, jo rrallë deklarojnë naivisht se në Hagë nuk po gjykohet UÇK-ja, por individë – ish-komandantë dhe politikanë që “për 20 vjet e shkatërruan shtetin”. Po kush e paska ndërtuar shtetin, atëherë?Këta mjeranë duhet ta dinë se në Hagë sot nuk janë vetëm individë e as vetëm UÇK-ja. Në Hagë është Kosova e lirë dhe shteti i saj, në bankën e të akuzuarve, për “krimin” se ka luftuar për shembjen e errësirës së pushtimit shekullor.
Mashtrimi i madh po ndodh për ata që janë të dalldisur pas pushtetit e jo pas shtetit. U është errësuar shikimi dhe janë vërsulur mbi ADN-në e lirisë së Kosovës – UÇK-në. Por edhe një herë po e përsëris: në Hagë është Kosova. Atje janë ideatorët dhe prijësit e liribërjes dhe të shtetndërtimit. Atje janë themelet e shtëpisë së quajtur Republikë e Kosovës, e shpallur dhe e njohur ndërkombëtarisht nga 122 shtete.
Shumë të dashur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi – ju jeni bashkë me shumë shokë, disa prej tyre heronj e dëshmorë të kombit, disa veteranë me plagë të pashëruara, si dhe me gjithë kontribuuesit mbarëkombëtarë. Ne e dimë se atje do të duhej të hetoheshin dhe të gjykoheshin shkaktarët e lumenjve të gjakut të shqiptarëve të derdhur për një shekull në udhën e lirisë.
Në këtë fundvit, dua t’ia rikujtoj gjithë Kosovës, mërgatës sonë të çmueshme dhe kujtdo që flet e mendon shqip se atje po hetohet dhe po gjykohet lufta e drejtë e kryekomandantit Adem Jashari dhe e të gjithë Jasharajve të tjerë. Atje, në bankën e zezë, janë vendosur edhe njëzet vite përpjekje për shtetndërtim, bashkë me ndihmën e madhe të miqve të bashkësisë ndërkombëtare.
Në vend të një urimi formal për Motmotin 2026 për djemtë më të mrekullueshëm të Kosovës, dua t’u them se nuk jeni vetëm. Kosova bashkëndjen padrejtësinë e shekullit, sepse zotërinjtë e Gjykatës Speciale kanë ngatërruar adresat e kriminelëve.
Bashkëluftëtarë të mi, ju e dini se Gjykata Speciale është një komplot i armiqve të shtetit të Kosovës, një përpjekje e fundit për ta mbajtur gjallë pazgjidhshmërinë e statusit përfundimtar të Kosovës.Në vend të urimit për Vitin e Ri, miq të dashur, kudo që jeni, ju thërras për bashkim brenda shtëpisë sonë të sapondërtuar dhe për ta ruajtur atë nga goditjet, me vizion të qartë dhe pa “gdhendur në këmbën tonë”. T’i bashkojmë copëzat dhe të unifikohemi, sepse shtetësia dhe liria jonë janë vënë në rrezik.
T’i bëjmë copë recetat politike serbo-ruse. Kosova e fitoi lirinë dhe pavarësinë me gjak, por nuk e fitoi që ta dhurojë atë në tepsi atyre që nuk bënë asgjë ose bënë shumë pak për çlirimin e saj. Kur shtëpinë tonë – Republikën e Kosovës – ta drejtojnë ata që ADN-në e kanë UÇK-në, Brukseli, Haga dhe sidomos Beogradi e Moska do ta kenë të qartë se Kosova e ka vendin në Evropën e kombeve të qytetëruara. Kosova është e pavarur dhe prapakthim nuk ka.
Bashkëluftëtarë të dashur, përballojeni edhe këtë sfidë, si gjithmonë. Përballojeni edhe këtë goditje, sepse ne besojmë fuqishëm në pafajësinë tuaj dhe shpresojmë që shumë shpejt, bashkë me ardhjen e pranverës, të ktheheni dhe t’i jepni kuptim stinës së lulëzimit në shtëpinë tonë të përbashkët – në Kosovë dhe në familjen e madhe të luftëtarëve të lirisë.
Gjithmonë krenar me ju.
Mbani ballin lart.
Gjithmonë faqebardhë.
Gëzuar Vitin e Ri 2026!
Drenicë, më 31 dhjetor 2025 !
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
