KQZ: PDK-ja rritet për një, LDK-ja bie në 14 ulëse

Derisa numërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit po shkon drejt fundit kjo ka sjellë ndryshim edhe në ulëset e partive politike që do të përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës sipas përqindjes së votave ka arritur t’i marrë një ulëse Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila fillimisht kishte të fituara 15 mandate, ndërsa tash ka rënë në 14. Ndërkohë PDK-ja ka siguruar 23 ulëse, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve me mbi 50 % të votave, aktualisht figuron t’i ketë 57 ulëse, ndërkohë Aleanca për Armërinë e Kosovës ka siguruar 6 ulëse kuvendare në legjislaturën e dhjetë.

Deri tash mbi 70 për qind të votave me kusht janë numëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Këto të dhëna janë pasqyruar në platformën elektronike të KQZ-së ku nga 57 vendvotime me kusht në nivel vendi, janë numëruar 41 prej tyre.

Pas numërimit të votave me kusht, do të nisë procesi i numërimit të votave të dhëna nga personat me nevoja të veçanta.

KQZ-ja ka paralajmëruar se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të shpallen para 19 janarit, afat që ata kishin paraparë më herët.


Kontrolloni gjithashtu

Komisioni Europian sërish paralajmëron Shqipërinë në lidhje me të ashtuquajturat Pasaportat të arta

Mbi 6 mijë shtetas të Kosovës me leje qëndrimi në Shqipëri, kryeson bashkimi familjar

Mbi gjashtë mijë shtetas të Republikës së Kosovës po qëndrojnë aktualisht në territorin e Republikës …