Dejona Mihali sulmon Kushtetuesen pas rrëzimit të 12 ligjeve, KDI e demanton

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e 12 ligjeve të miratuara në seancën e dhjetorit 2024 ka nxitur reagime të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje, me akuza direkte ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses. Në mesin e ligjeve të rrëzuara ishte edhe Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Dejona Mihali, e cilësuar si figurë kyçe organizative e Vetëvendosjes, ka ashpërsuar retorikën, duke akuzuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese se veprojnë në funksion të partive opozitare që, sipas saj, nuk po arrijnë mbështetje elektorale. Mihali pretendoi se Kushtetuesja ka mbajtur “të ngujuara” dhjetëra ligje për më shumë se një vit, duke pritur cikle zgjedhore, ndërsa vendimin e ka marrë vetëm tani. Në kundërshtim me këto akuza, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka sqaruar se Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar fare përmbajtjen e ligjeve, por i ka rrëzuar ato ekskluzivisht për shkak të shkeljeve të rënda procedurale gjatë miratimit në Kuvend. Sipas Cakollit, afatet jashtëzakonisht të shkurtra për shqyrtim në komisione dhe shpërndarja me vonesë e materialeve deputetëve kanë pamundësuar një proces real parlamentar dhe debat substancial. “Deputetët janë reduktuar në votues formalë, pa kohë reale për lexim apo vlerësim”, ka theksuar Cakolli, duke shtuar se numri i madh i ligjeve të miratuara nuk përbën sukses nëse arrihet duke shkelur procedurat parlamentare. Reagimi i KDI-së vë në pikëpyetje akuzat e Vetëvendosjes dhe veçanërisht të Dejona Mihalit, duke nënvizuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pasojë e keqmenaxhimit procedural në Kuvend, e jo e një agjende politike apo ndërhyrjeje nga opozita.

Kontrolloni gjithashtu

Autoritetet u rekomandojnë ngasësve të mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit

Autoritetet kanë kërkuar nga ngasësit e mjeteve motorike që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë …