Me 27 shtator ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diele po sa ishim zgjuar filluan granatimet nder dy tri granatat e para njëra ra në oborr

Sadik Halitjaha: E PRISHIN RENDIN ATA QË DUHET TA MBROJNË RENDIN!

Kryetari i komunës vjen me vota, me delegimin e pushtetit nga qytetarët.

Por ky, sapo ta zërë ulësen e të parit të komunës, i thotë vetes mbret dhe nuk përfill më ligje, as norma e vlera tradicionale, historike e kombëtare!

Në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, e jo në ditën e vetë përvjetorit, mbahet një sesion shkencor kushtuar Masakrës së Reçakut!

Nuk na mbetet pse të habitemi që shteti serb, vetë Vuçiqi, e mohon masakrën e kryer në Reçak nga ushtria dhe policia serbe dhe madje bën edhe film të falsifikuar për këtë masakër.

Asnjë veprim apo reagim nga Oda e Avokatëve të Kosovës nuk u bë në kohën kur Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë merrej me dënimin e kryesve të kësaj masakre. Kjo masakër dhe Masakra e Burgut të Dubravës ishin me urdhër dhe përgjegjësi të Shahinoviqit dhe Pavkoviqit, që ishin në hierarkinë më të lartë për luftën në Kosovë. Këtyre, gjatë gjykimit, në dakordim me mbrojtjen e tyre, gjykata nuk ua procedoi këto dy akuza. Kosova heshti. Alamet juristë e profesorë të jurisprudencës e heshtën këtë provë akuzuese!

Serbia thotë se të vrarit ishin terroristë të UÇK-së, edhe pse botërisht dihet se u pushkatuan qytetarë të nxjerrë nga shtëpitë e tyre në fshatin Reçak, të moshave nga 75 vjeç deri në 13 vjeç. Gjithsej u masakruan 45 qytetarë, pa asnjë përzgjedhje.

Të gjithë civilë, të paarmatosur dhe të pambrojtur.

Në këto konstatime ka pak dallim nga ato që thonë armiqtë, krahasuar me kryetarin e Shtimes dhe stafin e tij, të cilët, me vetëdije apo pa vetëdije, po kryejnë punë antivlerë e antikombëtare.

Në një pikë janë të përbashkët me armiqtë: në konsideratat për UÇK-në dhe vlerat e saj!

Si ka mundësi që të mos jenë pjesë e këshillit organizativ të kësaj ngjarjeje ish-luftëtarët, të plagosurit dhe familjarët e dëshmorëve? Si mos të përfillen protagonistët e kësaj lufte, që mbrojtën kufomat dhe popullatën nga asgjësimi?

Në këtë mbrojtje ranë edhe 11 luftëtarë, në krye me komandantin e Brigadës 161, Ahmet Kaçikun.

Që në fillim të pasluftës, atëherë LDK, tani VV, morën nën patronazh civilët, jo dëshmorët. Këta i ndanë, sepse viktimat lanë 45 familje dhe atyre u duheshin votat! Këto dy ngjarje nuk janë dy – nuk kanë ndodhur të ndara as në kohë, as në hapësirë – dhe janë të lidhura me gjakun e tyre.

Por atyre që nuk e respektojnë gjakun, nuk ka si t’ua shpjegosh; ata nuk e mbrojnë as lirinë!

Si të mos konsultohen me faktografinë e kësaj lufte pjesëmarrësit e sesionit shkencor? Si do të duket e vërteta historike e kësaj masakre dhe e kësaj beteje katërditore pa prononcimin e asnjë protagonisti me përgjegjësi e komandim të kësaj lufte dhe rezistence?

Si ka guxim Qemajl Aliu t’i përjashtojë protagonistët e luftës? Me çfarë të drejte vepron kaq arbitrarisht dhe mohon vlerat e luftës dhe traditën e kësaj ngjarjeje?

Çka ka dhënë ky dhe familja e tij për luftën? Ku ishte ky dhe vëllezërit e tij gjatë luftës?

Kush ia ka trashëguar e bërë tapi këtij luftën e UÇK-së?

Tani është vonë, sepse me vonesë reaguan edhe shoqatat e dala nga lufta. Këtij i është dashur nesër t’ia bllokonin rrugën për Reçak dhe ta rivendosnin pikën në Cest! Tani nuk do të ketë nevojë për armë, por për lopata, sopata e trfurq!

Këtij duhet t’i ndalohet përbuzja e viktimave dhe e dëshmorëve, sepse me vetë prezencën e tij i fyen dhe i përlyen!

Këtë është mirë ta mbajnë për terapi në shtëpinë korrektuese psikiatrike në Shtime!

Kush duhet të evokojë mendimet dhe ngjarjet e luftës e të masakrës më shumë se bashkëluftëtarët e dëshmorëve dhe ata që mbrojtën popullatën civile nga asgjësimi?

Kujt i takon më shumë të flasë se Fehmi Mujotës, që solli njerëzit e OSBE-së, në krye me William Walker-in, te vendi i krimit?

Pse të mos i jepet fjala Shukri Bujës, komandant i zonës, që me forcat e tij luftarake mbrojti tërheqjen e civilëve dhe të kufomave? Xhafer Gashit me njësitë speciale, që bashkë me Gurin dhe Mëfailin luftuan katër ditë rresht?

Po pse të mos flas edhe unë, Sadik Halitjaha, koordinator i këtyre njësive luftarake, i dërguar nga Shtabi i Përgjithshëm?

Pse t’i nënshtrohemi Gjykatës Speciale të Hagës? Pse t’i nënshtrohemi Serbisë që mohon masakrën dhe kriminalizon luftën e UÇK-së?

Kur këtu e kemi kolonën e pestë që çmonton çdo ditë dhe në çdo rast vlerat e luftës për liri.

Qemajl Aliu, ti dhe padronët e tu i keni hipur dhisë mbrapsht – nuk ju shkon kështu!

Nuk kapërdihet me lugë luftëtari, sepse është kockë e fortë!

Po ju, o bashkëluftëtarë, ç’prisni? Çka duhet t’ju bëjnë më tepër? Deri kur e duroni përbuzjen?

Derisa unë isha kryetar i ish-luftëtarëve, përveç pushtetarëve kishim edhe UNMIK-un, EULEX-in dhe KFOR-in si mbikëqyrës të Kosovës.

Tani jemi shtet i pavarur dhe raportet e brendshme i rregullojmë vetë, duke u bazuar në të drejtat ligjore, kushtetuese, morale dhe tradicionale!

Duhet shkurt t’u tregohet vendi të gjithë atyre që shkelin gjakun e dëshmorëve, viktimave, invalidëve dhe çlirimtarëve!

Nuk mund të anashkalohen ata që sollën lirinë, në emër të asnjë kaze e të asnjë justifikimi – kjo është baraz me shkeljen e lirisë!

Lavdi dëshmorëve, nderim viktimave, respekt çlirimtarëve!
Një respekt i veçantë për William Walker-in.

14 janar 2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Skandal në Saraj: Punë publike pa kontratë dhe dyshime për tender të rregulluar

BDI: Skandal në Saraj: Punë publike pa kontratë dhe dyshime për tender të rregulluar

Jemi sot këtu për të denoncuar një rast të rëndë të mashtrimit të opinionit publik, …