Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka rikthyer në kujtesë momentet tronditëse të vizitës së tij në fshatin Reçak pas Masakrës së 15 janarit 1999. Walker ka treguar se pamja e parë që e përballoi ishte jashtë çdo përshkrimi njerëzor. “Trupin e parë që pamë i ishte prerë koka,” ka deklaruar ai, duke shtuar se çdo hap i mëtejmë e rëndonte edhe më shumë situatën. Walker ka shpjeguar se sa më shumë që avanconin në fshat, aq më dramatike dhe e dhimbshme bëhej realiteti i masakrës. Ai rikujtoi tmerrin që panë në çdo rrugicë dhe shtëpi, një pamje që tronditi jo vetëm misionin e OSBE-së, por edhe opinionin ndërkombëtar. Rrëfimi i tij rikthehet në vëmendje pikërisht në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike që shënoi fillimin e ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë dhe ndryshoi rrjedhën e historisë së vendit. Walker ka nënvizuar rëndësinë e dokumentimit dhe raportimit të së vërtetës, duke u bërë një dëshmitar kyç që e bëri të pamundur mohim të këtij krimi kundër civilëve shqiptarë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
