Ekspertët ligjorë dhe avokatët mbrojtës të ish-udhëheqësve të UÇK-së vlerësojnë se Gjykata Speciale në Hagë nuk ka arritur të argumentojë të gjitha tezave kryesore të ngritura në aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se çdo vendim tjetër pos lirues dhe vendim pafajësie do të ndikojë jo vetëm në të kaluarën, por edhe në të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ai paralajmëron se një vendim i kundërt do të përdoret për njollosjen e UÇK-së dhe për de-legjitimimin e ndërhyrjes së NATO-s. “Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë ekzistencën e strukturës komanduese apo kontrollin efektiv të territorit, dy elemente themelore për përgjegjësinë komanduese,” ka shtuar Bajraktari. Nga ana tjetër, avokati Artan Qerkini ka theksuar nevojën që Gjykata të bazojë vendimin vetëm mbi provat e administruara dhe të trajtojë me dinjitet dëshmitë e kredibilizuara të mbrojtjes. Ai ka kritikuar zvarritjet e procedurës dhe mungesën e transparencës gjatë seancave private, duke paralajmëruar se çdo vendim duhet të jetë i arsyetuar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Fjalët përfundimtare të prokurorisë, avokatëve mbrojtës dhe të të akuzuarve pritet të paraqiten më 9 dhe 18 shkurt. Ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen për krime lufte në periudhën mars 1998 – shtator 1999, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
