Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përdorur sërish ironi dhe sarkazëm në një panel diskutimi gjatë një samiti të mbajtur në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë duke vënë në shënjestër Malin e Zi, të cilin e quajti me tone tallëse “shtetin më të madh dhe më të fuqishëm në rajon”. “Mali i Zi është shteti më i madh dhe më i fuqishëm në rajon. Ka 50 milionë banorë. Ne jemi të vegjël, por Mali i Zi është kështu”, deklaroi Rama, duke shkaktuar reagime dhe buzëqeshje në sallë, ndërsa ironia e tij ishte e qartë. Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor këtë stil komunikimi ndaj Malit të Zi. Një episod i ngjashëm ndodhi në fund të tetorit të vitit të kaluar gjatë një paneli të Procesit të Berlinit në Londër, ku ai ndërhyri disa herë në fjalimin e kryeministrit malazez Milojko Spajiq, duke bërë shaka për emrin e shtetit dhe duke e cilësuar Malin e Zi si “më të vjetër se Greqia dhe Serbia”. Në të njëjtin panel në Emiratet e Bashkuara Arabe, Rama nuk i kurseu as komentet ironike ndaj Greqisë. “Ata mendojnë se janë trashëgimtarët e Platonit dhe Aristotelit, por nuk janë”, u shpreh Rama, duke nxitur diskutim dhe reagime të ndryshme në panel. Stili ironik dhe provokues i kryeministrit shqiptar në forume ndërkombëtare vazhdon të tërheqë vëmendje, duke u parë nga disa si mënyrë për të thyer formalitetin diplomatik, ndërsa nga të tjerë si i papërshtatshëm për marrëdhëniet rajonale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
