Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngritur alarmin për atë që e quan një skemë serioze manipulimi të votës së qytetarëve, duke kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve për deputet pas parregullsive të evidentuara gjatë rinumërimit aktual. Sipas Haradinajt, rinumërimi i pjesshëm që po zhvillohet aktualisht nuk është i mjaftueshëm, por përkundrazi po nxjerr në pah deformime të rënda të rezultatit zgjedhor, të cilat cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Ai vlerëson se procesi zgjedhor është “i lënduar rëndë” dhe se vetëm një rinumërim i plotë, votë për votë, mund të rikthejë besimin dhe legjitimitetin e rezultatit. “Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve. E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, ka shkruar Haradinaj. Deklarata e tij përfaqëson një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve përgjegjëse për administrimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe ndaj organeve të drejtësisë për mosveprim. Haradinaj ka bërë thirrje që të gjithë mekanizmat institucionalë të ndërmarrin vendime dhe veprime konkrete për të mbrojtur votën e qytetarit dhe për të rikthyer integritetin e procesit zgjedhor. Deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinumëruar 445 nga 914 vendvotime, ku janë evidentuar mospërputhje të shumta në votat e kandidatëve për deputet. Këto gjetje po e thellojnë krizën e besimit në procesin zgjedhor dhe po rrisin presionin politik për një rinumërim të plotë, në një moment kritik kur vendi përballet edhe me afate kushtetuese të ndjeshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
