Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, paralajmëron se vonesat në formimin e Qeverisë dhe moskonstituimi i Kuvendit po krijojnë një situatë alarmante për punëtorët e sektorit publik. Ai thekson se mungesa e dialogut me institucionet dhe mosveprimi i qeverisë në detyrë mund të sjellin pasoja financiare të rënda, veçanërisht për mësimdhënësit që kanë kredi bankare. Jasharaj ka thënë se takimet me Qeverinë në detyrë kanë munguar prej kohësh. “Sa i përket takimeve, takimet me Qeverinë në detyrë ka kohë që janë ndalur. Ka pasur mungesë dhe faji është i tyre. Nuk kemi pasur takim as me ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci. Dialogu ka munguar’’, ka deklaruar. Ai paralajmëron se nëse Qeveria nuk formohet deri në mars, kjo situatë mund të shkaktojë vonesa ose ndërprerje të pagesave për punëtorët publikë. “E keqja më e madhe do të ndodhte nëse nuk do të bëhej Qeveria deri në mars. Do të ishte shumë keq nëse do të mbesnim pa paga’’, ka shtuar Jasharaj. Kreu i SBASHK ka nënvizuar ndikimin e veçantë tek mësimdhënësit, shumica e të cilëve kanë kredi bankare. “Do të ishte goditje e madhe sepse shumica e mësimdhënësve kanë edhe kredi dhe kjo do u shkaktonte ende më shumë probleme dhe do t’i godiste shumë rëndë të gjithë punonjësit publikë’’, ka deklaruar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
