Individ të caktuar ndonëse të kyqur në parti politike, kurrë nuk kanë pasur ndikim në masë, madje kurrë nuk kanë pasur ndikim as në katundin e vet. Por këta individ kanë pasur ambicie të mëdha për të realizuar synimet e tyre ekonomike përmes manipulimeve politike. Kjo logjikë çuditërisht nuk i ka brengosur askë, se partia të cilët i takon, se si ka kaluar në zgjedhjet qoftë lokale, qoftë të përgjithshme, në radhë të parë në katundin e tij. Jo. Sepse për mendësinë e tij, ai është më i madh se partia, më i madh se katundi, apo me i madh se qyteti apo qyteza që i takon. Primare për të nuk ka qenë se si ta shtrij ndikimin e partisë në masë, në mënyrë që të fitoj partia, por primare ka qenë se si atë ndikim të partisë me aq sa ka, ta shfrytëzoj për interesin e vet personal, duke mos zgjedhur rrugë e mjete për realizimin e këtij qëllimi.
Formë e veprimit të tij është mbajtja e takimeve për të pirë kafe me njerëz të partisë dhe atë jo me njerëz të partisë në nivelin lokal, por me njerëz të partisë në nivelin qëndror. Në bisedë me ta, nuk ua tregon asnjërit realitetin e ndikimit të tij në parti, por duke i treguar se “sa vota ti kam bërë nga partia në vendlindjen time”. Primare për mendësinë e “logjikës së kullotjes së partisë” është shfrytëzimi i votave të partisë. Ato që janë. Aq sa janë. Mendon se janë meritë e tij. Ani se në katundin e tij asnjëherë partia e tij nuk ka fituar. Njerëzit e qendrës për këtë nuk brengosen, sepse u konvenojnë ato pak vota që ja paska siguruar ky.
Dhe me këtë mendësi, me këtë propagandë, arrijnë deri te njerëzit kryesor, apo edhe me ndikim në qëndër. Mundohen ta shesin lëkurën sa ma shtrenjtë. S’ka dert se dy fjalë nuk dinë t’i lidhin. Me rëndësi është që me qafë, e me zhurmë, të jënë më të zëshmit. Ani se janë një kokërr arre pa thelb brenda.
Kur dikush i pyet se çfarë njeriu është filani apo fisteku, njerëz me tituj shkencor dhe me përgaditje profesionale, këta, “aparatçikët e vetquajtur të partisë”, i gjejnë behone, i gjëjmë të meta. Në fakt i shpifin të meta, i shpifin nofka e profka të paqena, sepse këta brenda natës e kanë krye njëfar shkolle, pa lexuar as një faqe libri. Dhe shesin fetva për partinë. Kur humb partia, këta e gjejnë fajin te njerëzit e ditur. Asnjëherë te vetja. Sepse vetën e konsiderojnë me shumë vlerë. Brenda egos së tyre kanë tepricë të vetmjaftueshëmërisë.
Pastaj ndonjë “dylber politik” nga qendra ju beson verbërisht, sepse e ka interesin vetëm të atij grushti votash që ja sjellin. Askush nuk e qan kokën për të menduar se cila është potenca politike e partisë. Potenca reale politike. Po këta, ku e dinë fjalën potencë. Impotentët shpirtëror dinë vetëm për interesa. Kurrë s’kanë ditur, kurrë nuk e dinë dhe kurrë nuk do të dinë për parime. Për ta parim është vetëm interesi i tyre. Ndikimi i tyre, gëshnjeshtra e tyre. Manipulimi i tyre. Kur vijn zgjedhjet, për shkak të interesave të tyre personale, edhe kësaj logjike, u duhen edhe njerëzit me shkollë. Por këta u duhen vetëm për ti shfrytëzuar për zgjedhjet dhe asgjë më shumë. Si të kryhen zgjedhjet, më nuk u duhen. Bile nuk kanë qejf të takohen me ta kur janë me njërëz, për tu ulur me pi kafe, sepse duan ta fshehin zbrazëtinë intelektuale, morale e shpirtërore të tyre.
Partia në qendër ka instrumente matëse, për ta matur ndikimin e secilit në masë. Edhe para zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve. Nëse don ti konsolidoj radhët. Por partia në qendër ka hallin e vet. Hallin e klanit të vet. Hallin e tarafit të vet. Tarafit politik natyrisht. Prandaj edhe ndodh zhgënjimi. Prandaj ndodh ikja e njerëzve nga partia. Prandaj ndodh katandisja e njerëzve. Prandaj ajo parti pëson e bie në mënyrë rapide. Dhe askush nuk e jep asnjë përgjegjësi, sepse sistemi i vlerave nuk funksionon. E si të funksionoj institucioni i përgjegjësisë, kur këtë e ka zëvendësuar institucioni i vetmjaftueshmërisë, komoditetit, jaranisë.
Ka instrumente matëse reale edhe për secilin “kungull të pjekur në hije, që don të shitet si pjepër i pjekur në diell”. Mund të dihet sakt ndikimi i secilit edhe para zgjedhjeve për ndikimin e individit në parti politike dhe në masë. Kurse pas zgjedhjeve, këtë ndikim të individit në parti, e tregon në radhë të parë rezultati zgjedhor i partisë së tij në fshatin e tij, në vendabinimin e tij.
Kur kjo stërkeqje rritet shumë, i jep erë jo vetëm fshatit, por edhe komunës. Dhe njerëzit reagojnë me largim nga kundërmimi i rëndë. Kështu partia mbetët vetëm me individët që e durojnë këtë erë. E durojnë se kanë interes personal.
E në këtë rast, kush duhet shëruar, partia apo individi?
Shërimi ka dy rrugë: ose largimin e njerëzve nga partia që kundërmojnë erë të padurueshme për elektoratin ose edhe më keq, largimi i elektoratit nga njerëzit që kundërmojnë erën e qelbësit.
E qelbës politik mjerisht ka, në secilën parti. Ku më shumë e ku më pak. Për këtë e tregojnë rezultatet e zgjedhjeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
