Ramiz Lladrovci pas vendimit të KQZ-së për rinumërim: Procesi zgjedhor ka qenë i mjegullt dhe jo transparent

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e votave të zgjedhjeve nacionale të 28 dhjetorit në 28 komuna ka nxitur reagimin e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka theksuar se ky zhvillim ishte i pritur dhe i pashmangshëm. Lladrovci ka shkruar se “më në fund i doli tymi”, duke nënvizuar se anulimi i rezultateve të numërimit dhe vendimi për rinumërim dëshmojnë se procesi zgjedhor ka qenë i mjegullt dhe larg standardeve të transparencës dhe zbatimit të ligjit. Ka personalitete që, sipas tij, kanë marrë pjesë vetëm një herë në zgjedhje dhe nuk do të marrin më pjesë, për shkak të dëmtimit të reputacionit, jo nga mungesa e votave, por nga mënyra e zhvillimit të procesit zgjedhor dhe, siç është shprehur, “vjedhjeve të brendshme”. Lladrovci ka vlerësuar se demokracia në Kosovë mbetet e brishtë dhe se procesi zgjedhor është i “sëmurë”, duke shtuar se vjedhja e votës dëmton çdo qytetar, shtetin dhe besueshmërinë ndaj institucioneve. Ai ka kritikuar edhe sistemin aktual të listave me dhjetë kandidatë, duke thënë se kjo rrit mundësinë për ndikim në votë. Lladrovci ka bërë thirrje për veprim të ligjit, ndërmarrje të hapave urgjentë për digjitalizimin e votimit dhe ndryshime ligjore në drejtim të parimit “një votë – një kandidat”, si pjesë e reformës së nevojshme për forcimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Kontrolloni gjithashtu

Janina Ymeri reagon ndaj padisë së KEK-ut: E pabazë, politikisht e motivuar dhe përpjekje për frikësim

Janina Ymeri ka reaguar publikisht pas padisë së ngritur ndaj saj nga Korporata Energjetike e …