E veçanta dhe vlerat e autorit Ahmet Qeriqi te romani “Burgu”, si dhe te librat e tjerë, është shpalosja reale e botës së brendshme të autorit. Eleganca gjuhësore, aftësia artistike dhe kronologjia rrjedhëse e bëjnë autorin të jetë më i lexuar se të tjerët.
E veçanta nga shkruesit e tjerë: ky ishte vetë protagonisti dhe shumë modest.
Ahmeti, protagonist shumëvjeçar në veprimtarinë ilegale, me shumë vite vuajtje, tortura e burg. Ky nuk e zgjodhi, si shumë të tjerë, të vetëkënaqet me atë që bëri deri te lufta e tij. Të bënte shmangien nga pjesëmarrja në luftë, siç bënë shumë shokë të tjerë të ilegales dhe të burgut, që t’i shmangej rrezikimit të jetës së tij e të familjes.
Përkundrazi, ky e ndoqi vdekjen, dëshmoi se ishte ai që e kishte përgatitur luftën, që e kishte parë me vizionin e tij lirinë shumë herët, si dhe iu qëndroi besnik veprave dhe fjalës së dhënë, betimit për Atdhe.
Ahmeti, bashkë me të bijën Arbana, dhe djalin Epirin, i cili rroki armën në fillimin e luftës së UÇK-së. Dhanë maksimumin e tyre në mbrojtje të popullatës, në shërimin e furnizimin e tyre, si dhe mbajtën vijat e frontit me zjarrin e pushkëve bashkë me luftëtarët në transhe (istikame).
Ahmeti, siç ishte universal dhe shumë dimensional në aftësitë dhe gjindshmërinë jetësore, me shumë vlera të kombinuara, u caktua drejtor (drejtues) i Radios Kosova e Lirë, që filloi funksionimin e këtij mediumi më 04.01.1999.
Ky, si i palodhur dhe i pandalshëm që ishte, nuk i priste lajmet në bunker, por në shumicën e rasteve ishte në terrenin e luftës, ishte në luftime protagonist i ngjarjeve dhe, si i tillë, i jepte lajmet origjinale si alarm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe në ngritjen e moralit luftarak të luftëtarëve.
Shpjegonte me pasion të fuqishëm betejat e fituara dhe ngadhënjimin në luftë mbi armikun. Të vetmin medium që kishim: Radio Kosova e Lirë dhe Kosova Press.
Ahmeti edhe luftoi me ditë të tëra me armë me tërë stafin në mbrojtje të këtyre mediumeve në Këlcikën legjendare, gjegjësisht në majën e Berishës mbi Gurin e Gradishtit.
Ahmeti kurrë nuk u ndal për të pushuar as pas çlirimit, derisa e mbajti forca fizike e mendore. Kontribuoi për Atdhe, na la shumë shkrime, shumë libra e punime të pabotuara në dorëshkrim.
Pasuria dhe vlera e prof. Ahmet Qeriqit mbetet e pamatshme dhe personaliteti i tij i pakrahasueshëm, me atë se ky ishte i kompletuar dhe shumë dimensional profesionalisht e në lartësi maksimale.
Nikosur dhuratë Atdheut, ia la pasardhësit e edukuar dhe neve që patëm fatin ta njohim, na la amanet ta vazhdojmë luftën deri në bashkimin kombëtar.
Lavdi veprave dhe jetës së Heroit Ahmet Qeriqi!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
