Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: KËSHILLI I PAQES – APO KËSHILLI I PAJTIMIT

Në Davos të Zvicrës u proklamua ky lloj organizimi nga presidenti Trump! Kjo është edhe një dëshmi që rendi i vjetër është shembur!

Krijimi i këtij Këshilli të Paqes sipas dëshirës dhe qëllimit të presidentit.
Ne akoma nuk ia dimë normativin organizativ e ligjor, nuk ia dimë të drejtat dhe obligimet në këtë Këshillë, fuqinë e vendimeve, si dhe raportet mes këtyre vendeve që janë anëtare të këtij Këshilli, si dhe koston, detyrimet dhe veprimet mes këtyre shteteve anëtare!

Sa e si pranohen shtete të tjera në këtë Këshillë dhe a janë të gjithë me të drejta të barabarta apo sipas fuqisë?
Cilët janë kriteret e pranimit, të vendimmarrjes, si dhe të përjashtimit nga Këshilli?

Këto dhe shumë detaje nuk i dimë akoma, pasi presidentja jonë asnjë sqarim nuk bëri!
Cilat janë parakushtet e pranimit, kushtet dhe veprimet, si dhe kompetencat? Mendoj se nuk janë të parapara e të specifikuara fare!

Krejt çka ka ky Këshill, dhe ai që vendos, është presidenti Trump!
Krejt këta të tjerët zbatojnë ato çka kërkon presidenti.

Ky Këshill ndoshta më mirë të ishte emëruar:
“Aleanca e re në kolonë pas Amerikës” – apo pas Trumpit.

Shtrohet pyetja: si do t’i pajtojnë këta konfliktet ndër shtete?
Cila metodë dhe mënyrë përdoret?
Sa ndihen të detyruar të konfliktuarit?
Cila është metoda e ndikimit te ata që janë në konflikt?

Me siguri nuk është këshill që me lutje i bind, siç ishte Anton Çetta!
Por me siguri me interesa të caktuara dhe me forcë e kërcënime!

Si do ta vendoste paqen ky Këshill në ndonjë konflikt të mundshëm mes dy Koreve, si në mes Kinës e Tajvanit, mes Indisë e Pakistanit?
Çka do të bëjë me Ukrainën e Rusinë?
Si do të zhvillojë e garantojë paqen në Gaza?

Sa është forca dhe cilat janë matjet në shtetet anëtare?
Sa janë ndikues dhe me sa fuqi marrin pjesë në ruajtjen e paqes, në aspektin ushtarak, teknikë ushtarake, numër ushtarësh dhe personel civil, si dhe buxhet për të ndihmuar administrimin në bërjen e paqes?

Sa e si do të rritet ky Këshill i Paqes?

Për ne të gjithë shqiptarët, me siguri është mirë që na ka përzgjedhur presidenti Trump – dua të them Amerika!
Të jemi në rresht pas Amerikës, e sidomos pasi nuk ka kundër këtij Këshilli askush nga Europa!

Çka na pret e ardhmja e afërt dhe ajo në afatgjatë?
Uroj që presidenti Trump të jetë konsistent në vendimet e tij dhe mos të hyjë në marrëveshje me Rusinë në kurriz të Europës, e sidomos të popujve të vegjël të shteteve më pak të fuqishme, sepse tani kriter moral, besim dhe normë ligjore është bërë forca dhe interesi!

Uroj që në këtë Këshill të mos hyjnë sllavët, armiqtë e Shqipërisë!
Shpresoj që mos të prishet NATO, mos të prishen raportet e Europës me Amerikën!

Mendoj se shumë ndryshime do të ndodhin në këtë rindarje ekonomike, financiare, tregtare, politike dhe gjeostrategjike!

Ngushëllime për nostalgjikët për rendin e vjetër, për tregun e lirë pa tarifa, për globalizmin dhe garantimin e të drejtave të njeriut e të sovranitetit të shteteve!

Tani aleancat mund të jenë të përkohshme, pa parime tradicionale, pa rregulla e garanca të bazuara në ligje, tradita e norma ndërkombëtare, pasi që ato më nuk përfillen dhe janë bërë inekzistente!

Ne na duhet më shumë se kurrë ta bëjmë bashkimin kombëtar, ta fuqizojmë industrinë e armatimit dhe ta rrisim sigurinë e atdheut!
Uniteti mes nesh, bashkimi dhe gatishmëria për t’u mbrojtur krijojnë të ardhme të sigurt!

Rroftë populli shqiptar liridashës dhe liribërës, pa ia marrë askujt lirinë dhe të drejtat!

Me peshën tonë kombëtare do të maten vlerat tona para miqve aleatëve, si dhe përballë armiqve!

27.01.2026
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Fitim Selimi

Fitim Selimi: E RENDOMTA DHE E MADHËRISHMJA

Për të satën herë më duhet të theksoj se Albin Kurti nuk është i përzgjedhuri …