Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e dytë të rregullt

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e komunës dhe u kryesua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi.

Në këtë seancë, fillimisht u shqyrtuan dhe u miratuan procesverbalet e mbledhjes inauguruese, si dhe ai i mbledhjes së parë të Kuvendit Komunal.

Një nga pikat që ngjalli më së shumti diskutime ishte informata, përkatësisht raporti i punës së Kryetarit të Komunës së Vitisë për periudhën janar–dhjetor 2025. Me këtë rast, kryetari i komunës, Sokol Haliti, iu përgjigj pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga asamblistët, duke dhënë sqarime lidhur me aktivitetet dhe angazhimet e realizuara gjatë kësaj periudhe.

Në rend të ditës ishin edhe këto pika, të cilat u shqyrtuan dhe u miratuan nga Kuvendi:

Propozim-vendimi për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, me përbërje prej 7 anëtarësh.

Propozim-vendimi për themelimin e Komitetit për Komunitete.

Shqyrtimi i iniciativës së kryetarit të komunës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Vitisë.

Propozim-vendimi për themelimin e komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Vitisë, me ç’rast subjektet e përfaqësuara në Kuvend propozuan emrat e anëtarëve të këtij komisioni.

Propozim-vendimi për nisjen dhe autorizimin e kryetarit të Komunës për bashkëpunim ndërkombëtar me Komunën e Saint Julien en Genevois.

Propozim-vendimi për miratimin e dy anëtarëve të komisionit për vlerësimin dhe përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore të Komunës së Vitisë.

Në fund të seancës, Kuvendi Komunal shqyrtoi edhe propozim-miratimin e raportit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, konkretisht nga vërshimet në Komunën e Vitisë. Pas diskutimit, edhe ky raport u aprovua nga asambleistët.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu fton me 17 shkurt secilin ferizajas të bashkohet në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu ka pritur në takim z. Ismail Tasholli …