Rusia i është drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara duke kërkuar sqarim lidhur me parimin e vetëvendosjes, duke bërë krahasim mes rastit të Grenlandës, Kosovës dhe territoreve të pushtuara të Ukrainës. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në një deklarim për mediat turke, tha se Moska ka pyetur Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, nëse e drejta për vetëvendosje që përmendet për popullin e Grenlandës duhet të vlejë edhe për, siç i quajti ai, popujt e Donbasit, “Novorusisë” dhe Krimesë. “Edhe një herë i jemi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me pyetjen: nëse udhëheqja e OKB-së e njeh të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje, a do ta njohë të njëjtën të drejtë edhe për popullsinë e Donbasit, Novorusisë dhe, natyrisht, të Krimesë?”, ka deklaruar Lavrov. Ai ka pretenduar se Perëndimi ka përdorur parimin e vetëvendosjes si kriter kryesor për pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se, sipas tij, ky standard nuk është zbatuar njësoj në rastin e Krimesë. Lavrov ka përsëritur qëndrimin rus se referendumi i mbajtur në Krime ka qenë i rregull, pretendim që kundërshtohet nga shumica e vendeve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat e konsiderojnë aneksimin e Krimesë nga Rusia si të paligjshëm. Në deklaratën e tij, Lavrov ka bërë edhe komente mbi të drejtat e shqiptarëve në Kosovë para pavarësisë, duke thënë se ato nuk ishin mohuar, një vlerësim që bie ndesh me raportet ndërkombëtare të periudhës para vitit 1999 për shkelje të të drejtave të njeriut. Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga OKB lidhur me deklaratat e Lavrovit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
